Aksident i 3-fishtë në aksin Korçë-Bilisht, plagoset efektivi i policise…

Aksident në aksin Korçë – Bilisht, në afërsi të fshatit Kuç. Fillimisht janë përplasur dy mjete ndërsa kanë goditur edhe një mjet tjetër më pas. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur një efektiv i policisë rrugore, i cili dyshohet se ka qenë në shërbim në momentin e aksidentit. Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Korçë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga aksidenti raportohen edhe dëme të shumta materiale.

Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave.

Bardhi i përgjigjet Ramës: “Mjaft gënjeve! Negociatat me BE po vonohen për shkak se ti mbron Belindën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi si të pavërteta pretendimet për bllokim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në reagimin e tij, Bardhi akuzon Ramën se po pengon procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e lidhur këtë me qëndrimet e tij ndaj SPAK dhe mbështetjen për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, negociatat për anëtarësim janë vonuar dhe vendit i janë shtuar kushte shtesë për shkak të mungesës së besimit nga vendet anëtare në sundimin e ligjit. Ai thekson se çështje të tilla si ajo e Ballukut dhe pretendimet për parregullsi në AKSHI kanë ngritur shqetësime serioze në nivel evropian.

Bardhi pretendon se disa shtete anëtare kanë kërkuar informacion shtesë dhe kanë paraqitur pyetje për këto çështje, ndërsa përgjigjet e deritanishme nuk kanë qenë bindëse për të avancuar më tej procesin. Sipas tij, kjo situatë ka sjellë vonesa konkrete në negociata dhe rrezikon shtimin e kushteve në fazat e ardhshme.

Ai gjithashtu kërkon më shumë transparencë nga qeveria lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e integrimit, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e disa vendeve anëtare dhe diskutimet e fundit në forumet evropiane. Deklaratat e Bardhit vijnë në një moment debatesh të forta politike në vend, ndërsa procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën politike.

‘Zemra ime tani është në pranverë’ Maya rrëfen dhimbjen pas ndarjes…

E ftuar këtë mbrëmje në “Goca dhe Gra” ishte këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Maya, e cila ndau një rrëfim të ndjerë për sfidat personale dhe periudhat e vështira që ka kaluar në jetën e saj. Duke iu referuar ndarjes nga bashkëshorti, artistja tregoi se ka përjetuar momente të forta emocionale, të cilat i ka reflektuar edhe në muzikën e saj.

“Disa nga këngët e mia, ia kam kushtuar jetës sime. Për një periudhë kam pasur goxha momente të trishtuara, kam qenë e zhgënjyer dhe e lodhur.

Kam një djalë të vogël, të gjitha momentet e trishta i mbajta për vete. Djali nuk i pa kurrë lotët e mi. Një frazë e këngës sime thotë më bënin shoqëri vetëm lotët e mi (përlotet). Zemra është muskul, duhet kuruar. Me kalimin e kohës, ne kujdesemi për ta kuruar zemrën tonë. Unë e kam kuruar, por ka pasur plot sfida dhe humbje. Tani zemra ime është në pranverë”.

E pyetur për statusin e marrëdhënies, Maya sqaroi se procesi i ndarjes ende nuk është përmbyllur ligjërisht. “Nuk jemi bashkë, zyrtarisht akoma të pandarë me gjyq. Ai është baba i djalit tim. Është dikushi në jetën time”, u shpreh ajo.

Sa i përket mundësisë së një ribashkimi, këngëtarja u tregua e rezervuar: “Ai është i pakuptueshëm. Është një natyrë e vështirë. Nuk mund të flas sepse është një person që ka personalitete të ndryshme, të jetë mirë për djalin tim, u bëftë mbret për djalin tim. Kaq. Për djalin më ndihmon jashtëzakonisht shumë (qesh), sepse nuk është fare aty”.

Në fund, ajo foli edhe për rolin e saj si prind i vetëm: “(Këndon) E hedh vallen si të dua, herë si burrë e herë si grua”.

Korça, Berati e Gjirokastra më të preferuarat e turistëve për Pashkë

Korça është kthyer në qendrën kryesore të festimeve të Pashkëve, duke tërhequr mijëra vizitorë. Berati gjithashtu ka përjetuar një atmosferë të bukur, ku besimtarët kanë kaluar një muaj kreshmë dhe tashmë presin meshën e Ngjalljes së Krishtit.

Ata tregojnë për Report Tv ritualet tradicionale, që nga shërbesat fetare, deri te ngjyrosja e vezëve të kuqe të Pashkës.

“Kjo javë ka qenë një javë shumë e madhe dhe shumë e bukur ritualesh. Kemi mbajtur kreshmën gjithë javën, pa mish e bulmet. Sot në mesnatë ngjallet Jezu Krishti dhe themi ‘Krishti u ngjall’. Është një festë që sjell shpresë, dashuri dhe paqe për të gjithë ne”, shprehet një besimtar.

Traditat i kanë ruajtur mes vështirësive edhe në komunizëm.

“Në Goricë e kemi festuar gjithmonë këtë festë, edhe kur ishte e ndaluar. Vezët e kuqe janë simboli ynë kryesor. Edhe kur s’kishim bojë, i ngjyrosnim me çfarë të gjenim dhe i ndanim me njëri-tjetrin. Është një gëzim i madh”, thotë një tjetër.

Ndërkohë, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, përpos vendasve kanë mbërritur edhe shumë turistë të huaj.

“Jam nga Kalifornia, SHBA. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe jam shumë i impresionuar nga njerëzit. Janë shumë të sjellshëm dhe mikpritës. Vendi është i bukur dhe shumë interesant për t’u vizituar.”

“Jam nga Mbretëria e Bashkuar. Po bëjmë një tur dhe deri tani gjithçka ka qenë fantastike. Sot është Pashkë dhe është një përvojë shumë e bukur të jesh këtu në Gjirokastër”, shprehen turistë.

Mesnatën e së shtunës mbahet mesha e Ngjalljes së Krishtit në të gjitha kishat ortodokse të vendit./ Report Tv

‘Hiqeni mallin jashtë’/ Sotiraqi i Korçes ‘godet’ edhe tregun Maqedonas(Video)

Në Korçë, Policia Bashkiake e drejtuar nga KryeBashkiaku Sotiraq Filo ka ndërmarrë një aksion në zonën e njohur si “tregu maqedonas”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset. Janë rreth 50 tregtarë që operojnë në këtë zonë dhe kanë ekspozuar mallrat, kryesisht veshje, në manekinet dhe stendat e vendosura jashtë ambienteve të dyqaneve.

Tregtarët shprehen se aksioni ka nisur pa njoftim paraprak, duke i vendosur përballë një situate të vështirë për të riorganizuar mallrat…

I bie ti mbyllim qepenat e te largohemi, Korça eshte bosh , 2 veta nuk te vine ,jane rruge dytesore ….na thane keni 200 mije gjobe…shprehen disa prej tyre te revoltuar…

Kujtojme qe mbi 500 biznese në Bashkinë e Korçës, qytet dhe fshatrat, rezultojnë të mbyllur në dy vitet e fundit. Edhe pse një nga qytetet më të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj per Pashket dhe Krishtlindjet bizneset duket se nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Rama: Njerëzit e ligj përdorin shqiptarët si mish për top, por nuk e dinë se ata të japin ujë në bisht të lugës

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët e Lushnjës, kryeministri Edi Rama foli për negociatat me Bashkimin Europian, duke mohuar në mënyrë kategorike se ato janë bllokuar.

“Nuk është bllokuar asgjë, e keni dëgjuar ambasadorin?

Një pjesë e tyre që i thonë këto, i dinë si janë, por janë të ligj, i përbuzin shqiptarët, mendojnë se u ka mbetur ora te “toka e nxanun” dhe “merrni armët”.

Nuk e dinë që shqiptarët janë shumë më përpara sesa gazetarët dhe politikanët dhe nuk e dinë që japin ujë në bisht të lugës. I marrin për budallenj, i trajtojnë për mish për top dhe thonë se u bllokuan; nuk u bllokua gjë, sepse janë negociata dhe ato janë bisedime. Ajo që dua të them është që kjo gjë do të ndodhë shpesh”, tha Rama.

Balluku: “Punët e mira për Shqipërinë shpesh herë mbulohen nga balta…

Drejtuesja politike në qarkun Fier, Belinda Balluku, tha se Partia Socialiste ka hapur dyert për të rinjtë dhe se është një rast i mirë për të energjizuar partinë. Balluku shtoi më tej se punët e mira të realizuara shpesh herë harrohen dhe mbulohen nga balta, por shtoi se gjithmonë ka vend për përmirësim.

“Gjithçka ka ardhur në sajë të një disipline dhe duarve të hapura të partisë sonë.

