Zani Çaushi, i dënuar përjetë, kërkon prej disa vitesh lirinë dhe nuk ndalet, edhe pse tentativat e mëparshme nuk kanë rezultuar të suksesshme. Së fundmi Gjykata e Lartë ka vendosur se kërkesa e Çaushit për liri me kusht do të shqyrtohet nga Gjykata e Korçës, pasi është arsyetuar se ajo është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku në njoftim thuhet se u zgjidh mosmarrëveshja e kompetencës lëndore ndërmjet Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat për shqyrtimin e çështjes me objekt ‘’Ulje dënimi’’, duke përcaktuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes.”
Ky vendim i Gjykatës së Lartë i hap rrugën shqyrtimit të kërkesës për liri nga ana e ish-kreut të bandës gjakatare të Vlorës në vitin 1997, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm, por po mundohet me të gjitha mënyrat për të fituar lirinë. Ai kërkon një përllogaritje të ditëve që ka kaluar në burg dhe kundërshton disa vendime të Gjykatës së Matit, që i ka rrëzuar kërkesën për ulje të dënimit.
Myrteza (Zani) Caushi vuan dënimin në burgun e Drenovës. Kjo kërkesë e tij është brenda limiteve ligjore të Shqipërisë, pasi pas kalimit të një afati të gjatë brenda qelive të burgut, një i dënuar, qoftë dhe me burgim të përjetshëm mund të kërkojë lirim me kusht. Çaushi është martuar gjatë kohës që ka qëndruar në burg, si dhe ka fëmijë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.