Category Archives: LAJME

SHERR NË KORÇË/ Qardaku thyen derën e stadiumit, Bruno Dita përplaset me tifozët pas humbjes 2-0!

Fundi i ndeshjes mes Skënderbeut dhe Dinamos, e fituar nga korçarët me rezultatin 2-0, është shoqëruar me momente të tensionuara dhe nervozizëm nga futbollistët e skuadrës kryeqytetase.

Humbja në Korçë duket se ka shkaktuar shumë zhgënjim te dinamovitët, të cilët nuk e kanë përmbajtur nervozizmin pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit.

I pari që humbi qetësinë ishte sulmuesi shkodran Eridon Qardaku. Pas një përplasjeje verbale me futbollistët e Skënderbeut në fund të sfidës, ai nuk u përmbajt as në momentin kur u fut në tunelin që lidh fushën me dhomat e zhveshjes, duke goditur dhe thyer derën e stadiumit.

“Panorama Sport” ka siguruar pamjet e derës së dëmtuar nga futbollisti i Dinamos. Për fat të mirë, situata nuk agravoi më tej, pasi ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe drejtuesve bëri të mundur shuarjen e tensionit.

Por Qardaku nuk ishte i vetmi që reagoi në mënyrë të ashpër pas humbjes. Edhe kapiteni i Dinamos, Bruno Dita, u përfshi në një moment tensioni me persona të pranishëm në tribunë.

Dita, i cili ka qenë më parë pjesë e Skënderbeut në periudhën e artë të korçarëve, kur skuadra shkëlqente edhe në Europë nën drejtimin e Ilir Dajës, nuk i kurseu reagimet ndaj personave që e ngacmonin nga tribuna. Këta të fundit iu përgjigjën gjithashtu me fyerje, duke e kthyer fundin e takimit në një episod aspak të këndshëm.

Kështu, përveç fitores së rëndësishme 2-0 në fushën e lojës, sfida në Korçë do të mbahet mend edhe për tensionet dhe incidentet e regjistruara pas përfundimit të saj.

Pas Dinamos, radha e Egnatias? Skënderbeu e pret në Korçë!

Skënderbeu ka dhënë një sinjal të fortë në Abissnet Superiore! Korçarët kanë arritur një fitore me shumë vlerë, duke mposhtur Dinamo City-n me rezultatin 2-0 në shtëpi. Një sukses që konfirmon ambiciet e skuadrës dhe tregon se Skënderbeu ka potencialin për të rivalizuar me çdo kundërshtar në kampionat.

Përballë një Dinamoje që synon kreun e renditjes, Skënderbeu zhvilloi një ndeshje të mirë, duke treguar durim, organizim dhe vendosmëri.

Pas një pjese të parë pa gola, korçarët gjetën momentin e duhur për të goditur.

Në minutën e 70-të ishte Nasr ai që zhbllokoi rezultatin, duke kaluar Skënderbeun në avantazh. Kur Dinamo kërkonte të reagonte, Charles në minutën e 85-të vulosi fitoren 2-0, duke ndezur festën në kampin korçar.

Ky triumf e çon Skënderbeun në kuotën e 14 pikëve, duke e mbajtur në vendin e pestë të klasifikimit. Një fitore që vlen më shumë se tri pikë, pasi i jep skuadrës besim, qetësi dhe motivim për të vazhduar ngjitjen në renditje.

Nga ana tjetër, Dinamo City mbetet në vendin e tretë me 17 pikë, duke humbur një mundësi të mirë për t’iu afruar kreut.

Tashmë për Skënderbeun vjen një tjetër provë e madhe: Egnatia kryesuese!

Në javën e ardhshme, korçarët do të përballen me skuadrën që mban vendin e parë, në një sfidë që do të tregojë edhe më shumë për forcën dhe ambiciet e ekipit .

Pas suksesit ndaj Dinamos, Skënderbeu do të prese me moral të lartë dhe me besimin se mund të përballet denjësisht edhe me kryesuesit. Korçarët kanë treguar se nuk dorëzohen përballë emrave të mëdhenj dhe tashmë synojnë të japin një tjetër përgjigje në fushën e lojës.

FT DINAMO-SKËNDERBEU 0-2
70′ (p) Nasr, 85′ Bismark

FORMACIONET ZYRTARE

DINAMO: Teqja, Dita, Hoxhallari, Ismaili, Lorran, Alhasan, Qefalija, Meta, Malomo, Vila, Farruku.
Trajner: Renaldo Kalari

SKËNDERBEU: Dobjani, Lagonidis, Shaqe, Zenullari, Amadu, Drame, Shkëmbi, Totre, Nasr, Janaqi, Bismark.
Trajner: Juljan Ahmataj

GJYQTAR: Kreshnik Cjapi

Kontroll në Kapshticë, çfarë u zbulua në autobusin Selanik-Tiranë?

Punonjësit e Degës Doganore të Kapshticës kanë konstatuar mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Selanik-Tiranë, në hyrje të territorit shqiptar.

Sipas njoftimit të Doganës Shqiptare, gjatë kontrollit janë zbuluar kryesisht veshje dhe aksesorë, të cilët tejkalonin kufirin e lejuar për përjashtimin nga detyrimet doganore për mallrat që udhëtarët transportojnë në bagazhin personal.

Pas konstatimit të shkeljes, mallrat janë bllokuar nga shërbimet doganore dhe janë depozituar në magazinën doganore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Dega Doganore e Kapshticës bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në vijim, me qëllim zbatimin e legjislacionit doganor dhe garantimin e respektimit të detyrimeve ligjore nga udhëtarët.

Përplasje fatale, I moshuari humb jetën, shoqërohet në polici shoferja 26-vjeçare

Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori është regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 14, në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:12, ku një automjet, që drejtohej nga një 26-vjeçare me inicialet K. Gj., ka përplasur këmbësorin, shtetasin B. Z., 81 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja, i moshuari nuk ka mundur t’u mbijetojë dhe ka ndërruar jetë.

Pas aksidentit, drejtuesja e automjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

“Nëna më ka ndërruar jetë”/ 17-vjeçari i gjobitur me 5 mln: “Jetojmë me Kemp, nuk kam ku t’i gjej leket

Një 17-vjeçar, i gjobitur me 5 milionë lekë për protestën e së shtunës, ka rrëfyer për News24 vështirësitë ekonomike me të cilat përballet familja e tij dhe pamundësinë për të paguar gjobën brenda afatit të caktuar.

Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, i mituri deklaroi se familja jeton me të ardhurat nga ndihma e aftësisë së kufizuar (Kemp), të cilat në total arrijnë në 240 mijë lekë. Ai tregoi gjithashtu se nëna i ka ndërruar jetë prej vitesh dhe se babanë nuk e ka njoftuar ende për gjobën, pasi nuk ka mundësi financiare për ta përballuar atë.

“Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur para shumë vitesh. Me Kemp jetojnë familjarët e mi, që marrin në total 240 mijë lekë. Nuk na dalin aspak”, u shpreh 17-vjeçari.

Ai tha se më parë kishte punuar në një mobileri, ku paguhej 360 mijë lekë, por të ardhurat nuk mjaftonin për të përballuar nevojat e përditshme.

I riu pretendoi se në momentin e protestës nuk ishte pjesë e tubimit, por po luante. Megjithatë, ai deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij dhe se do të vazhdojë të marrë pjesë në protesta.

“Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do të marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë”, deklaroi ai për News24.

17-vjeçari shtoi se përveç të ardhurave që përfiton familja, ai merr edhe një bursë shkollore, ndërsa shprehu pakënaqësinë për mungesën e mbështetjes nga shteti pas humbjes së nënës. Rrëfimi i tij ngre pikëpyetje mbi pasojat ekonomike që një gjobë e kësaj shume mund të ketë për një familje në kushte të vështira ekonomike.

Erdhi në Itali vetëm 9 vjeçe, sot drejton një qytet italian! Historia e shqiptares që po bën krenarë shqiptarët

Vetëm 9 vjeçe, Sindi Manushi u largua nga Elbasani drejt Italisë, së bashku me familjen, për të nisur një jetë të re. Pa e njohur mirë gjuhën dhe përballë një realiteti krejt të panjohur, ajo u përball që në fëmijëri me sfidat e emigracionit, vështirësitë e përshtatjes dhe një kulturë të ndryshme nga ajo me të cilën ishte rritur.

Familja Manushi u detyrua të niste gjithçka nga e para, ndërsa Sindi filloi të punonte që në moshë të re. Gjatë rrugëtimit të saj nuk munguan paragjykimet dhe episodet e racizmit, por këto përvoja nuk e ndalën të vazhdonte përpara dhe të luftonte për të ardhmen që dëshironte.

Falë këmbënguljes, shkollimit dhe angazhimit të vazhdueshëm në jetën shoqërore dhe komunitare, Sindi arriti të ndërtojë një rrugëtim të rëndësishëm, që sot e ka çuar në krye të bashkisë së Pieve di Cadore, në Itali, ku mban shiritin trengjyrësh të kryebashkiakes.