Partia vendosi të hapte dyert për prurje të reja, që të gjithë kanë të drejtë të ndërrojnë mendim dhe të votojnë PS në bazë të rezultateve dhe punës në 13 vite. Ky është një rast i mirë për të energjizuar partinë.

Punët e Shqipërisë shpesh herë mbulohen nga balta, harrohet se çfarë ka ndodhur në këto 12 vite dhe ka vend gjithmonë për përmirësim. Gjithçka që kemi bërë janë progresë që janë të shprehura me shifra të pakontestueshme dhe është e rëndësishme t’i bisedojmë së bashku dhe ju t’i ktheni në bazë.

Pashka ortodokse/ Kryepeshkopi Joan:”Të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja!

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, ka përcjellë mesazhin e Pashkës për besimtarët ortodoksë, duke bërë thirrje për paqe shpirtërore, reflektim dhe kthim te Zoti në një botë që, sipas tij, po përballet me trazira të thella. Në mesazhin e tij Kryepeshkopi u bën thirrje besimtarëve që të bëhen “paqebërës” në jetën e përditshme, duke theksuar se paqja e vërtetë fillon nga zemra e njeriut.

Mesazhi i Kryepeshkopit Joan

Mesazhi i Pashkës 2026

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

PAQJA E KRISHTIT TË NGJALLUR NË NJË BOTË TË TRAZUAR!

Le të ndalemi në fjalët e para që tha Krishti i Ngjallur kur u shfaq para nxënësve të Tij. Ai nuk u tha atyre “fitore”, as “lavdi” dhe as “pushtet”, por u tha: “Paqe në ju” (Jn. 20:19). Hyri në dhomën ku ata ishin mbyllur nga frika dhe u dhuroi atë që bota nuk mund ta japë kurrë: paqen që nuk varet nga kushtet, nga ekuilibrat gjeopolitikë, nga marrëveshjet njerëzore, por paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (Fil. 4:7), një paqe e thellë shpirtërore, e cila vjen fillimisht nga pajtimi i njeriut me Zotin dhe pastaj shtrihet me të gjithë njerëzit.

Sot bota është e trazuar.

Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”. Ky nuk është thjesht një urim mirësjelljeje shoqërore, por është njw realitet ontologjik. Vdekja u mund. Dhe, nëse u mund vdekja, atëherë çfarë mund të na trazojë më? Paqja e Krishtit nuk është mungesa e problemeve; është prania e Perëndisë brenda problemeve. Mbi Kryqin e Golgothasë, Krishti u përball me të gjitha pasionet e njerëzimit. Lakmia e parave e tradhtoi nëpërmjet Judës.

Smira e dorëzoi te Pilati. Pushteti i trembur dhe i korruptuar e dënoi. Krenaria e talli.

Urrejtja e gozhdoi në Kryq. Të gjitha pasionet shpërthyen mbi Të me tërbim, sikur bota të donte ta vriste vetë Perëndinë.

E megjithatë, në Kryq, pikërisht atje ku ligësia mendoi se triumfoi, Krishti nuk kërkoi hakmarrje. Ai thirri: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Llk. 23:34). Me këto fjalë nuk mundi thjesht vdekjen. Mundi rrethin vicioz të ligësisë. Mundi logjikën e hakmarrjes që ushqen çdo luftë, çdo urrejtje, çdo përplasje të errët në histori. Ngjallja dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja; se falja e shkatërron të keqen, ndërsa hakmarrja e shumëfishon atë. Krishti i Ngjallur nuk erdhi të ndëshkojë kryqëzuesit e Tij.

Erdhi t’i shpëtojë e t’i paqtojë. Dhe kjo është fitorja më e madhe në histori.

II

Në kohën që po jetojmë po përballemi me një formë të re vdekjeje: mpirjen e indiferencës; ngurtësimin e zemrës; tharjen shpirtërore të një shoqërie që e harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë Atë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. “Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën – na thotë Krishti – nëse humb shpirtin e tij?” (Mt. 16:26). Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror, dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, më i vetmuar, i paplotësuar, më i shqetësuar se kurrë.

Ndërsa Ngjallja na zbulon një të vërtetë të madhe:

kush ka Krishtin në zemrën e tij, nuk i mungon asgjë. Dhe jo vetëm shpirtërisht. Zoti që u kujdes të ushqejë pesë mijë vetë me pesë bukë, Zoti që e shndërroi ujin në verë, Zoti që tha “kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mt. 6:33), ky Zot nuk i lë fëmijët e Tij pa gjërat e nevojshme. Ai kujdeset edhe për trupin, edhe për shpirtin; jep edhe bukë, edhe paqe. Plotësia nuk gjendet në grumbullimin e pasurive, por në lidhjen me Krijuesin.

