Gati hoteli “Skënderbeu”, 12 dhoma për ekipin, restorant dhe sallë analize e konference

Përmes një investimi që kap vlerën e afro 230 mijë eurove, është mbyllur faza e parë e ndërtimit të hotelit “Skënderbeu”. Klubi zgjidh përfundimisht çështjen e akomodimit. Nuk do të kenë vetëm një vend për të fjetur, por edhe restorantin. Futbollistët dhe stafi duke filluar nga ky sezon e në vazhdim, nuk do të sorollaten nëpër shtëpi me qira, apo hotele, mbi të gjitha.

Lojtarët kanë vuajtur jo pak ndër vite, jo vetëm në gjetjen e ambienteve të duhura, por edhe me mosmarrëveshjet e lindura në të kaluarën qoftë me pagesën e apartamenteve apo hoteleve dhe më keq me restorantet ku drekonte klubi .

“Shtëpiza” e re e bardhekuqve ka përfunduar pjesën e parë të punimeve dhe ndodhet tek ish-konvikti i shkollës Mekanike, e cila tashmë do të shërbejë jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për akademinë.

“Panorama Sport” ka vizituar nga afër hotel “Skënderbeun”, duke parë mbylljen e fazës së parë të punimeve që përfshijnë në total termoizolimin e godinës, ndërtimin e 12 dhomave për lojtarët dhe stafin, sallën e konferencave, sallë analize dhe restorantin.


Për momentin të gjitha këto kanë mbaruar dhe prej gati një muaji kjo godinë funksionon normalisht. Për momentin të gjitha këto kanë mbaruar dhe prej gati një muaji kjo godinë funksionon normalisht.

PLANI I PRESIDENTIT

Ardjan Takaj vendosi në zbatim një ide të hershme, duke treguar edhe një herë ambiciet e Skënderbeut, por edhe pritshmëritë se ky klub do të ringrihet sërish në majën e futbollit shqiptar.

Ashtu sikurse e dini, është mbyllur faza e parë e punimeve dhe futbollistët tashmë kanë hyrë në shtëpinë e re të klubit. Ka qenë një punë shumë e madhe, pasi godina ishte tërësisht e dëmtuar, ndaj edhe vendosëm të bënim ndërhyrje me faza. Kjo është faza e parë, ndërsa kemi në plan të vijojmë edhe në pjesën tjetër të godinës, duke krijuar një ambient me të gjitha facilitetet për klubin”, tha enkas për gazetën kreu i klubit lidhur me këtë investim.

FAZA E DYTË E PUNIMEVE :

Burime të “Panorama Sport” pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se në fazën e dytë do të ndërtohen edhe 15 dhoma të tjera për futbollistët, që do të shërbejnë kryesisht për ekipin e parë, por edhe për lojtarë të akademisë “Skënderbeu”, që nuk janë me banim në Korçë.

Nga ana tjetër, është parashikuar ndërtimi i një palestre dhe sallë force, dhomë kontrollesh mjekësore dhe terapish, e deri te qendër rekreacioni për kalimin e kohës së lirë, që do të përmbajë aktivitete sportive nga më të ndryshmet e deri te “video-game”. Të gjitha këto, sipas presidentit, pritet që të mbyllen brenda vitit të ardhshëm duke dhënë kështu modelin e parë në Shqipëri për një klub.LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

Pamje nga hoteli ‘”Skënderbeu’”, ku po akomodohen lojtarët dhe stafi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.