All posts by korcablog.com

KorcaBlog.com

“Dilni nga shkolla”/Të rrinjtë e Themistokliut i bëjnë serenata Raqi Qirinxhiut(Video)

Tensioni dhe atmosfera e protestës kanë përfshirë edhe gjimnazistët e qytetit të Korçës. Nxënës të gjimnazit “Themistokli Gërmenji” janë drejtuar drejt shkollës “Raqi Qirinxhi”, me qëllim marrjen e bashkëmoshatarëve dhe bashkimin e tyre në protestë.

Me thirrje dhe flakadanë, të rinjtë kanë shprehur revoltën e tyre, duke kërkuar që nxënësit të lënë mësimin dhe t’i bashkohen tubimit.

Lëvizja e gjimnazistëve ka tërhequr vëmendjen në qytet, ndërsa atmosfera është shoqëruar me thirrje proteste dhe mobilizim të të rinjve.

Protesta vjen në një klimë pakënaqësie mes të rinjve, të cilët kërkojnë të shprehin qëndrimet e tyre dhe të bëhen pjesë e reagimit qytetar.

2.500 euro shpërblim për policët, gaz lotsjellës dhe ujë me botë ndaj qytetarëve(Video)

Qytetarët përballen me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa policët shpërblehen me nga 2.500 euro. Kontrast i fortë mes shpërblimeve për uniformat blu dhe mënyrës se si trajtohen protestuesit.

Pamjet e përdorimit të gazit lotsjellës dhe të autobotëve me ujë ndaj qytetarëve kanë rikthyer debatin për mënyrën se si institucionet e rendit menaxhojnë protestat dhe reagimin e tyre ndaj pakënaqësisë qytetare.

Në njërën anë, flitet për shpërblime prej 2.500 eurosh për policët; në anën tjetër, qytetarët që dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre përballen me mjete të forta të ndërhyrjes policore.

Keto jane pamjet nga Rruga e Kavajës te filmuara nga Korcablog.com

Rama:”2500 euro për policët në vijën e parë

Kryeministri Edi Rama ka premtuar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të Policisë së Shtetit të angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Deklaratën e bëri gjatë një takimi me drejtues të policisë.

Ai tha se shuma do të jetë e njëjtë për të gjithë efektivët e përfshirë në këtë angazhim.

Ai e argumentoi mbështetjen financiare me stresin dhe shpenzimet shtesë që, sipas tij, shoqërojnë shërbimin gjatë protestave.

“Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front”, u shpreh Rama, duke e lidhur shpërblimin me përballjen e forcave të rendit me protestuesit.

Në kulmin e protestave, Luana Vjollca del në krah të studentëve: Ja reagimi i saj

Moderatorja Luana Vjollca ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për studentët që prej rreth një jave po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Luana ka dënuar dhunën ndaj të rinjve, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe duke kërkuar që ajo të marrë fund.

Qëndrimi i Luanës vjen në një moment kur reagimet publike në mbështetje të protestuesve janë shtuar, me personazhe të njohur të ekranit dhe të artit që po shprehin qëndrimet e tyre për zhvillimet në vend.

Duke vënë theksin te dhuna ndaj të rinjve, moderatorja i bashkohet zërave që kërkojnë që e drejta për të protestuar të respektohet dhe që situata të mos përshkallëzohet më tej.

Spartak Ngjela ultimatum Ramës: “Dorëheqja është domosdoshmëri historike”

Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela, ka bërë një apel publik mbrëmjen e sotme, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas Ngjelës, largimi i kreut të qeverisë nga detyra është një domosdoshmëri historike, në një moment që ai e përshkruan si shumë të rëndë për Shqipërinë.

Duke komentuar protestën e të rinjve dhe studentëve, juristi e cilëson atë si të fuqishme, ndërsa thekson se rinia ka një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit.

Në reagimin e tij, Ngjela shtron dy pyetje që, sipas tij, përmbledhin situatën aktuale: “Shqipëria apo Rama?” dhe “Dorëheqja e Edi Ramës apo shkatërrimi i Shqipërisë?”.

