Fundi i ndeshjes mes Skënderbeut dhe Dinamos, e fituar nga korçarët me rezultatin 2-0, është shoqëruar me momente të tensionuara dhe nervozizëm nga futbollistët e skuadrës kryeqytetase.
Humbja në Korçë duket se ka shkaktuar shumë zhgënjim te dinamovitët, të cilët nuk e kanë përmbajtur nervozizmin pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit.
I pari që humbi qetësinë ishte sulmuesi shkodran Eridon Qardaku. Pas një përplasjeje verbale me futbollistët e Skënderbeut në fund të sfidës, ai nuk u përmbajt as në momentin kur u fut në tunelin që lidh fushën me dhomat e zhveshjes, duke goditur dhe thyer derën e stadiumit.
“Panorama Sport” ka siguruar pamjet e derës së dëmtuar nga futbollisti i Dinamos. Për fat të mirë, situata nuk agravoi më tej, pasi ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe drejtuesve bëri të mundur shuarjen e tensionit.
Por Qardaku nuk ishte i vetmi që reagoi në mënyrë të ashpër pas humbjes. Edhe kapiteni i Dinamos, Bruno Dita, u përfshi në një moment tensioni me persona të pranishëm në tribunë.
Dita, i cili ka qenë më parë pjesë e Skënderbeut në periudhën e artë të korçarëve, kur skuadra shkëlqente edhe në Europë nën drejtimin e Ilir Dajës, nuk i kurseu reagimet ndaj personave që e ngacmonin nga tribuna. Këta të fundit iu përgjigjën gjithashtu me fyerje, duke e kthyer fundin e takimit në një episod aspak të këndshëm.
Kështu, përveç fitores së rëndësishme 2-0 në fushën e lojës, sfida në Korçë do të mbahet mend edhe për tensionet dhe incidentet e regjistruara pas përfundimit të saj.


