Pushimet mbaruan dhe italianët që këtë vit mbushën plazhet shqiptare u kthyen në vendlindje, por shumë prej tyre kanë mbetur në Shqipëri. Një nga gazetat më të mëdha në Itali, “Corriere della Sera” është rikthyer në Durrës për t’i kushtuar një reportazh italianëve të moshës së tretë që kanë vendosur të jetojnë në vendin tonë. Gazeta thotë se është rritur ndjeshëm numri i të moshuarve italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë.
Dhe sipas saj nuk bëhet fjalë për persona të shtresave të varfra, por njerëz që në të kaluarën kanë qenë sipërmarrës, tregtarë, komandantë të Alitalia, menaxherë bankash apo dhe drejtues kompanish. Kanë pensione të larta, por në Shqipëri mund ta shijojnë për shkak të çmimeve më të ulëta të jetesës për ta dhe mungesës së taksave.
“Në Shqipëria nuk ka taksë për pensionistët, nuk paguhet për apartamentin, shpenzimet e bashkëpronësisë 100 euro në vit, 90 euro në muaj për energjinë, ujin internetin dhe minimumi 300 euro qiraja janë mëse të përballueshme për ta”.
Corriere sjell rrëfimet e disa prej italianëve që jetojnë në zonën e Plazhit në Durrës dhe sipas tyre, ajo që më shumë i ka bindur të zhvendosen në Shqipëri është siguria dhe numri i ulët i krimeve të vogla si grabitjet në rrugë apo vjedhjet e banesave.
Një tjetër arsye sipas tyre është disponibiliteti i sistemit shëndetësor, pa pritje të gjata dhe me kosto të arsyeshme për ta si dhe ushqimi. Gazeta thotë se nëse një vit më parë numëroheshin vetëm 1700 italianë që jetonin në Shqipëri tashmë ky numër ka kaluar mbi 4 mijë. Më të preferuara janë Durrësi dhe Vlora ku shumë kanë blerë apartamente./Tv Klan
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.