Ish-ministri shprehet se vendi ndodhet përballë një rreziku kombëtar dhe pretendon se dorëheqja e kryeministrit është e vetmja rrugë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Ngjela shkon edhe më tej në deklaratën e tij, duke vendosur një afat për largimin e Ramës nga detyra. Ai paralajmëron se, nëse kryeministri nuk jep dorëheqjen brenda ditës së sotme, përgjegjësia e tij mund të ngrihet edhe në planin penal, duke iu referuar një çështjeje që, sipas tij, lidhet me SPAK-un.

Deklaratat e Ngjelës përbëjnë një qëndrim të fortë politik dhe juridik ndaj kryeministrit. Megjithatë, pretendimet për përgjegjësi penale dhe çështjet e përmendura në lidhje me SPAK-un kërkojnë verifikim të veçantë dhe nuk përbëjnë, në vetvete, një konstatim të fajësisë.

Reagimi i plotë i Spartak Ngjelës:

“Gjendja është shumë e rëndë sot për Shqipërinë dhe protesta e rinisë studentore është shumë e fortë.

Rinia është rini!

Pyetja thelbësore është kjo:

Shqipëria apo Rama?

Dorëheqja e Edi Ramës apo shkatërrimi i Shqipërisë?

Shqipëria është në rrezik kombëtar dhe drejt shkatërrimit.

Këtë gjendje e shpëton vetëm dorëheqja e kryeministrit Rama.

Prandaj…

Nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen si kryeministër brenda datës së sotme, përgjegjësia e tij do të jetë shumë e madhe në organet gjyqësore, si çështje me akuzë penale, e ngritur kundër tij në SPAK”.

Bledi Mane shpërthen ndaj VIP-ave shqiptarë: Përfituan nga pushteti por tani i qe i shkane kembet i kthyen shpinën

Gazetari Bledi Mane ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ku hedh akuza ndaj disa personazheve të njohur shqiptarë, të cilët, sipas tij, kanë përfituar për vite me radhë nga lidhjet me pushtetin politik.

Gazetari i kritikon këta personazhe edhe për qëndrimin e tyre të fundit ndaj qeverisë, duke e interpretuar distancimin e tyre si braktisje të njerëzve dhe forcave politike nga të cilat, sipas pretendimeve të tij, kanë përfituar ndër vite por tashme ne situaten ata po largohen pasi pushtetit te Rames i shkane kembet…

Më poshtë, reagimi i plotë i Bledi Manes:

13 vjet u paguan nga qeveria për koncerte e për tallava, u vetofruan në fushata elektorale e bërtitën fort për miqtë e tyre deputetë. U palluan ilegalisht kundrejt pagesës me kollovarët kriminelë të politikës në burgun e Reçit e në burgun e Bradasheshit, fituan favore nga ministra e kryebashkiakë, morrën prona e dyqane në mes të kasabasë e buzë bregdetit me 1 euro metri katror u bënë madje edhe investitorë strategjikë.

Nuk paguan kurrë as tatimet e as nuk paguan kurrë energjinë elektrike. Nuk lanë pa futur familjarë në punë në administratën publike dhe përlanë tendera pa fund për kollovarët e tyre…

Ndërkohë erdhi dita dhe e shitën padronin, e shitën partinë dhe sponsorin e tyre. Njësoj si Fahri Balliu që shiti Ramiz Alinë në vitin 1992 edhe këta vipat tanë të njëjtën filozofi mosmirënjohjeje kanë.

Fundja turmat e protestuesve i dinë dyqanet dhe pronat e pamerituara ndaj grabisin pa pikë meraku. Mëkati le tu mbetet vipave tanë që pronat ua dha qeveria ndërsa këngët ua kompozoi Adi Hila!

“Babi më vdiq para dy javësh”/ Fadili, 16 vjeç, u shoqërua në polici pas protestës: Familjes i është hequr ndihma ekonomike

Fadili është vetëm 16 vjeç, por jeta e ka përballur me vështirësi që asnjë adoleshent nuk duhet të përjetojë. Vetëm dy javë pasi humbi të atin, ai po përpiqet të përballojë dhimbjen dhe vështirësitë ekonomike të familjes. Sipas tij, familjes i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike, ndërsa shqetësimet e përditshme e kanë çuar në rrugët e Tiranës, mes protestuesve.