Vetëm tek ai ne mund të gjejmë paqe, sepse vetëm ai është paqja jonë (Efes. 2:14).

Ne e dimë çfarë do të thotë Ngjallje. Jo vetëm teorikisht, por nga përvoja e jetuar. Kisha jonë Orthodhokse kaloi Golgothanë e saj. Për dekada me radhë u përpoqën të asgjësonin çdo gjurmë besimi. Kishat u shkatërruan, klerikë u martirizuan, fjala “Perëndi” u ndalua. Kisha dukej e vdekur, e varrosur në një varr të vulosur. E megjithatë, ajo u ngjall. Guri u rrokullis. Besimi lulëzoi përsëri nga rrënojat. Kishat u rindërtuan. Komunitetet u rikrijuan. Kjo nuk ishte arritje njerëzore, ishte fuqia e Krishtit të Ngjallur që vepron brenda historisë.

III

Kisha bën thirrje përsëri për Ngjallje – këtë herë për Ngjalljen e çdo shpirti. Krishti i Ngjallur qëndron sot përpara nesh, siç qëndroi përpara Thomait, dhe na tregon plagët e Tij. Nuk i fsheh. Nuk i heq. I mban përgjithmonë mbi vete, si dëshmi e përjetshme dashurie. Këto plagë thonë: “Kaq shumë të desha, saqë pranova dhimbjen më të rëndë për ty”. Çdo person, çdo shpirt, është aq unik, aq i papërsëritshëm, saqë Perëndia do të vinte edhe sikur të ishte vetëm për një njeri.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij. Dita e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht – shkruan shën Joan Gojarti – është themeli i paqes. Sepse nga Ngjallja e Krishtit vjen Paqja e Perëndisë.

Ngjallja dhe Paqja e Perëndisë nuk është një dogmë abstrakte, por një thirrje personale.

Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: “Paqe në ju” me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj – thotë shën Serafimi i Sarovit – dhe mijëra njerëz rreth jush do të shpëtohen. Sepse nuk ka paqe aty ku është e keqja, por vetëm aty ku është i pranishëm Perëndia.

Le ta gjejmë këtë paqe të Perëndisë në zemrat tona dhe pastaj ta përhapim atë kudo, sëbashku me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall dhe i dhuroi botës jetën dhe paqen e përjetshme.

Me dashuri në Zotin e Ngjallur,

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Skënderbeu marshim drejt superliges ,fiton mes tensionit dhe ruan kreun….

Ndeshjet e javës së 30 të Kategorisë së Parë kanë vazhduar të njëjtin trend, me fitoret e tre skuadrave të para në renditje. Siç është bërë e zakonshme, Skënderbeu ka fituar me vuajtje me një rezultat të ngushtë ndaj vendasve në Burrel, ku shpërtheu kaosi pas golit të Beshirajt pasi pretendohej se loja kishte rifilluar pa u kryer një zëvendësim.

Për të qetësuar gjakrat e rifilluar lojën u desh edhe ndërhyrja e policisë.

Laçi ka triumfuar 2-1 në transfertë me Kastriotin dhe ka mbajtur hapin e kryesuesve, ashtu si edhe Pogradeci. Liqenorët kanë vazhduar “avazin” e goleadave, me një sukses të thjeshtë 5-1 ndaj Kukësit në ndeshjen që dukej më shumë si stërvitje mes tyre.

Pas javës së 30-të, Skënderbeu kryeson në Kategorinë e Parë me 73 pikë, 70 Laçi dhe dhe 67 të tilla Pogradeci. Deri në mbyllje të sezonit kanë mbetur edhe 3 javë. Vetëm 4 pikë i ndajnë nga sigurimi matematikor i ngjitjes, çka do të thotë se fati është plotësisht në dorën e tyre.

BURRELI 0-1 SKËNDERBEU
72′ Beshiraj

GOLI I BESHIRAJT (VIDEO) (VIDEO)

Rezultatet e javës 30:

Pogradeci – Kukësi 5-1
Kastrioti – Laçi 1-2
Burreli – Skënderbeu 0-1
Iliria – AF Luftëtari 1-2
Besa – Lushnja 0-0
Korabi – Apolonia 0-0