Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë është përfshirë nga tensione të forta dhe përplasje mes komisionerëve dhe anëtarësisë. Situata e rënduar ka detyruar ndërprerjen e menjëhershme të procesit, duke e lënë degën lokale në një udhëkryq.
Shkak i tensioneve janë bërë listat zgjedhore. Shumë anëtarë dhe simpatizantë të PD-së kanë hasur vështirësi pasi nuk kanë gjetur emrat e tyre në listat e votimit. Ndërkohë ka edhe pretendime që listat e votuesve janë grisur.
Pas përplasjeve verbale dhe debateve të forta, dy përfaqësuesit e PD-së kanë marrë dy kutitë e votimit dhe janë larguar nga selia lokale, duke pezulluar zyrtarisht procesin.
Më të zëshmit kanë qenë anëtarët e njësisë administrative Drenovë, të cilët janë shprehur të indinjuar për mospërfshirjen e tyre në proces.
Disa prej tyre, të cilët pretendojnë se kanë mbajtur funksione drejtuese si kryetarë seksionesh, e kanë quajtur skandaloze faktin që nuk u lejohet të votojnë në shtëpinë e tyre politike.
Përveç mungesës së emrave në lista, shkak për konfliktin janë bërë edhe kërkesat e komisionerëve për karta anëtarësie dhe mjete identifikimi, të cilat shumë prej simpatizantëve të mbledhur nuk i dispononin në momentin e votimit. Aktualisht, nuk ka një njoftim zyrtar nëse votimi do të rifillojë apo nëse do të ketë një datë të dytë për këtë proces.
Për kreun e degës së PD në Korçë garojnë 2 kandidatë, Irvin Bode dhe Harito Zoto.