I riu nga Bërxulla u shoqërua në polici pas protestës.

Por historia e tij shkon përtej pranisë në një tubim politik. Pas emrit të Fadilit qëndron një familje që, pas humbjes së kryefamiljarit, përballet me pasigurinë ekonomike dhe vështirësinë për të përballuar nevojat e përditshme.

“Babi s’ka shumë që ka vdekur, nja dy javë”, rrëfen 16-vjeçari, duke shpjeguar se ndërprerja e ndihmës ekonomike është një nga arsyet që e kanë shtyrë të dalë në protestë.

Fadili ndjek shkollën profesionale në Kamëz, ku studion për Teknologji Informacioni. Në kushte të zakonshme, përparësitë e tij do të duhej të ishin mësimet, shokët dhe përgatitja për një profesion që mund t’i hapë rrugë drejt së ardhmes. Por përditshmëria e tij është rënduar nga humbja e të atit dhe shqetësimet për gjendjen ekonomike të familjes.

Edhe udhëtimi drejt shkollës është kthyer në vështirësi. Biçikleta me të cilën shkonte çdo ditë është prishur, duke ia shtuar problemet një adoleshenti që përpiqet të mos ndërpresë arsimimin.

Historia e tij ngre pikëpyetje për mbështetjen që marrin familjet në vështirësi ekonomike, veçanërisht kur përballen me humbjen e një familjari dhe kanë fëmijë në moshë shkollore. Në rastin e Fadilit, ai thotë se ndërprerja e ndihmës ekonomike e ka rënduar edhe më shumë situatën.

Pas protestave, vëmendja shpesh përqendrohet te përplasjet, shoqërimet në polici dhe zhvillimet politike. Por pas çdo historie individuale mund të fshihen rrethana që kërkojnë vëmendje dhe sqarim.

Fadili është 16 vjeç, ndjek shkollën profesionale dhe sapo ka humbur të atin. Sot, përveç dhimbjes, ai duhet të përballet edhe me shqetësimet ekonomike të familjes. Historia e tij rikthen në vëmendje një pyetje thelbësore: çfarë mbështetjeje u ofrohet fëmijëve dhe familjeve që gjenden në situata të tilla?

Përtej asaj që ndodhi pas protestës, rasti i Fadilit kërkon që vështirësitë e familjes së tij të dëgjohen dhe pretendimi për ndërprerjen e ndihmës ekonomike të marrë një përgjigje nga institucionet përgjegjëse.

Baton Haxhiu: “Rama nuk duhet të dorëhiqet, por duhet të shkojë në zgjedhje

Nga Baton Haxhiu 

Në një bisedë private, dikush nga rrethet ndërkombëtare që e njeh mirë Shqipërinë më parashtroi një propozim për daljen nga kriza. Demokracia, më tha, jeton nga ndryshimi. Kur një parti qëndron gjatë në pushtet, mund të përpiqet ta ofrojë atë përmes një partneri të ri në qeverisje, ndërrimit të ministrave ose largimit të udhëheqësit.

Në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi, mundësia e parë thuajse mungon, ndërsa e dyta është konsumuar.

Ministrat janë ndërruar aq shpesh, sa qytetarët mezi arrijnë t’u mësojnë emrat.

Prandaj propozimi ishte që Edi Rama të tërhiqej nga drejtimi i qeverisë, të qëndronte në krye të Partisë Socialiste dhe t’ia linte drejtimin e ekzekutivit një figure tjetër. Një ndryshim që do të ulte tensionin, duke ruajtur vazhdimësinë politike.

Po e sjell këtë mendim pa emër, sepse ishte një shkëmbim personal, jo një qëndrim zyrtar. Por argumenti meriton përgjigje. Ai prek një dobësi reale të pushtetit të gjatë dhe, njëkohësisht, propozon një zgjidhje për të cilën kam rezerva serioze.

E kuptoj diagnozën. Një udhëheqës mund të ketë ndryshuar shumë gjëra në vend dhe, megjithatë, të bëhet simbol i pamundësisë për ndryshim të mëtejshëm. Arritjet e mëparshme nuk e përjashtojnë konsumimin e besimit. Qytetarët mund t’ia njohin një qeverie punët e kryera dhe të mos duan më të qeverisen në të njëjtën mënyrë.

