Një ngjarje e rëndë është denoncuar në Korçë, ku kirurgu 72-vjeçar Nikoll Nunka është arrestuar nga Policia pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare. Sipas dëshmisë së babait të vajzës, familja kishte ardhur nga Gjermania për pushime, kur e reja nisi të shfaqte probleme shëndetësore me dhimbje barku dhe të vjella.
Pas kontrolleve në spital, mjekët vendosën që ajo të operohej urgjentisht për apandesit.
Babai i 21-vjeçares tregon se pas operacionit, mjeku i kishte bindur familjarët se vajza kishte një infeksion dhe kishte nevojë për trajtim me krem në pjesët intime.
“Nuk na shkonte mendja për keq, sepse ishte në moshë të madhe dhe thamë ‘doktor është’”, shprehet ai.
Sipas dëshmisë, gjatë trajtimit mjeku kërkonte që mamaja e vajzës të kthehej nga ana tjetër, ndërsa ai qëndronte vetëm me pacienten. Fillimisht e reja heshti për të shmangur konfliktin me familjen, por më pas vendosi t’u tregonte prindërve për prekjet dhe sjelljet që i konsideronte të papërshtatshme.
Sapo mësoi për situatën, babai njoftoi Policinë dhe ndaloi mjekun në momentin që po largohej nga spitali.
“I thashë: ‘Je për t’u arrestuar’. Nuk e fal. E pashë si doktor të vjetër, por paskësh qenë një kriminel i fshehur në spital”, deklaroi ai për mediat.
Policia arrestoi kirurgun Nikoll Nunka, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen në pyetje të palëve të përfshira.