Një nga veçoritë më domethënëse të historisë së saj është fakti se pikërisht në këtë vend ajo kishte mbërritur vite më parë si një vajzë e vogël emigrante, së bashku me familjen, për të nisur një jetë të re. Sot, pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash, ajo është në krye të komunitetit ku dikur nisi gjithçka.

Historia e Sindi Manushit është një shembull frymëzues i forcës, integrimit dhe vendosmërisë. Ajo tregon se origjina, vështirësitë ekonomike apo paragjykimet nuk duhet të bëhen pengesë për realizimin e ëndrrave.

Nga një vajzë e vogël shqiptare që mbërriti në Itali pa njohur gjuhën, në një grua që sot drejton një bashki italiane, Sindi Manushi është një histori suksesi që meriton vëmendje dhe që bën krenarë shqiptarët kudo që ndodhen!

24 vjeçari: “I kam lënë partitë, opozitë nuk ka! Ëndrra ime është të bëhem Kryeministër i Shqipërisë”

Klaus Terezi, 24 vjeç, i diplomuar në degën e Teknologjisë së Informacionit (IT) pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, shpreh hapur pakënaqësinë e tij ndaj politikës shqiptare dhe ambicien për të ardhmen e vendit.

Ai deklaron se është distancuar nga partitë politike, pasi, sipas tij, nuk sheh një opozitë të vërtetë në Shqipëri.

“I kam lënë partitë, sepse për mua opozitë nuk ka. Mendoj se të gjitha partitë janë kthyer në kukulla të Edi Ramës, ndërsa ai është bërë kryetari i kësaj loje politike”, shprehet Terezi.

24-vjeçari, i cili thotë se është aktiv në protesta, nuk e fsheh dëshirën e tij më të madhe: të bëhet Kryeministër i Shqipërisë.

“E them me gjithë shpirt, dua të bëhem Kryeministër. Nuk jam aspak i kënaqur me mënyrën se si ka përfunduar Shqipëria dhe besoj se vendi ka nevojë për ndryshim të vërtetë”, deklaron ai.

Terezi thekson se nuk ka mbështetje financiare nga askush dhe se e konsideron veten një qytetar të zakonshëm, që ka paguar taksat dhe ka dhënë kontributin e tij për vendin. Ai shprehet se, edhe nëse nuk arrin të kandidojë përmes një force politike, kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga ambicia për të hyrë në politikë.

Një nga zotimet e tij kryesore lidhet me zbatimin e ligjit.

“Zotohem se ligjet do të zbatohen fije për pe, deri në detajin më të vogël. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht se kush është apo çfarë pozite mban”, përfundon Klaus Terezi.

HISTORIKE NË FIER/ Enkelejda Veliu bëhet gruaja e parë që merr drejtimin e PD-së!

Ka përfunduar procesi i votimit dhe numërimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Fier. Enkelejda Veliu është shpallur fituese e garës, duke marrë 196 vota dhe duke lënë pas rivalin e saj më të afërt, Ardian Ferro, me vetëm 4 vota diferencë.

Në këtë garë morën pjesë gjithsej pesë kandidatë. Pas Veliut dhe Ferros, Festim Metaj siguroi 154 vota, Gentian Koçi mori 151 vota, ndërsa Fatjon Semanjaku u rendit me 137 vota.

Në procesin e votimit morën pjesë 834 anëtarë të Partisë Demokratike. Gjatë numërimit u konstatuan 8 vota të pavlefshme dhe një tjetër e dëmtuar.

Pas shpalljes së rezultatit, Veliu u shpreh se fitorja nuk duhet parë si sukses individual, por si përgjegjësi për të gjithë demokratët dhe për punën që e pret degën e PD-së në Fier.

“Do të thotë që duhet të punojmë shumë. Sonte kemi fituar të gjithë”, deklaroi ajo pas përfundimit të numërimit.

Në mesazhin e saj drejtuar anëtarësisë, Veliu falënderoi demokratët për mbështetjen dhe theksoi angazhimin për të qenë pranë çdo anëtari të partisë.

Zgjedhja e Enkelejda Veliut shënon një moment të veçantë për degën e PD-së në Fier, pasi ajo bëhet gruaja e parë që merr drejtimin e kësaj strukture, pas një gare të ngushtë që u vendos me vetëm katër vota diferencë.

“E KEMI KUptUAR LOJËN 36-VJEÇARE!”/ Studentët përplasen me PD-në: Berisha e prishi në 1990, do ta bëjë sërish!

Përplasjet mes studentëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike kanë tensionuar protestën e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, ku studentët kanë kundërshtuar përpjekjen e demokratëve për t’iu bashkuar tubimit të tyre.

