Nga Mitropoliti i Korçes Anastas :
Sot të gjithë të përshkruajnë si një biznesmen të ri, si një djalë punëtor, si një qytetar model dhe me të drejtë, sepse ti i kishe të gjitha këto cilësi. Por shumë pak e dinë se ti ishe dhe një mirëbërës i madh. I madh, sepse madhështia nuk qëndron te vlera që ofron, por te mënyra se si e ofron dhe te dashuria me të cilën jep.
Për vite me radhë u kujdese që askush të mos mbetej i uritur, duke qenë një bashkëpunëtor dhe kontribues i vyer i mensës së Kishës sonë.
U kujdese gjithashtu që askush të mos mësonte se ishe ti ai që dhuroje. U kujdese të jepje me dashuri, por ne heshtje me shqetësim për këdo që kishte nevojë, duke ofruar çdo ditë nga fryti i punës tënde, i bindur se shpërblimin do ta prisje nga Ai që sheh në fshehtësi.
Dhe sot që ti ike, shumëkush mund të ketë shumë “pse”, por ti jo. Sepse ti e dije se jeta nuk matet me sa vite jetojmë, por me sa jemi gati kur ato marrin fund. Dhe ti ishe gati; gati për të hyrë në gëzimin e Zotit tënd. Ndaj nuk u shqetësove për vitet që mbetën pa u jetuar, as për gëzimet e rreme të kësaj jete, por u ngjite sot me Zotin, në ditën e Ngjitjes së Tij në qiell, dyzet ditë pas Pashkës.
Le pas dhimbje, por le një shembull.
I paharruar qoftë kujtimi yt.
Ne lutemi për shpirtin tënd, e ti lutu te Zoti për ne.
