Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë protestuan këtë të premte përpara Bashkisë, duke ngritur shqetësimin për vendimin e ri që i detyron të ndryshojnë tendat e dyqaneve sipas një projekti të unifikuar.
Ata shprehen se janë njoftuar nga Policia Bashkiake se duhet të heqin tendat ekzistuese dhe të vendosin të reja, të kuqe dhe sipas modelit të përcaktuar nga Bashkia, ndërsa afati i fundit është data 19 maj.
Sipas tyre, Bashkia duhet ose të financojë vetë projektin e tendave, ose të gjejë një zgjidhje më të përballueshme për bizneset e vogla që po përballen me ulje të shitjeve dhe rritje të shpenzimeve.
Jam tregtar prej 20 vitesh. Nëse bashkia do t’i paguajë me fondet e veta jemi dakord. Na kanë lënë afat deri në 19 maj. Çdo muaj merren vendime të reja”, shtoi një tregtar.
“Ne nuk kemi lekë për t’i vendosur këto tenda. Mezi po nxjerrim bukën e gojës. Bashkia nëse ka të ardhura le ti bëjë vetë. Na thonë që do na vendosin gjoba”, tha një tjetër.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji për tregtarët e tregut maqedonas, të cilët kërkojnë takim dhe sqarime nga drejtuesit e Bashkisë së Korçës për vendimet e marra.