Studentët kanë kërkuar largimin e përfaqësuesve dhe mbështetësve të PD-së, duke kundërshtuar përfshirjen e forcave politike në protestën e tyre. Situata është përshkallëzuar në përplasje fizike mes dy grupeve, ndërsa mes tyre është krijuar edhe një korridor ndarës.

Në këtë përballje janë shfaqur pankarta me mesazhin “Rama në burg, Berisha në burg”, duke përcjellë një qëndrim kundër të dy figurave kryesore të politikës shqiptare.

Një prej protestuesve, i cili kundërshtoi praninë e demokratëve, deklaroi se ishte në mbështetje të studentëve dhe kundër gjithë klasës politike.

Përplasja u shoqërua edhe me akuza ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Një prej mesazheve që u artikulua ishte:

“E kemi kuptuar lojën 36-vjeçare. Berisha e prishi një herë në vitin 1990, do ta bëjë prapë.”

Përplasja para Ministrisë së Arsimit e zhvendosi vëmendjen edhe te raporti mes protestave qytetare dhe partive politike, si dhe te kërkesa e studentëve për të pasur zërin e tyre të pavarur partiak ne te ardhme dhe krijimin e nje opozite te re.

Harito Zoto zgjidhet kryetar i PD-së në Korçë, fiton me 398 vota

Harito Zoto është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike në Korçë, pas përfundimit të procesit të votimit mes anëtarëve të kësaj force politike.

Në garën për drejtimin e degës lokale, Zoto siguroi 398 vota, duke lënë pas kandidatin tjetër, Mikel Dishnica, i cili mori 109 vota.

Sipas të dhënave nga procesi zgjedhor, në votim morën pjesë gjithsej 517 anëtarë të Partisë Demokratike, nga 4 800 anëtarë që kishin të drejtë vote.

Pjesëmarrja në votim ishte rreth 10.8% e anëtarësisë me të drejtë vote.

Me këtë rezultat, Harito Zoto merr drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë.

Arrestohet në Greqi shqiptari, akuzohet për vr*sjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj, pranon edhe dy vr*sje në Shqipëri

Policia greke ka arrestuar 43-vjeçarin shqiptar Nikolin Pali, i dyshuar për një sërë krimesh të rënda, mes tyre vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj në Greqi, si dhe dy vrasje të tjera të kryera në Shqipëri.

Sipas mediave greke, gjatë marrjes në pyetje, Pali ka pranuar se kishte kryer edhe dy vrasje në Shqipëri, përpara se të arratisej drejt Greqisë për t’iu shmangur drejtësisë.

Ai dyshohet se në vitin 2020 vrau me sëpatë ish-partneren dhe të dashurin e saj, pasi i kishte parë së bashku. Pas krimit, kishte përdorur identitet të rremë për t’u fshehur nga autoritetet.

43-vjeçari u arrestua në zonën e Patisias, në Athinë, pas një operacioni të koordinuar policor. Gjatë kontrollit në apartament, policia gjeti një pistoletë dhe dy granata dore. Sipas raportimeve, ai dyshohet se po përgatiste edhe një tjetër vrasje.

Pali ishte dënuar me dy burgime të përjetshme në mungesë dhe prej vitesh kërkohej nga autoritetet në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri.

Policia greke po heton gjithashtu përfshirjen e tij të mundshme në krime të tjera gjatë viteve të arratisjes, ndërsa dyshimet për aktivitetin e tij si vrasës me pagesë mbeten pjesë e hetimit.

U mbanin pasaportat dhe i detyronin të shlyenin borxhet me punë, zbulohet rrjeti i trafikantëve në Greqi!

Policia greke ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për kalimin dhe transportimin e paligjshëm të mbi 500 emigrantëve në 41 raste. Në operacionet e zhvilluara në Thesproti dhe Selanik më 5 nëntor 2026, u arrestuan 10 persona, ndërsa fitimet e paligjshme të rrjetit llogariten në të paktën 750 mijë euro.

Sipas hetimeve, organizata vepronte që prej qershorit 2025, duke organizuar kalimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë përmes shtigjeve malore.

Më pas, ata strehoheshin përkohësisht në banesa ose tenda në zonat malore të Thesprotisë dhe transportoheshin drejt Athinës, Patrës apo vendeve të tjera.

