Ish Prefekti i Korçes: “Përtej protestës dhe heshtjes, sfida është modernizimi i Shqipërisë

 Nga Nertil Jole

Kur optimizmi dhe shpresa për të ardhmen zgjoi vetëdijen e shoqërisë, shqiptarët protestuan duke shembur regjimin totalitar.

Ajo energji e madhe sociale fatkeqësisht shumë shpejt u shpërbë, sepse hija e të shkuarës qeverisi vendin, duke yshtur vetëm pak vite më pas një konflikt dramatik social me pasoja lënguese të stërzgjatura. 

Dielli i Shqipërisë ka filluar të lindë andej nga perëndon, ndaj media ndërkombëtare si BBC, CNN, New York Times etj, pasqyrojnë kronika dhe editoriale të një realiteti të ri. Fakti që vendi është në vëmendjen e opinionit mediatik nga më të rëndësishmit, është efektivisht tregues i faktorizimit të tij.

Patriotizmi në jetën e përditshme, nga secili prej nesh, ka mundësi të përshfaqet në shumë forma.

Nga mënyra si i qasemi njëri tjetrit në radhë të parë, deri te mënyra si respektojmë punën dhe detyrën, shtetin dhe përfaqesuesit, të cilët i kemi zgjedhur vetë. Heshtja e jo-protestuesve ka dy pjesë të kësaj kategorie. Në rastin konkret, ata që përqafojnë kërkesat apo synimet e pretenduara pa qenë të pranishëm në protestë. Dhe pjesa tjetër, në arsyetimin, vizionin dhe interesat e veta, duke mos qenë dakord.

Është e rëndësishme që të gjitha këto kategori, të respektojnë qasjen e njëra tjetrës. Intimidimi me motive patriotike të njërit grupim për një grupim tjetër, po merr një trajtë të panevojshme.

Vendosja në sfond të kërkesave të shprehura të këngëve ose shfaqejeve me kontekst patriotik të fillim shekullit të kaluar, është një dalje nga konteksti dhe aspak proporcionale me realitetin.

Shqipëria është prej shumë kohësh tashmë jashtë diskutimit për rrezikun e cënimit të integritetit territorial dhe është duke forcuar si asnjëherë më parë, në konceptin modern të fjalës, identitetin e vet kombëtar.

Duke thënë këtë, asnjëherë nuk duhet hequr nga vëmendja interesat jo miqësore, jo dashamirëse, konkurruese, me karakter socio-ekonomik dhe madje deri etnik, por mënyra e zgjidhjes së kontradiktave të këtij karakteri, nuk është vetëm manifestimi i simboleve kombëtare. Kam parasysh flamurin, shqiponjën me duar, këngët patriotike dhe përdorimin e emocioneve atdhetare. 

E kundërta është ajo që këtë ballafaqim e përshtat me modernitetin e kohës. Pra, është përafrimi i interesave, qofshin edhe politike, në përpjekje të përbashkëta për forcim ekonomik, për ngritje të nivelit konkurrues brenda dhe jashtë vendit, dhe të një investimi jo vetëm shpirtëror nga gjithsecili prej nesh për përparimin e pakthyeshëm të vendit.

Në kohën që jetojmë, komunikimi në rrjetet sociale është bërë i zakonshëm dhe i nevojshëm, prandaj nuk duhet të lejojmë që përdorimi i tyre t’iu shërbejë ndasive në mesin tonë. Mund t’i shërbejë padyshim këmbimit të opinioneve, përvojave, ideve dhe rrahjes së mendimeve, por jo të jetë arenë virtuale e fyerjeve apo linçimeve të pashëndetshme.

Qasja ultimative ndaj problematikave që ka jeta jonë, vetëm sa cënon rregullat demokratike. Në sistemin shoqëror që bashkë prej 35 vitesh kemi zgjedhur, vullneti i gjithsecilit e përjashton ultimatumin dhe ne kemi marrë përsipër të gjithë së bashku që të korrigjojme gabimet e së kaluarës, që kanë tentuar ta tjetërsojnë pikërisht këtë vullnet.

Demokracitë e konsoliduara janë të tilla, pikë së pari, pikërisht sepse kanë gjetur mekanizma dhe instrumente, që gjithnjë e më shumë kanë përjashtuar tendencat për deformime.

Shqipëria është e re, rritet mes vështirësish të trashëguara dhe nga ato që eventualisht krijohen nga vetë ne, nga qeverisja, nga opozita, nga media, nga politikat dhe detyra e vetme që i mbetet kësaj shoqërie, është që Shqipërinë ta bëjë gjithnjë e më moderne.

Së pari në mendësi. Në hapësira bashkëpunimi me vizion e në kontribute sa më të shtrira e produktive në çdo fushë të jetës.
titull