Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, bëri një rrëfim special, pas finalizimit me sukses të objektivit të rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. I ftuar në “Top Cast”, numri 1 i korçarëve, foli “pa doreza”, teksa e cilësoi këtë edicion, si më i vështiri edhe se titujt në Superiore.
Ndër të tjera Takaj, u ndal edhe te ligji për sportin si dhe shumë çështje të tjera interesante.
“Ngjitja në Superiore ishte shumë e vështirë, sepse janë shumë faktorë. Kur ke ekip cilësor edhe fushat dhe terrenet nuk janë në nivelin e duhur. Duhet shumë sforco, ka vështirësi shumë të mëdha rrugës. Mund të kesh skuadër shumë të mirë, mund të luash shumë mirë, por një skuadër e mirë do dhe terrene të mira, por fus edhe vështirësi të tjera. Nga jashtë duket si një rikthim i lehtë i Skënderbeut dhe Laçit, por është shumë e vështirë. Mund ta krahasoj me titujt kampion që kemi marrë në Superiore.
Kemi pasur tituj kampion që i kemi marrë shumë më lehtë.
Ky ka qenë vit shumë i vështirë. Kemi fituar gjatë gjithë kohës edhe rrinim në vend, sepse edhe rivalët kanë fituar. Terrenet problem shumë i madh. Një ekip që vjen nga Superiore, e ka të vështirë pjesën e ambientimit në këto terrene. Luhet avash me shumë ndërprerja. Ishte gabimi jonë që ramë poshtë dhe këtë duhet ta shlyenim të ringriheshim.
Unë nuk kam emocion të madh.
Nuk do bëj festë të madhe, e quajmë si detyrim. Jo vetëm unë, por edhe skuadra, qyteti, nuk është shumë entuziast. I duket gjë normale fare, po të ishte ndonjë qytet tjetër do bënte festë shumë të madhe që u ngjitën në Superiore. Kurse tifozët e Skënderbeut e shikojnë si një detyrim që duhet të rikthehet dhe ambienti është shumë i ftohtë. Që në fillim të kampionatit tifozeria korçare nuk e diskutonte ngjitjen. Janë ushqyer prej vitesh me rezultate pozitive, edhe në Europë. Kjo pjesë iu duket si e errët. Një pjese iu duket shumë e lehtë ringritja.
Kjo skuadër që ra kjo duhet ta vuante Kategorinë e Parë dhe të arrinte sot.
Dënimi ka ndikuar. Kemi pasur nja dy tituj që kemi fituar që nuk kemi marrë pjesë në Europë. Janë humbje financiare të mëdha. Ata që arrijnë të kalojnë një tur në Europë, plotësojnë vetëm buxhetet, mbulojnë 80 % të shpenzimeve vjetore.
Financat i kemi menaxhuar mirë, duke rritur lojtarë të rinj, shitjet e lojtarëve kanë qenë i vetmi burim i të ardhurave. Sepse e dimë nga tifozeria dhe stadiumi nuk kemi të ardhura ne si Korçë në këtë nivel, në Superiore ndryshon. Në Kategorinë e Parë ndjekja në stadium është minimale.
Skënderbeu është klub serioz i ka objektivat e qarta për të ecur përpara. Ne i përjashtojmë muhabetet e kafeve. E kemi bërë kampionatin shumë të ndershëm, krahasuar me të tjerët, nga ndeshja e parë te e fundit, ka fituar vetëm zotësia e këmbëve të lojtarëve.
Kjo është strategjia jonë sepse kështu shijon më shumë.
Nuk të duhen as aleancat as gjë, futbolli është për qytetin, për klubin për të gjithë. Duhet të ecësh me këmbët e tua, më këmbët e tjetrit nuk mund të arrish asgjë kundi. Është rrugë mashtruese që të çon deri diku, në fund fare dalin në Superiore, ata që nuk njohin as aleanca dhe njohin vetëm rrugën e ndershme, nga fillimi i kampionatit deri në fund. Rrugët e tjera janë mashtrime të momentit. Nuk është rrugë e duhur që të ndihmon në futboll të ecësh përpara.
E rëndësishme në Shqipëri është të kalojë ligji i sportit. Është frymëmarrje për të gjithë sportet. Është shumë i domosdoshëm. Po të bëjmë një krahasim, bllokohet kanali i Hormuzit dhe futet në krizë gjithë bota. Futbolli ka 36 vite që e ka bllokuar kanalin e Hormuzit. Presidentët këtu janë aventurierë, siç janë e vetë, nuk përbëj përjashtim. Kanë lënë lekët e familjes, gjithë bizneset i kanë humbur me futbollin. Disa janë katandisur shumë keq. Humbjet me futbollin shqiptar janë shumë të mëdha”, deklaroi Takaj. /PANORAMASPORT.AL