Skënderbeu siguroi matematikisht rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, pas triumfit 4 me 0 të arritur ndaj Kastriotit në shtëpi. Në lidhje me këtë sukses të arritur, ka folur trajneri i skuadrës korçare, Ernest Gjoka, që nëpërmjet një bisede live për emisionin “Ora Sport”, ka deklaruar:
“Skënderbeu e meritonte rikthimin në Superiore.
U bënë disa vite që nuk kanë qenë aty ku duhet për shkak të disa situatave, sot Skënderbeu është në Superiore, dhe unë mendoj që në ditët në vazhdim, Skënderbeu do të jetë një klub elitar, ashtu siç ka qenë për shumë vite.
Iu bashkova Skënderbeut në një moment të vështirë. Me besim të madh, bashkë me presidentin, e menduam që mund t’ia dilnim, situatën e vjetshme, nuk ia arritëm dot. Ky vit ishte një vit i vështirë, mendoj se Skënderbeu me meritë është këtu ku është sot.
Është ende herët, kemi bërë vetëm atë që kemi marrë përsipër, për ta sjellë në Superiore, janë edhe dy ndeshje, duke luftuar në këto 2 ndeshje, meritojmë të jemi në vend të parë.
Kemi 9 muaj që jemi në vend të parë në këtë kampionat kaq të vështirë, Kategoria e Parë është një kampionat shumë i vështirë, shumë i stresuar, shumë i stresuar dhe është shumë herët për të folur për gjërat e tjera.
Ka një handikap shumë të madh në futbollin shqiptar. Ka 10 vjet që Skënderbeu është dënuar dhe mbas Skënderbeut, në këto 10 vjet, asnjë skuadër e Superiores, nuk ka arritur të shkojë në një kompeticion Europian. Këtë histori, Skënderbeu i ri, me mentalitet ndryshe, mund ta ribëjë. Nuk është rastësi që dy herë në Ligën e Europës, ka qenë një klub si Skënderbeu. Për 10 vjet askush nuk arriti dot të bënte atë që bëri Skënderbeu. Ndoshta Skënderbeu e di rrugën më mirë se të tjerët.
Më vjen keq që nuk mund t’iu jap diçka për të ardhmen. Në këtë moment po shijojmë këtë sukses që arritëm me shumë dinjitet dhe me shumë luftë. Skënderbeu ka bërë një kampionat duke luftuar në çdo ndeshje, në çdo fushë, me problematika, me shumë sakrificë. Për të ardhmen është herët të flasim, sepse ka shumë kohë. Kemi dhe dy ndeshje të tjera, që unë mendoj që janë ndeshje dinjitoze.
Unë sot jam shumë i lumtur, më shumë i lumtur për Skënderbeun, sesa për problemin vetijak.
Unë mora një përgjegjësi shumë të madhe, duke parë dështimin që bëmë vjet, edhe pse unë mendoj që nga janari deri në prill, morëm pikë maksimale, por nuk arritëm dot të mbijetonim në Superiore për shumë arsye. Kishim shumë pak pikë kur unë e mora Skënderbeun. Kategoria e Parë është një kategori ndryshe. Sot jam i lumtur, për Skënderbeun që ka arritur një objektiv. Për nesër askush nuk e di se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Gjoka.