Por në rastin shqiptar, çështja shkon përtej lodhjes me një fytyrë.

Jetëgjatësia e pushtetit, kur shoqërohet me skandale korrupsioni dhe përplasje mes njerëzve që e kanë ushtruar bashkë atë, prodhon një dyshim më të thellë. Qytetari fillon të pyesë nëse problemi qëndron te personi që largohet apo te mënyra si funksionon qeverisja. Përgjegjësia penale duhet provuar për secilin. Ndërsa përgjegjësia politike lidhet edhe me përzgjedhjen, mbikëqyrjen dhe tolerimin.

Këtu ndërrimi i vazhdueshëm i ministrave e humbet fuqinë bindëse. Në fillim mund të duket si korrigjim. Kur përsëritet, krijon përshtypjen se pushteti po ndryshon personelin për të mos ndryshuar veten. Pas çdo largimi vjen një emër i ri, por pyetjet e vjetra mbeten pa përgjigje.

Rama mund të ketë ende emra për qeverinë. Por emrat e rinj nuk janë më, vetvetiu, një ofertë ndryshimi.

Në këto biseda me përfaqësues ndërkombëtarë më është shtruar edhe një pyetje tjetër. Përse disa prej mediave dhe bizneseve që Rama i ka mbështetur kaq shumë, sot janë kthyer kaq fort kundër tij? Pyetja më shtyn të mendoj për natyrën e marrëdhënies që është ndërtuar mes tyre dhe për atë që ndodh kur interesi që i mbante pranë fillon të ndryshojë.

Pra, Si shpjegohet që disa prej mediave dhe bizneseve që eksponentë të qeverisë i kanë mbështetur kaq shumë, sot ia kanë kthyer shpinën me kaq forcë?

Mos vallë kanë marrë aq shumë, sa u vjen marre t’i kërkojnë përsëri?

Njeriu që i ka ndihmuar mund të jetë bërë edhe kujtesa e varësisë së tyre. Atëherë largimi i tij mund t’u duket si mundësia për ta nisur nga e para me dikë tjetër, pa peshën e kërkesave të djeshme. Mbetet pyetja nëse duan të ndryshojë mënyra si ushtrohet pushteti apo vetëm njeriu prej të cilit presin të përfitojnë.

Por kjo pyetje kthehet edhe drejt Ramës.

Ndihma që kanë kërkuar njerëzit e pushtetit nuk krijon detyrim për besnikëri politike dhe aq më pak për heshtje gazetareske. Një pushtet që e ngatërron afërsinë e interesit me bindjen politike, në ditën e krizës mund ta lexojë largimin si tradhti, pa pyetur çfarë e mbante atë marrëdhënie deri dje.

Megjithatë, kthimi kundër qeverisë nuk është vetvetiu dëshmi pavarësie.

Bizneset duhet të tregojnë nëse kërkojnë rregulla të barabarta apo një derë të re për favore.

Mediat duhet ta ruajnë dallimin mes raportimit dhe shndërrimit të dhunës në spektakël. Transmetimi i drejtpërdrejtë është informim, por transmetimi joprofesional i komentuar direkt ne Tv, i paraqitur si fakt dhe përplasja e trajtuar si argëtim e cenojnë atë. Rama, e jo ata që përfituan në qeverisje, nuk mund të kërkojë mirënjohje si detyrim politik.

Publiku ka të drejtë të kërkojë profesionalizëm, ndërsa pushteti duhet të kuptojë se marrëdhëniet me përfituesit nuk e zëvendësojnë besimin e qytetarëve.

Edhe përplasjet brenda socialistëve duhen lexuar në këtë kuadër.

Në leximin tim, konflikti publik me Arben Ahmetajn, me Belinda Ballukun dhe Erjon Velinë është një nga shfaqjet më të dukshme të një problemi më të gjerë. Kur ish-bashkëpunëtorët fillojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, publiku nuk sheh vetëm armiqësinë e tyre të sotme. Rikthehet te bashkëqeverisja e djeshme dhe pyet çfarë dinin për njëri-tjetrin kur ndanin pushtetin.

