Një ngjarje e rëndë tronditi Zemblakun mbrëmjen e kësaj të shtune në Korçë, ku Gjegj Mullalli vrau gruan e tij Luizën, më pas e hodhi në gropën e ujërave të zeza. Trupi i pajetë i 46-vjeçares e identifikuar si Luiza Mullalli është gjetur mbrëmjen e sotme në një gropë septike pranë banesës së saj. Sipas policisë, autori Gjergji Mullalli është në arrati ndërsa janë ngritur grupe kontrolli me qëllim kapjen e tij. Trupi është çuar në morg për t’u ekzaminuar dhe kuptuar se çfarë mjeti është përdorur për vrasjen.
Ata ishin në proces divorci, ndërsa viktima ishte me urdhër mbrojtjeje. Çifti kishte tre fëmijë, gruaja shkonte shpesh te dy vajzat në Greqi, ndërsa autori jetonte me djalin në Zëmblak në banesën e prindërve të tij. Autori punonte në ndërtim, ndërsa viktima në rrobaqepësi në Korçë. Sipas familjareve te viktimës autori konsumonte shpesh alkool.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 29.07.2023, rreth orës 20:40, në fshatin Zëmblak, Maliq, në një gropë septike pranë banesës së saj, është gjetur e pajetë, shtetasja L. M., 46 vjeçe. Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është bashkëshorti i saj shtetasi Gj. M.
Nga ana e Policisë janë ngritur grupe kontrolli me qëllim kapjen e tij. Në lidhje me mjetet që janë përdorur në krim dhe rrethanat e mëtejshme, do ju informojmë pas këqyrjes së trupit të viktimës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.