Një nga elementet më shqetësuese të hetimit është se anëtarët e rrjetit dyshohet se u mbanin emigrantëve pasaportat si garanci për shlyerjen e borxheve përmes punës së tyre. Gjithashtu, emigrantët paguanin shuma të larta për strehim, ushqim dhe transport.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi automjete, telefona, pajisje elektronike, 1.150 euro dhe katër pasaporta të fshehura. Ndërkohë, u identifikuan edhe 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, disa prej të cilëve dyshohet se punonin në një biznes të njërit prej të arrestuarve.

Në operacion bashkëpunoi edhe Europol-i. Të arrestuarit pritet të dalin përpara autoriteteve gjyqësore në Thesproti.

SKËNDERBEU, KOHA PËR REAGIM! Dy herë i shpëtoi fitorja nga duart, ndaj Dinamos kërkohet kthesa e madhe!

Korçarët përballë një prove karakteri! Pas barazimeve 1-1 me Laçin dhe Vllazninë, bardhekuqtë kërkojnë të rikthehen te fitorja dhe të tregojnë se kanë mësuar nga gabimet. Skënderbeu kërkon të lërë pas dy barazimet e fundit ne shtepi dhe të japë një përgjigje në fushën e lojës ndaj Dinamos.

Dy ndeshje, dy herë avantazh në pjesën e parë dhe dy herë i njëjti skenar në fraksionin e dytë.

Fillimisht ndaj Laçit në Korçë dhe më pas kundër Vllaznisë, skuadra korçare nuk arriti të administronte epërsinë, duke u ndalur në të dyja rastet në rezultatin 1-1.

Një situatë që sigurisht lë shije të hidhur, pasi Skënderbeu kishte mundësinë të merrte më shumë nga këto dy përballje.

Tani vëmendja është te Dinamo!

Ndeshja e radhës nuk është thjesht një tjetër takim në kampionat. Është një mundësi për të treguar reagim, forcë karakteri dhe mbi të gjitha pjekuri në lojë.

Pyetja që shtrohet është: A do të arrijë Skënderbeu të ruajë avantazhin dhe të mos përsërisë gabimet e dy ndeshjeve të fundit?

Bardhekuqtë kanë treguar se dinë të shënojnë dhe të marrin avantazhin, por tashmë duhet të tregojnë se dinë edhe ta mbrojnë atë. Pjesa e dytë duhet të jetë ndryshe, me më shumë përqendrim, vendosmëri dhe përgjegjësi nga çdo lojtar.

Tifozët korçarë presin një Skënderbe me tjetër fytyrë, një skuadër që lufton deri në fund dhe që nuk dorëzon pikët në momentet vendimtare.

Dinamo është testi i radhës. A do të vijë më në fund reagimi i shumëpritur i Skënderbeut?

Korça pret përgjigjen në fushë te Diele…

Korça po humbet banorë dhe biznese – A kemi nevojë për një dege Universiti të drejtimit të qytetit?

Korça po përballet me një sfidë serioze demografike dhe ekonomike. Rënia e numrit të banorëve, largimi i të rinjve, mbyllja e bizneseve dhe dobësimi i aktivitetit tregtar janë sinjale që kërkojnë reflektim dhe, mbi të gjitha, ndryshim në mënyrën se si mendohet dhe drejtohet zhvillimi i qytetit.

Një qytet nuk drejtohet vetëm duke rregulluar rrugë, sheshe, trotuare apo duke organizuar aktivitete kulturore. Këto janë të rëndësishme, por zhvillimi i vërtetë matet edhe me numrin e vendeve të punës që krijohen, bizneset që mbijetojnë, investimet që tërhiqen dhe familjet që zgjedhin të jetojnë aty.

Për këtë arsye, shtrohet një pyetje e rëndësishme: A nuk ka ardhur koha që drejtuesit e qytetit, administratorët dhe strukturat vendore të trajnohen për menaxhimin modern të një qyteti?

Drejtimi i qytetit kërkon dije dhe profesionalizëm

Menaxhimi i një bashkie është një përgjegjësi komplekse. Ai kërkon njohuri në ekonomi, financa publike, zhvillim urban, politika sociale, menaxhim biznesi, investime dhe planifikim strategjik.

Në shumë vende europiane, administrimi i qyteteve mbështetet në programe të specializuara trajnimi për drejtuesit vendorë dhe administratën publike.

Pse të mos krijohet edhe në Korçë një program i tillë?

Një program trajnimi për drejtimin e qytetit duhet të përfshijë:

1. Menaxhimin ekonomik të qytetit

Si të krijohen kushte për hapjen e bizneseve të reja? Si të ndihmohen bizneset ekzistuese? Si të tërhiqen investitorët dhe si të krijohen vende pune?

