Dhuron emocione dhe spektakël me serenata/ Jorgjeta Lalazi: “Në Korçë ne këndojmë të gjithë…

Jorgjeta Lalazi është një nga artistet më të dashura të qytetit të Korçës. Ajo rrjedh nga një familje nga më të vjetrat autoktone korçare, mes mjekësh dhe muzikantësh, ku pasioni për artin, muzikën dhe serenetat e vjetra trashëgohet brez pas brezi. Jorgjeta banon në Korçën e saj të dashur, ku vazhdon traditën familjare të këndimit të serenatave, këngëve të dashurisë, emocionit dhe përjetimit të tejskajshëm të mallit. Në një intervistë për Radio Ejani Jorgjeta Lalazi tregon për rrugëtimin e saj artistik, aktivitetin muzikor dhe projektet për të ardhmen.

CMG: Ju jeni një familje e madhe me traditë në qytetin e Korçës. Sa vend zë muzika në familjen tuaj?

Jorgjeta Lalazi: Janë vite me radhë që dhe stërgjyshërit e mi kanë kënduar, ka kënduar babai i cili për mua ka qenë një profesor i madh sepse më mësoi si të këndoj, që nga diafragma dhe zanoret. Në Korçë ne këndojmë të gjithë, ku secili kishte atë bukurinë e vet të zërit që nga motra e madhe Antoneta, e me radhë Keti, Elsa, Koço Lalazi që ka marrë titullin “Naim Frashëri” në korin Lira, si dhe unë. Mamaja ime këndonte këngë popullore shumë të bukura, kurse babai këndonte serenatat e vjetra si dhe këngë të padëgjuara, që akoma nuk i kam kënduar.

CMG: Serenatat janë një zhanër i veçantë i muzikës shqiptare dhe jo kushdo mund t’i interpretojë. Zëri juaj është i veçantë dhe i përshtatet mjaft mirë këtij zhanri muzikor.

Jorgjeta Lalazi: Kjo është e vërtetë sepse duhet timbër, duhet teknika dhe të dëgjohen fjalët. Unë besoj se edhe kur bisedoj këndoj, kështu më duket sepse i jap ngjyrën zërit. Unë mund të këndoj dhe një këngë dy-tre herë në natë, por i jap atë ngjyrën e bukur, pra kaloj në një videoklip me veten time. Gjithmonë e shikoj veten sikur jam në një koncert të madh dhe sikur kam një publik të madh që dua ta kënaq. Unë kur këndoj te Hani i Pazarit dua t’i kënaq të gjithë njerëzit që vijnë atje, duke këduar live dhe pa mikrofon. Unë kam 5-6 vjet që e kam hequr mikrofonin nga dora.

CMG: Keni kënduar edhe muzikë popullore të jugut, apo vetëm serenatat keni lëvruar në repertorin tuaj?

Jorgjeta Lalazi: Unë këndoj dhe këngë popullore, por më shumë dhe gjithë mjeshtrat dhe profesorët më kanë thënë që mos të heq dorë nga serenatat sepse e kam të lindur. Këndoj dhe këngë popullore kosovare, këngë qytetare të trevave të ndryshme, të Tiranës, Shkodrës dhe qyteteve të tjera, por që unë jam më me këmbë në tokë te serenatat.

CMG: Gjithashtu interpretoni këngë të huaja, greke, spanjolle dhe ruse. Si i keni mësuar këto këngë?

Jorgjeta Lalazi: Këngët spanjolle i kam kënduar dhe mbaj mend që kur kam qenë e vogël doli filmi “Serenatë në Meksikë”, në shtëpinë time këndoheshin, por këndoheshin edhe nga grupet e serenatistëve të Korçës, që unë i kisha miqtë e shtëpisë. Ata ishin Gjergji Peleshi, Nasi Kondili, Pandi Tabaku, Robi Tabaku dhe shumë të tjerë, që janë pionerët e serenatës korçare. Unë atje lëvizja fjalët dhe këndoheshin në shtëpinë time këngët italiane, spanjolle dhe meksikane. Këto këngë i kisha ëndërr t’i këndoja, prandaj dhe tek spektakli i Gjeniut unë kisha dëshirë të këndoja këto këngë sepse te Hani i Pazarit këndohen vetëm këngë shqip, por edhe ndonjë këngë greke të cilat unë i kam shumë të përvetësuara. Kur këndova te Gjeniu isha pak e sëmurë dhe nuk më doli ajo që desha, por kam ndërmend të bëj koncerte të tjera si dhe një recital.

CMG: Cili është emocioni që përjetoni kur merrni duartrokitje nga publiku?

Jorgjeta Lalazi: Për mua publiku është thesari më i çmuar, që më ka mbështetur dhe më duan dhe për ata do këndoj derisa të kem frymë. Unë kam realizuar edhe një koncert recital para viteve 90-të me Lindita Theodhorin, ku kemi kënduar këngë të huaja franceze dhe unë kam qenë në kompleks me dy vjaza të tjera. Unë besoj se kam qenë e para që kam bërë spektakle në pedonalen e Korçës, ku kam kënduar live me grupin “Nostalgjia” për katër vjet çdo natë dhe nuk e mërzitja publikun korçar dhe gjithë të tjerët që vinin.

CMG: Mendon se brezi i ri sot ka dëshirë t’i këndojë serenatat?

Jorgjeta Lalazi: Mendoj se po, por ka këngëtarë që nuk arrijnë në notat për të kënduar serenatat dhe e kanë bastarduar pak. Unë mundohem dhe ju bëj thirrje që t’i këndojnë këngët siç janë, por këtu mbetet një pikëpyetje e madhe sepse duan t’i bëjnë me ritëm, por serenata mbetet serenatë. Serenata asnjëherë nuk këndohet me organo, por me fizarmonikë, me kitara sepse kështu dilnin e këndonin dikur nëpër ballkonet dhe sokaket e Korçës.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe gjithë adhuruesit tuaj.

Jorgjeta Lalazi: Ju përshëndes dhe i dua shumë. Ju pres tek Hani i Pazarit të vini dhe të më dëgjojnë atje live.

Intervistoi: Gazmend Agaj /Radio Ejani

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: