Shtyhet nisja e Superiores pas kërkesës së klubeve, në premierë Skenderbeu luan në transfertë…

Ndryshon axhenda e Abisnet Superiore për edicionin 2023-2024. Sezoni i ri do të fillojë në 26 gusht, një javë më vonë seç ishte planifikuar nga FSHF. Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se nisja e sezonit të Kampionatit Kombëtar “Abissnet Superiore” për sezonin 2023-2024 është shtyrë me një javë.

Sezoni i ri futbollistik ishte planifikuar të niste më datë 19 gusht.

“Pas kërkesës së mazhorancës së klubeve për spostimin e nisjes së aktivitetit me një javë, e cila është marrë në shqyrtim nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, është spotuar për më datë 26 gusht 2023 kur do të zhvillohet dhe java e parë. Lidhur me këtë ndryshim të kalendarit janë njoftuar edhe klubet pjesëmarrëse në Abissnet Superiore”, njofton FSHF.

Skenderbeu do ta nisë sezonin e ri në transfertë kundër Egnatias, në takimin që do të zhvillohet në “Egnatia Arena ”.

“Nga 40 deri në 700 euro”/ Daily Mail i dedikon shkrim shezlongëve më të shtrenjtë të Evropës…

Daily Mail trajton çështjen e kostos së shezlongeve në destinacione të ndryshme të njohura evropiane duke paraqitur një raport. Publikimi i referohet edhe opsioneve ultraluksoze ku kostoja për një shezlong shkon përtej arsyes dhe arrin afër… 700 euro. Ai thotë se klubet e mbyllura në destinacionet italiane të Capri, Sardenjës dhe Positano dhe vendpushimet spanjolle të Majorca dhe Ibiza paguajnë deri në 685 € për një vend në diell.

Klubet e plazhit në vende të njohura janë bërë një zgjedhje popullore për personazhet e famshëm, turistët e pasur dhe influencuesit e mundshëm që nuk e kanë problem të paguajnë aq sa duhet për një ditë në një plazh privat larg turmave.

Por, shton Daily Mail, edhe familjeve që kërkojnë një arratisje buxhetore u kërkohet të paguajnë 40 euro për person për shezlongët në plazhin Fornillo në vendpushimin e Bregut Amalfi të Positano. Arienzo Beach Club në Positano ishte ndër klubet më të shtrenjta të plazhit të gjetura në investigimin e mediave britanike sot. Kushton 685 euro për një “eksperiencë VIP” që përfshin një krevat dielli, çadër, ujë, meze, pjatë kryesore dhe një shampanjë vintage Dom Perignon.

Siç thuhet ndër të tjera

“Ju gjithashtu mund të gjeni veten duke paguar 500 € në plazhin Nikki në Sardenjë për një eksperiencë të ‘krevatit ikonik’ për dy deri në tre persona, e cila përfshin shampanjë. Vende të tjera me çmime të jashtëzakonshme që përfshijnë Scorpios Beach në Mykonos me 160 € për një kabane dhe La Reserve A La Plage në St Tropez, Francë, ku një shezlong kushton 80 € në ditë ose 200 € për një shezlong dopio.

Ndërkohë, La Fontelina në Capri, Itali paguan 70 € për një shtrat në diell, ombrellë dhe peshqirë. Anima Beach Palma në Majorca, Spanjë kërkon 70 € për një shtrat në diell, ombrellë dhe peshqir. Dhe Blue Marlin në Ibiza, Spanjë paguan 30 € për një shtrat në diell, por ka gjithashtu një shpenzim minimal në vend prej 50 € për krevat“.

Kozeta Kurti: “Të thuash që Luizi është pa vlerë, nuk e di nga e nxjerr…

Nga Kozeta Kurti:

I vetmi problem, në këtë rast dhe mijëra të tjerë, është fakti se media jonë, nga ato më “prestigjiozet”, deri tek ato me IP dhe laptop nga banja e shtëpisë, është keqinterpretimi i qëllimshëm i ligjëratës së Aurela Gaçes, çka çon pastaj në këtë tifozerinë histerike që ky milet e ka fort për zemër. Kurse të thuash, që Luiz Ejlli është pa kurrëfare vlere, nuk e di nga e nxjerr!

Është e vërtetë që Luiz Ejlli është produkt i një formati televiziv, por i “Etheve”, produkt i të cilëve janë edhe Elvana Gjata, Anjeza Shahini, Rona Nishliu, Vesa Luma, Rosela Gjylbegu, Samanta Karavello, Kamela Islamaj, Flaka Krelani, Linda Halimi, Mateus Frroku, Greta Koçi, Hersi Matmuja, Klajd Musabelliu, Kejsi Tola, etj etj.

Është fitues i kësaj gare të rëndësishme, fitues i Këngës Magjike, fitues i Festivalit të Këngës, e për rrjedhojë, edhe pjesëmarrës në Festivalin Europian të Këngës. Në Big Brother është nga të paktët që ka hyrë si dikush që ka bërë diçka, si “vip” (ndonëse unë kam një qasje tjetër për VIP-in), ndryshe nga shumë të tjerë që kanë hyrë në dy edicione dhe s’e kishim haberin kush janë.

Pastaj, edhe këtë reality show, varet si e përdor; Arbër Çepani është produkt Big Brotheri, por është sot një nga sipërmarrësit më të njohur të gjeneratës së tij.

Nuk ka faj Luizi që mund të postojë për kokërr të qejfit të vet një pjatë me fasule në rrjetet e veta sociale e “kolegët” e tu e të mitë nxitojnë ta bëjnë lajm për të kap’ ndonjë view prej tij! P.S. Doja ta lija si koment në postimin tënd Mentor Kikia, por s’më lejonte.

Arlind Qorri: “Opozita përbëhet nga dordolecë dhe pazarxhinj, më thoni një emër oligarku që ata përmendin…

Drejtuesi i lëvizjes “Bashkë” Arlind Qorri ka lëshuar një “shuplakë” të fortë ndaj opozitës “farsë” të Sali Berishës, duke i quajtur ndër të tjera “pazarxhinj” që nuk hapin gojën për të denoncuar krimin më të madh ambiental që po i bëhet Tiranës me ndërtimin e kullës më të lartë te lulishtja pas “Operas”. Në një deklaratë në “Breaking” në Top Story,

Qorri ka thënë se opozita e Sali Berishës nuk ka guxim të përmendë një emër oligarku, dhe nuk ka denoncuar jo vetëm “Kullën Mal”, pas të cilës flitet se qëndron vetë, por as edhe përbindëshat e tjerë të betonit që po ngrihen në Tiranë.

Janë parti të vjetra, të kalbura, të kompromentuara. Që zoti Berisha nuk tha për një prek krimeve më të mëdha në Tiranës, nuk është e re. Më thoni ju mua kur ka reaguar Berisha, për kullat që pondërtohen apo janë ndërtuar. Kur ka reaguar për kullën që ende po ngrihet te ish-këndi i lojërave, “7-xhuxha”. Kjo është një opozitë formale që ndan para me pushtetin nën rrogozë, edhe me oligarkët.

Berisha bën beteja kozmike të themi me SHBA, George Soros, dhe nuk ka guxim për një prej krimeve që po bëhet sot në mes të gushtit”, deklaroi Qorri.

Sipas tij, Berisha dhe Edi Rama janë partnerë me oligarkët ndërtues në Tiranë, çka tregon se ata janë dordolecë në opozitë. “Sali Berisha, njëlloj si Edi Rama është partner me këta që ndërtojnë. Fakti që ajo parti nuk ka asnjë qëndrim publik, asnjë kundërshti.

Fakti që ata bënë një fushatë dhe nuk guxuan të përmendin një emër, as Berisha, as Belind Këlliçi. Ata janë thjeshtë dordolecë. Siç kemi dordolecë në pushtet, kemi edhe në opozitë”, përfundoi Arlind Qorri.

E rëndë në Vlorë/ U konfliktua në kancelari, 55-vjeçarin e vrasin me grushta…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një 55-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti të çastit. Mësohet se viktima është se Armando Memshani, i cili ka humbur jetën pasi është goditur me grusht nga një tjetër person. Ngjarja ka ndodhur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, në ambientet e një kancelarie.

Bëhet me dije se viktima është konfliktuar me dy persona të tjerë, të cilët e kanë goditur dhe 55-vjeç ka humbur jetën.

Policia informon se ‘rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër interneti, 2 shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe gjatë konfliktit shtetasi A. M., rreth 55 vjeç, për shkak të dhunës fizike (goditjeve me grushte), ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Nga veprimet e shpejta është bërë identifikimi i autorit dhe vijon puna për kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti’.

Rrahën dhe i dëmtuan makinën 36-vjeçarit, shpallen në kërkim dy të rrinjtë nga Korça…

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit S. S., 32 vjeç dhe R. H., 29 vjeç, të dy banues në Korçë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, një 36-vjeçar,

dhe i kanë dëmtuar atij, automjetin. Vijon puna për kapjen e këtyre shtetasve.

E rëndë në Turan të Korçës/ Gjendet e vetëvarur 36-vjeçarja…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Turan të Korçës. Sipas informacioneve praprake raportohet se një 36-vjeçare është gjetur e vetëvarur në hangarin e banesës së saj, ku paraprakisht në trupin e të resë nuk janë konstatuar shenja dhune.

Njoftimi i policisë:

Më datë 06.08.2023, në fshatin Turan, Korçë, në hangarin pranë banesës së saj, është gjetur e vetëvarur dhe pa shenja dhune, një 36-vjeçare. Grupi hetimor vijon veprimet për të dokumentuar ligjërisht rrethanat

e kësaj ngjarjeje.

‘Shiko plaka, bredh andej-këtej’/ Marjana Kondi i përgjigjet komentit epik të aktorit: “Ta rregulloj unë qejfin ty…

Marjana Kondi është ndër aktoret shqiptare më aktive në rrjetet sociale, sa i përket brezit të saj. Së fundmi në rrjete sociale nuk kanë munguar dhe komentet me aktorin e mirënjohur Robert Ndrenika dhe batutat e tij pikante. Këtë herë pas një foto të publikuar nga artistja Marjana Kondi, e cila shihet e buzëqeshur teksa ndodhet pranë “Fontana di Trevi” në kryeqytetin e Italisë, në Romë.

Të bekuar jemi të gjithë” shkruan ajo.

Ndrenika i bën komentin epik; “Shiko shiko plaka, bredh andej këndej”.

Por aktorja i përgjigjet Ndrenikës po me batutë; “Ore mos më thuaj plakë, ta rregulloj unë qejfin ty”, shkruan Marjana.

Luizi merr për herë të parë nënën në koncert dhe ka një kërkesë për djemtë(Video)

Luizi Ejlli, personazhi fenomen në Shqipëri, vijon të ketë vëmendjen kryesore në media. Ndërkohë që vazhdon të jetë shumë i ngarkuar me koncerte, artisti duket se gjithmonë gjen kohë të lirë për t’iu dedikuar personave të zemrës. Bëhet fjalë për Kiarën dhe nënën e tij, me të cilat së fundi, ka qënë në një dasëm dhe ka publikuar një foto familjare, e cila ka marrë pëlqime pafund në rrjetet socale

Në një koncert të dhënë së fundmi, Luizi është shprehur se ndihet tepër i emocionuar dhe shkak për këtë është nëna e tij, e cila gjendet në një klub natë për të ndjekur koncertin e të birit, për herë të parë.

Mirëmbrëma. Sonte është hera e parë që kam emocione, pasi për herë të parë kam sjell nënën me duart e mia, në këtë koncert,” shprehet Luizi.

Ai gjithashtu nuk ka lënë pa i shtuar kësaj situate, disa nota humori, duke thënë: “Çuna mos ma ngacmoni”, duke shkaktuar kështu të qeshura në publik.

Përplaset nga makina, humb jetën 34-vjeçari shqiptar në Itali…

Një shqiptar 34-vjeçar ka humbur jetën në Livorno të Italisë si pasojë e një aksidenti tragjik. Viktima është identifikuar si Francesco Zhuta. Sipas mediave italiane, shqiptari po lëvizte me motor kur është goditur nga një makinë dhe ka përfunduar duke u përplasur me një pemë në anë të rrugës.

Shërbimet e urgjencës ndërhynë menjëherë, por 34-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit, një 57-vjeçar është ndaluar nga policia ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Francesco Zhuta ,34-vjeç

La Repubblica: “Ja pse italianët zgjedhin Shqipërinë për pushime…

Çmimet e çmendura në Itali po largojnë turistët drejt Shqipërisë, shkruan Davide Carlucci për italiane La Repubblica. Në radhë në terminalin e portit të Barit, mes fytyrave të emigrantëve tashmë të moshuar që kthehen në shtëpi për pushime, shfaqen çanta shpine shumëngjyrëshe, shishe uji, çanta vajzash, pajisje zhytjeje apo kapele kashte. Si edhe të bërtiturat e zakonshme të zhurmshme të grupeve italiane në pushime.

Një çift prindërish përpiqen të qetësojnë fëmijë e tyre të shqetësuar. Janë të lodhur pasi u larguan nga Roma me makinë natën për të marrë tragetin në orën 13:00. Kryefamiljari, Andrea, është 52 vjeç dhe është nëpunës.

”Italinë e kemi përjashtuar nga projektet tona pas pandemisë. Vitin e kaluar shkuam në Greqi dhe kaluam mirë. Kroacia, tani që është futur në euro, është më mirë të mos i afrohesh. Të shohim si do të shkojë në Shqipëri”, thotë ai.

Ai dhe gruaja e tij, Valentina, 52 vjeçe, e jetojnë këtë si një bast. Ata rezervuan dy javë më parë, tani janë në bordin e anijes “Francesca” me destinacion Durrësin.

Në rrugën që dikur kishte vetëm një drejtim, ikjen nga varfëria e një populli që sapo kishte përjetuar demokracinë pas dekadash komunizmi, tani po ndodh një tjetër “arratisje”, pak më diskrete, sigurisht më pak dramatike, por gjithsesi e shtyrë nga ekonomia.

“Pushimet në Itali janë të shtrenjta kudo. Ne shkuam në Santa Maria di Leuca para Covidit dhe çmimet ishin të larta. Kam lexuar nëpër gazeta sesi menaxherët e plazheve justifikohen këto ditë dhe më bën të qesh. Ata thonë se synojnë njerëzit më të pasur”, thekson ai.

Çifti prenotoi për vete dhe dy fëmijët e tyre 16 dhe 19 vjeç tre hotele në Tiranë, Sarandë dhe një tjetër vendndodhje në jug.

“Kemi paguar gjithsej 1 200 euro, plus 850 euro për tragetin me makinë në bord. Ende e përballueshme. Tani do të shohim sa do të shpenzojmë për ushqimin. Na thonë se edhe atje janë rritur çmimet por sigurisht jo aq sa në Itali”, shton ai.

Angela dhe Raffaele u larguan nga Caserta. Ajo punon në një laborator analizash, ai është punëtor në një kompani instalimesh elektrike. “Vitin e kaluar shkuam në Polignano dhe pagan 540 euro për tre netë. Vend i mrekullueshëm. Por, këtu, me 1 380 euro mund të përballojmë nëntë ditë, dy në Tiranë, tre në Vlorë dhe katër në Sarandë, një hotel me katër yje me pamje nga deti, përveç udhëtimit me traget me makinë”, thotë ai.

Fabio organizon gara me motorë në Treviso.

”Si turist, është hera e tretë që shkoj atje dhe nuk ndalem kurrë. Shkuam në Kroaci në qershor dhe ishte tepër e shtrenjtë, pasi një kafe kushton tre euro”.

Leonardo Atene, 39 vjeç nga Trebisaçe, në provincën e Kozencës, bën shaka me të.Kam qenë nëpër botë, kam qenë me pushime kudo, tani paratë kanë mbaruar dhe po shkoj në Shqipëri”, shton ai.

Ai shkon të qëndrojë me miqtë. Sepse një tjetër pikë e fortë e turizmit italian në tokën e shqiponjave është se thith ajrin e shtëpisë, mes të afërmve të sapofituar dhe miqësive të konsoliduara. Marco Giommetti, për shembull, është një profesor i matematikës dhe fizikës nga Pesaro.

“Do të jem mysafir i Florianit, një ish-mik universitar me origjinë shqiptare që është inxhinier në Bolonja. Aty kam qenë edhe vitin e kaluar, në Shqipëri. Një darkë e bollshme me peshk të kushton maksimumi 25 euro, dyfishi i asaj në Itali. Dhe unë njoh gjithnjë e më shumë njerëz që po zgjedhin të vijnë këtu. Edhe mamaja ime dëshiron të blejë një shtëpi!”, shton ai.

Historia personale e Ingrid Papës, mësueses romane të pianos 36 vjeçe, përzihet me erërat që fryjnë mes dy brigjeve të Adriatikut.

“Gjyshja ime ishte italiane dhe ishte bllokuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Unë jam në Romë që nga viti 1992, kam ardhur me prindërit e mi dhe tani doja të merrja me vete të dashurinë për të rizbuluar origjinën time”, shton ajo.

Nga ana tjetër, Benjamini dhe Katherine janë doktorantë në filozofi, ai është italiano-amerikan, ajo është zvicerane nga Berna. ”Ne nuk shkojmë në det. Do të flemë në një bujtinë në Durrës dhe prej andej do të eksplorojmë brendësinë, do të shkojmë në Mal të Zi ku ka jetuar babai im”, thotë Benjamin.

Familje të tëra të shtrira në tokë kalojnë pasditen e gjatë të kalimit, dikush ka sjellë jastëkun e vet për të fjetur. Ka mbetur shumë pak në këtë anije të udhëtimeve të vjetra të bëra nga nevoja në vitet ’90. Tani Shqipëria paraqitet si një botë ende e virgjër dhe për t’u eksploruar, por e gatshme për të qenë sfondi i dëshirave intelektuale dhe bredhjeve endacake. Shqiptarët i mirëpresin evropianët që i pritën kur e kishin problemin se si të mbijetonin. Ata ia kthejnë mikpritjen, por pa më shumë komplekse inferioriteti.

Lajm i mirë, 500 mijë shqiptarë do të përfitojnë pensione në Itali…

Rreth 500 mijë shqiptarë që punojnë në Itali do të përfitojnë, kur marrëveshja të miratohet në parlamentet e dy vendeve. Shqipëria dhe Italia kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Procesi për njohjen e kontributeve ka nisur në vitin 2014 dhe tashmë është drejt përmbylljes.

Çështja ka mbetur peng i negociatave të dyja palëve për shumë vite për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali.

Për të ardhur te kjo marrëveshje, janë dashur rreth 10 vite nga qeveria shqiptare. Në vitin 2016, ishin 250 mijë shqiptarë të regjistruar si të punësuar në Itali dhe 19 mijë italianë të regjistruar në Shqipëri.