2. Politikat për ndalimin e largimit të popullsisë

Si të krijohen mundësi që të rinjtë të qëndrojnë në Korçë? Si të mbështeten familjet e reja? Si të krijohen politika që nxisin kthimin e emigrantëve?

3. Menaxhimin modern të bashkisë

Si të përdoren më mirë fondet publike? Si të vendosen prioritete? Si të maten rezultatet e çdo projekti dhe si të rritet transparenca?

4. Zhvillimin e biznesit dhe punësimit

Drejtuesit vendorë duhet të kuptojnë problemet reale të sipërmarrjes. Duhet të dëgjojnë tregtarët, prodhuesit, fermerët, hotelierët dhe sipërmarrësit e vegjël, përpara se të marrin vendime që ndikojnë në aktivitetin e tyre.

5. Planifikimin strategjik afatgjatë

Korça nuk mund të zhvillohet vetëm me projekte të shkëputura nga njëra-tjetra. Ajo ka nevojë për një strategji 10-vjeçare, me objektiva të qarta ekonomike dhe demografike.

Duhet të mësojmë nga qytetet europiane

Korça ka potencial të madh, por ky potencial duhet kthyer në zhvillim ekonomik konkret.

Duhet të studiohen modelet e qyteteve europiane që kanë arritur të rigjallërojnë ekonominë lokale, të mbështesin bizneset e vogla, të tërheqin investime dhe të krijojnë mundësi për të rinjtë.

Nuk është e nevojshme të shpikim gjithçka nga e para. Duhet të marrim praktikat më të mira, t’i përshtatim me realitetin e Korçës dhe t’i zbatojmë me profesionalizëm.

Një propozim konkret për Korçën

Pse Bashkia Korçë, në bashkëpunim me universitetet, ekspertët e ekonomisë, organizatat e biznesit dhe partnerët europianë, të mos krijojë një Akademi të Menaxhimit dhe Zhvillimit të Qytetit?

Një program ku të trajnohen drejtuesit e bashkisë, administratorët, specialistët e administratës dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi në hartimin dhe zbatimin e politikave vendore.

Trajnimi duhet të jetë praktik, me ekspertë vendas dhe të huaj, me shkëmbim përvojash dhe me vizita studimore në qytete që kanë përballuar me sukses sfida të ngjashme.

Sepse drejtimi i një qyteti nuk është vetëm çështje administrimi. Është çështje vizioni, përgjegjësie dhe aftësie profesionale.

Korça ka nevojë për një model të ri zhvillimi

Nuk mund të pranojmë që një qytet me traditë tregtare, arsimore dhe kulturore të humbasë vazhdimisht banorë, ndërsa bizneset përballen me vështirësi dhe mbyllin dyert.

Nuk mjafton të pyesim pse po largohen njerëzit. Duhet të dimë çfarë duhet të bëjmë që ata të qëndrojnë.

Nuk mjafton të numërojmë bizneset që mbyllen. Duhet të krijojmë politika që t’i mbajnë ato hapur dhe të nxisin hapjen e bizneseve të reja.

Nuk mjafton të promovojmë Korçën si destinacion turistik. Duhet ta zhvillojmë si një qytet ku ia vlen të investosh, të punosh, të krijosh familje dhe të ndërtosh të ardhmen.

Një qytet nuk shpëtohet vetëm me beton, asfalt dhe fasada. Një qytet zhvillohet me ekonomi të fortë, njerëz të përgatitur dhe drejtim profesional.

Ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë se për të drejtuar një qytet duhet të përgatitesh po aq seriozisht sa për të drejtuar një institucion apo një ndërmarrje të madhe.

Korça ka nevojë jo vetëm për projekte të reja, por edhe për një kulturë të re të drejtimit të qytetit. Sepse e ardhmja e saj nuk duhet të matet me sa turistë vijnë, por edhe me sa banorë zgjedhin të mos largohen.

Korça po boshatiset/ 16 mijë banorë më pak dhe 500 biznese të mbyllura- Kush do ta shpetoje qyetetin…

Korça nuk ka nevojë vetëm për më shumë turistë. Ajo ka nevojë për më shumë banorë, vende pune, biznese që mbijetojnë dhe të rinj që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në qytetin ku kanë lindur.

Korça është një nga qytetet me traditën më të pasur kulturore, arsimore dhe tregtare në Shqipëri. Për vite me radhë është promovuar si një destinacion turistik, si qyteti i serenatave, i kulturës, i bukurisë arkitekturore dhe i mikpritjes. Por, pas kësaj pamjeje të bukur, po shfaqet një problem që duhet të shqetësojë çdo qytetar:

Tkurrja e popullsisë dhe dobësimi i jetës ekonomike.

