Kur politika bashkohet me famën… sa ndikoi Luiz Ejlli në fushatën e PS në rrjetet sociale?!

Përpara mbylljes së natës finale të spektaklit televiziv ‘Big Brother VIP Albania 2’, drejtuesja Arbana Osmani njoftoi se ‘vëllai i madh’ kishte përgatitur një surprizë të fundit për këngëtarin Luiz Ejlli, i cili u shpall dhe fitimtari i këtij edicioni që zgjati plot 133 ditë. I veshur me një kostum të zi dhe këmishë të bardhë, këngëtari u nis drejt tarracës së bashkisë së Tiranës, ku mes familjarëve dhe miqve të ftuar, ai kurorëzoi lidhjen e tij me prezantuesen televizive,

Kiara Tito, duke u martuar në një ceremoni të udhëhequr nga kryetari dhe kandidati socialist për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Ceremonia e martesës, pjesë e spektaklit me audiencën më të madhe gjatë këtij sezoni televiziv, u transmetua live edhe në faqjen Veliajt në rrjetin social ‘Facebook’.


LIVE nga tarraca e Bashkisë së Tiranës, për të kurorëzuar dashurinë e Kiarës dhe Luizit,” shkruante Veliaj.

Video e martesës së Luizit dhe Kiarës ka marrë 472,714 shikime dhe ka gjeneruar gati 24 mijë ‘like’, ‘share’, ‘emoji’ dhe komente, duke u kthyer në postimin me anagazhimin më të lartë të audiencës gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit. Të dhënat e analizuara nga BIRN nëpërmjet aplikacionit ‘Crowdtangle’ tregojnë që kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetarët e partive dhe drejtuesit politik të qarqeve, i përdorën gjerësisht rrjetet sociale për të komunikuar me zgjedhësit dhe për të transmetuar materiale propagandistike.

Në total, kandidatët për kryetarë bashkie realizuan gati 9 mijë postime

në 4 javët e fushatës, duke gjeneruar më shumë se 32.8 milionë shikime video dhe 6.3 milionë ndërveprimeve me ndjekësit e rrjetit social ‘Facebook’. Një rol të rëndësishëm gjatë kësaj fushate luajtën dhe tre liderët kryesorë politikë – Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët regjistruan në total 18 milionë shikime dhe 3 milionë ndërveprime.

Ndërkohë, 18 drejtuesit politikë të qarqeve, pa përfshirë qarkun Tiranë ku kandidatët për bashkinë ishin dhe drejtuesit politikë të qarkut, regjistruan 6.7 milionë videoshikime dhe gati 2 milionë ndërveprime në ‘Facebook’.Crowdtangle është një aplikacioni i kompanisë Meta, pronare e Facebook dhe Instagram, që mundëson analizimin e dhënave të faqeve publike në rrjete sociale./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: