Ajri i ndotur në Korçë në gjendje alarmante, ja ç’tregojnë monitorët e instaluar nga Qendra Mjedisore

Nga Elvis Cela: Në qytetin e Korçës po mbretëron një gjendje alarmante nga ajri i ndotur. Stina e ftohtë dhe festat e fundvitit, përveç elementeve të përhershëm, shoqërohen edhe me shtimin e ndotësve të ajrit, që vijnë si pasojë e përdorimit të druve të zjarrit apo edhe qymyrit për ngrohje. Monitorimi i cilësisë së ajrit në kohë reale, me pajisjet e instaluara IQAir nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER Center) në Bashkinë e Korçës, tregojnë një tejkalim të normës së PM2.5 me 44 herë më shumë se vlera e normës së lejuar të Bashkimit Evropian (BE) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Standardi i lejuar për PM2.5 është 25 µg/m3, ndërsa matjet në kohë reale tregojnë që vlera mësatare në Bashkinë e Korçës është 220.2 µg/m3.
Orët e pasdites janë kthyer në një shqetësim edhe për qytetarët të cilët e ndjejnë tymin në masë. “Pas ores katër të mbasitës ndjehet në mënyrë të jashtëzakonshme aroma e tymit dhe e blozës. Une kam vështirësi në frymarrje, vecanërisht në ditët që ka mjegull” thotë Anila Saraci banore e lagjes numër 12 të qytetit të Korcës.


“U bënë disa vitë që është kjo punë, kur del në darkë ndjehet aroma e tymit. Institucionet duhet të mbjellin kurorën e gjelbërt të qytetit si dukur që të përmirësohet ajri ndotur i Korçës” thotë Segi Habashllari, banorë i lagjes numër 18 të qytetit të Korçës.

“Ajri është shumë i ndotuar në Korcë gjithmonë në dimër. Pas orës pesë nuk dal dot në qytet, pasi tymi dhe mjegulla më krijon probleme me frymarrjen dhe më krijon gjendje stresi” thotë Marinela Byreku, banore e lagjes numër 14 të qytetit të Korcës.

Mjekët pohojnë se rritja e ndotjes së ajrit sjell jo pak probleme për shëndetin tek pacientët kronikë me sëmundje të mushkërive dhe zemrës, por vështirësojnë edhe rikuperimin nga virozat.

“Kemi shtim të rasteve të pacientëve që i drejtohen klinikave dhe spitalit të Korçës gjatë kësaj periudhe, veçanërisht të sëmurët që ne kemi kronikë, kanë ardhur me shpeshtësi të këtyre shenjave dhe jemi përpjekur që me mundësitë tona t’i diagnostikojmë dhe t’i japim mjekimet që nevojiten për frymëmarrjen”, thotë Isuf Salice, mjek i përgjithshëm në Korçë.

Për qytetin që mbështetet fort tek turizmi, ky është një problem shqetësues, ndërsa sipas instancave ka dy kendvështrime. Së pari ngrohja me dru zjarri vazhdon të jetë një cenim për pyjet dhe nga ana tjetër djegia e tyre është një ndotës masiv i ajrit. Bashkia e Korçës po përpiqet të gjejë një alternativë të re për ngrohjen.

“Njëri prej të cilave është edhe përdorimi i gazit për ngrohjen e qytetit fillimisht pastaj më vonë edhe të zonave rurale, që janë në pjesën fushore. Projakti i gazifikimit të Korçës që është ndërmarrë së fundmi nga Qeveria Shqipëtare, është lajm i madh për Korçën që zgjidh përfundimisht problemin më madhor me ngrohjen ndër vite”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Sotiraq Filo gjatë takimit me aktivist mjedisor nga e gjithë Shqipëria të organizuar më 16 dhjetor 2022.

Korça është ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri prej vitesh. Në qytet ka një kontrast të thellë mes stinës së ngrohtë dhe asaj të dimrit pasi në verë ndotja e ajrit ulet ndjeshëm.

Monitorimi i cilësisë së ajrit me pajisje të lëvizshme dhe 2 pajisje fikse IQAir po realizohet në Bashkinë Korçë nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim – EPER Center në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme”, i cili zbatohet në bashkëpunim edhe me 3 organizata të tjera partnere Milieukontakt Shqipëri, GO2 Shoqata, Together for Life në bashki të tjera të Shqipërisë. Projekti zhvillohet në kuadër të “Green-AL”, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli./dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.