Shifrat e Censusit tregojnë një realitet që nuk mund të anashkalohet. Në vitin 2011, Bashkia Korçë kishte 75.994 banorë, ndërsa në Censusin e vitit 2023 numri i popullsisë banuese rezultoi 60.754. Pra, një rënie prej 16 mije banorësh, ose rreth 20% e popullsisë në 12 vjet. Kjo përkthehet në një humbje mesatare prej rreth 1.270 banorësh në vit.

Por shqetësimi nuk përfundon këtu.

Sipas raportimeve të publikuara në korrik 2025, në dy vitet e fundit në Bashkinë Korçë janë mbyllur mbi 500 biznese. Kjo është një kambanë alarmi për ekonominë lokale. Pas çdo biznesi të mbyllur mund të qëndrojë një familje që humbet të ardhurat, një punonjës që mbetet pa punë dhe një tjetër arsye që të rinjtë të kërkojnë të ardhmen jashtë Korçës.

Pse po largohet popullsia dhe pse po mbyllen bizneset?

Arsyet janë të shumta dhe lidhen me njëra-tjetrën.

Së pari, mungesa e vendeve të punës me paga konkurruese. Të rinjtë që përfundojnë studimet nuk gjejnë gjithmonë mundësi për të ndërtuar një karrierë profesionale në qytetin e tyre. Shumë prej tyre largohen drejt Tiranës, emigracionit apo vendeve të tjera europiane.

Së dyti, kostot e larta të aktivitetit ekonomik. Bizneset e vogla përballen me qira, taksa, tarifa, energji dhe kosto të tjera që shpesh e bëjnë të vështirë mbijetesën.

Së treti, ekonomia e Korçës nuk mund të mbështetet vetëm te turizmi. Turizmi është një pasuri dhe duhet zhvilluar, por ai është sezonal dhe nuk garanton vetvetiu të ardhura të qëndrueshme për të gjithë vitin. Një qytet nuk mund të jetojë vetëm nga fundjavat dhe festat.

Çfarë duhet bërë për ta ndalur këtë proces?

Korça ka nevojë për një strategji konkrete ekonomike dhe demografike, jo vetëm për promovim turistik dhe projekte infrastrukturore.

Ja sugjerimet nga Korcablog.com

1. Lehtësim real për bizneset e vogla

Bashkia duhet të rishikojë taksat dhe tarifat vendore, veçanërisht për bizneset e vogla që kanë vështirësi ekonomike. Duhet të krijohen lehtësi për bizneset e reja, për sipërmarrësit e rinj dhe për ata që punësojnë banorë të Korçës.

Një biznes që mbijeton dhe punëson pesë persona është një vlerë për qytetin. Më mirë të kemi më shumë biznese aktive dhe të qëndrueshme sesa detyrime që rrezikojnë mbylljen e tyre.

2. Tërheqja e investimeve dhe krijimi i vendeve të punës

Korça duhet të krijojë kushte për të tërhequr investime në prodhim, përpunim ushqimor, teknologji, shërbime dhe industri të lehta.

Zona industriale dhe hapësirat ekonomike duhet të zhvillohen me një plan konkret, duke ofruar infrastrukturë, procedura të thjeshtuara dhe mbështetje për investitorët.

Nuk mjafton të presim që investitorët të vijnë vetë. Bashkia dhe institucionet përkatëse duhet të dalin në kërkim të tyre.

3. Mbështetje për të rinjtë që duan të hapin biznes

Duhet të krijohet një program vendor për sipërmarrjen e të rinjve, me grante fillestare, këshillim profesional, lehtësi fiskale brenda kompetencave ligjore dhe hapësira pune me kosto të ulët.

Një i ri që dëshiron të hapë një studio teknologjie, punishte artizanale, biznes prodhimi apo shërbimi duhet të ketë mundësi ta bëjë këtë në Korçë, pa u detyruar të largohet për të realizuar ëndrrën e tij.

4. Zhvillimi i bujqësisë dhe përpunimit të produkteve lokale

Bashkia Korçë ka një potencial të madh bujqësor. Fusha e Korçës dhe fshatrat përreth prodhojnë produkte që mund të kthehen në një industri të mirëfilltë ekonomike.

Duhet mbështetur përpunimi dhe paketimi i produkteve bujqësore, krijimi i markave lokale, magazinimi frigoriferik dhe lidhja e fermerëve me tregjet vendase dhe të huaja.

Nuk duhet të eksportojmë vetëm produkte të papërpunuara. Duhet të krijojmë vende pune duke i përpunuar dhe duke u dhënë vlerë të shtuar produkteve tona.