Akuzat kërkojnë prova, pavarësisht kush i shqipton. Megjithatë, pasoja politike e këtyre përplasjeve lind përpara përfundimit të çdo procesi gjyqësor. Ato e bëjnë më të vështirë shpjegimin se çdo dështim ishte një devijim individual, i panjohur për të gjithë të tjerët.

Prandaj propozimi për një kryeministër tjetër ka një dobësi themelore.

Nëse Rama vazhdon të marrë vendimet nga drejtimi i partisë, ndërsa dikush tjetër mban përgjegjësinë publike si kryeministër, ndryshimi rrezikon të prodhojë edhe më pak qartësi. Qytetarët do të kërkojnë llogari nga një njeri që mund të mos ketë pushtetin e nevojshëm për t’u përgjigjur.

Një pasues ka kuptim vetëm nëse ka autoritet real për të qeverisur. Përndryshe, pas ministrave që ndërrohen pa ndryshuar mënyra e vendimmarrjes, do të kishim edhe një kryeministër të ndërruar me të njëjtën logjikë.

Megjithatë, nga kjo krizë besimi nuk rrjedh se Rama duhet të japë dorëheqjen sepse në rrugë hidhen gurë apo digjen ndërtesa.

Kam më shumë se tridhjetë vjet përvojë me protestën dhe me përballjen me policinë. Kjo përvojë më ka bërë të ndjeshëm ndaj dhunës së shtetit, por edhe ndaj çastit kur një përplasje fillon të jetojë nga vetë përshkallëzimi. Atëherë kërkesat rrezikojnë të humbin pas pamjeve të dhunës dhe një viktimë mund ta bëjë shumë më të vështirë kthimin te politika.

Nuk e shoh këtë si një fund të pashmangshëm. Pikërisht sepse mund të parandalohet, përgjegjësia për të vepruar është sot.

Protesta ka të drejtë të kërkojë largimin e qeverisë. Ajo nuk ka nevojë për lejen e pushtetit që ta shtrojë këtë kërkesë. Por zjarrvënia nuk mund të bëhet instrument për të përcaktuar pasuesin e tij. Biznesi që digjet nuk është një abstraksion politik. Është puna, prona dhe jetesa e njerëzve që nuk mund të mbajnë koston e zemërimit të të tjerëve.

Njëkohësisht, policia nuk mund ta trajtojë gjithë protestën si autorin e dhunës. Shteti duhet të mbrojë institucionet, pronën dhe qytetarin që proteston paqësisht. Çdo abuzim policor e dëmton pikërisht autoritetin që pretendohet se po mbrohet.

Kur them se Rama nuk duhet të dorëhiqet, nuk po them se shteti nuk funksionon pa të. Një shtet që varet nga qëndrimi i një njeriu në detyrë ka një problem shumë më të madh se një krizë qeveritare. Dorëheqja mund të jetë akt legjitim përgjegjësie. Ajo që kundërshtoj është ideja se intensiteti i dhunës duhet të përcaktojë largimin e një qeverie.

Por ky kundërshtim nuk i jep Ramës të drejtën të vazhdojë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Këtu qëndron arsyeja pse mendoj se duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme. Rruga mund të tregojë përmasën dhe intensitetin e pakënaqësisë, por nuk mund të numërojë vullnetin e të gjithë shoqërisë. Po ashtu, një shumicë parlamentare nuk e bën të panevojshme përgjigjen ndaj një krize të thellë besimi.

Vota ua kthen vendimin edhe atyre që nuk dalin në shesh, edhe atyre që protestojnë, edhe atyre që vazhdojnë ta mbështesin qeverinë. Ajo e detyron opozitën ta shndërrojë kundërshtimin në alternativë dhe qeverinë ta mbrojë bilancin e saj përpara qytetarëve.

Dobësia e opozitës është problem i demokracisë shqiptare. Ajo nuk mund të përdoret pafundësisht si arsye që qeveria të mos përballet me konsumimin e vet. Por as zemërimi ndaj qeverisë nuk mund t’ia japë opozitës një mandat që ende nuk e ka fituar.

Natyrisht, zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën vetëm sepse shpallet një datë.

Ato kërkojnë një rrugë kushtetuese, kohë të mjaftueshme për përgatitje dhe garanci të besueshme për konkurrencën. Kërkojnë që burimet e shtetit të mos përdoren si pronë e partisë dhe që rezultati të mund të pranohet si vendim i qytetarëve. Ndryshe, mosbesimi vetëm do të zhvendosej nga rruga te kutia e votimit.

Prandaj titulli nuk përmban dy qëndrime që e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ai mbron të njëjtin parim në dy drejtime. Dhuna nuk duhet t’i japë mandat askujt, ndërsa pushteti duhet të pranojë një rrugë demokratike për ta provuar sërish besimin.

Rama ka ndërruar mjaft njerëz për ta ditur se kriza nuk zgjidhet gjithmonë me një emër tjetër. Tani duhet të tregojë se mund ta udhëheqë daljen prej saj duke pranuar edhe mundësinë e humbjes.

Nuk i kërkohet të largohet për t’ua lënë fitoren atyre që ushtrojnë dhunë. I kërkohet të hapë rrugën që qytetarët të vendosin nëse duhet të qëndrojë./ AlbanianPost

Tirana si në filma aksion/ Përleshje ballë për ballë, tym dhe flakë gjatë protestës(Video)

Tirana është përfshirë nga tensione të forta gjatë protestës, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë sjellë skena kaotike në rrugët e kryeqytetit. Molotovë, gurë, leva hekuri, gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë janë ndër elementet e raportuara të përballjes.

Pamje që ngjajnë me skena filmash aksion janë shfaqur në kryeqytet, ndërsa protestuesit janë përballur drejtpërdrejt me forcat e policisë dhe RENEA-s.

Situata është tensionuar, me përplasje në rrugë dhe dëmtime të pronës publike e private.

Semaforë të dëmtuar, kazanë të djegur dhe institucione në shënjestër

Protestat janë shoqëruar me semaforë të thyer, kazanë plehrash të djegur, shtylla e kangjella të rrëzuara dhe trotuare të dëmtuara. Po ashtu, janë sulmuar dhe jane tentuar te digjen shume institucione dhe kompani private.

Në qendër të vëmendjes janë edhe kompanitë që kritikohen vodafon ,one qe kane krijuar oligopol ne tregun Shqiptar.

Molotovë dhe gaz lotsjellës në përballjen me policinë

Përplasjet janë shoqëruar me përdorimin e mjeteve piroteknike, përfshirë molotovë, si dhe gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë nga ana e forcave të rendit. Sipas përshkrimit të ngjarjeve, janë përdorur gjithashtu gurë dhe leva hekuri gjatë konfrontimeve.

Tirana në flakë, rrugë të tensionuara dhe përballje ballë për ballë: një natë që rikthen në vëmendje krizën e besimit, pakënaqësitë qytetare per me teper ndiqni videot nga Korcablog.com.

Bizneset e Tiranës ulin qepenat, disa mbulohen me të zeza! Vendosin tabelat: “Jemi me ju!”

Pamje të pazakonta janë shfaqur në Tiranë gjatë protestës, ku fasadat e disa bizneseve janë mbuluar me të zeza apo me gri ndersa nje pjese kane vendosur tabela jemi ne rikostruksion per te fshehur vemendjen nga sulmet .Në të njëjtën kohë, në rrugët e kryeqytetit shikon mbishkrimet : “Jemi me ju, ju lutem mos na demtoni.

Pamjet tërheqin vëmendjen për mënyrën se si protesta po shoqërohet me shenja simbolike dhe mesazhe që shprehin mbështetje për pjesëmarrësit.

Në Tiranë, mesazhi “Jemi me ju” po merr një domethënie të veçantë në një moment kur të rinjtë po kërkojnë të dëgjohen dhe të kenë më shumë perspektivë për të ardhmen e tyre.

Pas afro 13 vitesh të qeverisjes së Partisë Socialiste, pakënaqësitë politike dhe shoqërore mbeten pjesë e debatit publik. Për shumë qytetarë, çështja nuk lidhet vetëm me kërkesat e studentëve, por edhe me besimin te institucionet, përgjegjësinë e pushtetit dhe mundësinë për të sjellë ndryshim përmes zërit qytetar.