5. Turizëm gjatë gjithë vitit, jo vetëm në fundjavë

Korça ka potencial shumë më të madh sesa vizitat në Pazarin e Vjetër dhe festat tradicionale.

Duhet të zhvillohen turizmi malor, kulturor, gastronomik, sportiv dhe agroturizmi. Voskopojë, Dardha, Vithkuqi dhe fshatrat e tjerë mund të krijojnë një ekonomi turistike që funksionon gjatë gjithë vitit.

Por duhet të kuptojmë një gjë: turisti duhet të sjellë të ardhura edhe për fermerin, prodhuesin, artizanin, hotelierin dhe tregtarin e vogël.

6. Rikthimi i emigrantëve dhe investimi i diasporës

Një pjesë e madhe e korçarëve jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Ata kanë përvojë, kapital dhe njohuri që mund të ndihmojnë zhvillimin e qytetit.

Bashkia duhet të krijojë një program të posaçëm për diasporën, duke ofruar informacion mbi mundësitë e investimit, procedura të thjeshtuara dhe projekte konkrete ku mund të investohet.

Nuk duhet t’u kërkojmë emigrantëve vetëm të vijnë për pushime. Duhet t’u krijojmë arsye që të investojnë, të kthehen dhe të hapin vende pune.

7. Përmirësimi i jetës për familjet e reja

Një qytet nuk mbahet gjallë vetëm me biznese dhe turistë. Ai mbahet gjallë nga familjet.

Duhet të krijohen politika për strehimin e përballueshëm, çerdhet dhe kopshtet, shërbimet shëndetësore, hapësirat sportive dhe aktivitetet për fëmijët e të rinjtë.

Një çift i ri duhet të ketë mundësi të blejë ose të marrë me qira një banesë, të gjejë punë dhe të rrisë fëmijët në Korçë pa u ndier i detyruar të largohet.

Duhet një plan konkret për 5 vitet e ardhshme

Bashkia Korçë duhet të hartojë një plan ekonomik dhe demografik pesëvjeçar, me objektiva të matshëm dhe raportim publik çdo vit.

Ky plan duhet të përmbajë:

  • Uljen e numrit të bizneseve që mbyllen.
  • Rritjen e numrit të bizneseve të reja dhe vendeve të punës.
  • Tërheqjen e investimeve private.
  • Mbështetjen e fermerëve dhe prodhuesve vendas.
  • Krijimin e mundësive për punësimin e të rinjve.
  • Nxitjen e kthimit dhe investimit të diasporës.
  • Përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e reja.

Gjithashtu, duhet të publikohet çdo vit një raport i qartë: sa biznese u hapën, sa u mbyllën, sa vende pune u krijuan, sa të rinj u punësuan dhe sa investime të reja erdhën në qytet.

Korça nuk duhet të bëhet thjesht një qytet për t’u vizituar, por një qytet ku ia vlen të jetosh!

Problemi i Korçës nuk është vetëm numri i turistëve që vijnë gjatë fundjavave. Problemi është numri i banorëve që largohen dhe mungesa e arsyeve ekonomike për t’u kthyer.

Një qytet mund të ketë sheshe të bukura, rrugë të rregulluara, festivale dhe aktivitete kulturore, por nëse dyqanet mbyllen, të rinjtë largohen dhe familjet nuk shohin perspektivë, atëherë zhvillimi mbetet i paplotë.

Korça ka histori, kulturë, arsim, traditë tregtare, bujqësi, turizëm dhe një diasporë të fuqishme. Ka të gjitha arsyet për të pasur një ekonomi më të larmishme dhe më shumë mundësi për banorët e saj.

Por kjo kërkon një ndryshim në mënyrën se si mendohet zhvillimi i qytetit: nga investimet që duken, te investimet që krijojnë punë; nga promovimi i turizmit, te fuqizimi i ekonomisë së përditshme; nga administrimi i problemeve, te parandalimi i tyre.

Pyetja që duhet t’i shtrohet sot Bashkisë Korçë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse është e thjeshtë: Çfarë po bëjmë konkretisht që një i ri të mos largohet nga Korça, një biznes të mos mbyllet dhe një familje të zgjedhë të ndërtojë të ardhmen këtu?

Sepse Korça nuk ka nevojë vetëm të jetë e bukur për ata që e vizitojnë. Ajo duhet të jetë një qytet me perspektivë për ata që jetojnë në të.

Të ndalosh tkurrjen e Korçës do të thotë të krijosh ekonomi, punësim dhe shpresë. Dhe kjo duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të zhvillimit të qytetit.