Protestat në kryeqytet janë shoqëruar edhe me dëmtime të semaforëve, djegie të kazanëve të plehrave dhe dëmtime të elementeve të tjera të infrastrukturës publike djegje te insitucioneve dhe kompanive private te cilat jane oligopol ne Shqiperi.

Metropoliti i Korçës: “Të rinjtë nuk janë problemi i shoqërisë, por shpresa e saj”

Një mesazh për reflektim mbi rolin e të rinjve në shoqëri vjen nga Metropoliti i Korçës, i cili thekson rëndësinë e dëgjimit, respektimit dhe mbështetjes së brezit të ri.

“Të rinjtë nuk janë problemi i shoqërisë, por shpresa e saj. Zëri i tyre meriton të dëgjohet me respekt dhe përgjegjësi”, është mesazhi që përcjell Metropoliti i Korçës.

Në një kohë kur të rinjtë kërkojnë më shumë mundësi, drejtësi dhe një të ardhme më të mirë, kjo thirrje rikthen vëmendjen te përgjegjësia e shoqërisë për t’u krijuar hapësirë shprehjeje dhe pjesëmarrjeje.

Të dëgjosh të rinjtë nuk do të thotë thjesht të pranosh fjalët e tyre, por të kuptosh shqetësimet, kërkesat dhe pritshmëritë që ata kanë për vendin ku jetojnë. Zëri i tyre duhet të trajtohet me seriozitet, pa paragjykime dhe pa u konsideruar si një problem që duhet shmangur.

Një shoqëri që dëshiron të ecë përpara ka nevojë për energjinë, idetë dhe angazhimin e brezit të ri. Dialogu mes brezave, respekti i ndërsjellë dhe përgjegjësia qytetare janë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë.

Mesazhi është i qartë: të rinjtë nuk duhen parë si problem, por si pjesë e zgjidhjes dhe si një nga shpresat më të mëdha për të ardhmen e shoqërisë.

“Nuk ka shtet” – Shkruhej në kioskën e djegur, turistët fotografojnë Tiranën(Video)

Në qender të Tiranës, mes zhurmës së protestes dhe hapave të turistëve, një kioskë e djegur mbante mbi vete një mesazh që nuk kishte nevojë për shumë fjalë:

“Nuk ka shtet.”

Një fjali e shkurtër, por me një peshë të madhe. Për disa, një shkrim mbi hirin e një kioske. Për të tjerë, një simbol i zhgënjimit, i zemërimit dhe i humbjes së besimit te institucionet.

Ndërkohë, turistët vazhdojnë të fotografojnë Tiranën. Ata kapin në objektivat e tyre sheshet, ndërtesat, rrugët dhe revolten e gjallë të kryeqytetit.

E rrethojnë dhe e g*dasin/ Civili nga Korça përfundon i gjakosur(Video)

Situata në sheshin “Skënderbej” është përshkallëzuar, pasi një Korçar civil raportohet se është rrethuar dhe dhunuar fizikisht nga një grup protestuesish. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, personi shihet teksa goditet brutalisht nga disa protestues.

Ai shfaqet i gjakosur, ndërsa deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Ndërkohë, situata në protestë paraqitet e tensionuar, me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Pa datë skadence, pa emërtim… Po ju, çfarë mendoni se është?

Një kapsollë e gjetur gjate protestës në Tiranë ngre pikëpyetje mbi llojin e municionit të përdorur gjatë tubimit. Mungesa e një emërtimi të dukshëm dhe e një date skadence të shënuar në objekt e bëjnë të vështirë identifikimin e tij vetëm nga pamja.

Çfarë lloj kapsolle mund të jetë dhe për çfarë përdoret?

A mund të ndihmojnë shenjat apo karakteristikat e saj në identifikimin e saktë?

Pikasen nëpër rrugica,shikoni çfarë u thonë protestuesit policëve…

Gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, vëmendja është përqendruar edhe në rrugicat pranë zonës ku po zhvillohet tubimi.

Disa protestues janë vënë re duke iu drejtuar efektivëve të Policisë me fjalë dhe thirrje, ndërsa situata është shoqëruar me momente komunikimi të tensionuar.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë reagimet e protestuesve ndaj policëve, në një kohë kur pjesëmarrësit vijojnë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre.