Korçë – Sot, aktiviteti i mbledhjes së firmave për organizimin e një referendumi kundër ligjeve të njohura si “Paketa e Maleve” dhe “Investimet Strategjike” u zhvillua edhe në qytetin e Korçës nga Shqiperia Behet e Adriatik Lapajt.
Ekipet e angazhuara në këtë nismë vijojnë takimet me qytetarët në terren, duke prezantuar kërkesën për shfuqizimin e këtyre ligjeve dhe mbledhjen e 100 mijë firmave për t’ia kaluar çështjen vendimmarrjes qytetare përmes referendumit.
Korça ishte një prej qyteteve ku u zhvillua aktiviteti i sotëm, ndërsa gjatë këtyre katër ditëve ekipet janë angazhuar paralelisht në Shkodër, Kamëz, Tiranë, Divjakë, Fier, Berat dhe Vlorë.
Organizatorët e nismës e cilësojnë këtë aksion si një betejë për mbrojtjen e pronës publike dhe kundërshtimin e mënyrës së trajtimit të saj përmes këtyre ligjeve.
Nisma vijon në terren, me synimin për të arritur 100 mijë firmat e nevojshme për kërkesën për referendum ndersa Lapaj njofton nga Korçaqe vetem dita 2, kemi arritur 90 mije firma .
Ekonomia shqiptare po përqendrohet gjithnjë e më shumë në Tiranë, ndërsa diferencat në zhvillimin ekonomik mes qarqeve mbeten të mëdha. Të dhëna mbi PBB e Rajoneve nga INSTAT tregojnë se në vitin 2024, Tirana gjeneroi rreth 80% të rritjes ekonomike të vendit, ndërsa qarqe si Shkodra, Dibra dhe Kukësi patën një kontribut pothuajse të papërfillshëm.
Ekonomia shqiptare u rrit me 4.03% në terma realë në vitin 2024, por nga kjo rritje 3.24 pikë përqindje erdhën vetëm nga Tirana, e ndjekur nga Durrësi me 0.29 pikë përqindje dhe Vlora me 0.15 pikë përqindje.
Të dhënat konfirmojnë një përqendrim të fortë të aktivitetit ekonomik në kryeqytet.
Tirana prodhoi 46.94% të PBB-së kombëtare në vitin 2024, nga 45.75% një vit më parë, duke e zgjeruar peshën e saj me 1.19 pikë përqindje. Në vlerë nominale, ekonomia e Tiranës arriti në rreth 1.18 trilionë lekë, nga 2.52 trilionë lekë që ishte PBB-ja e gjithë vendit.
Qarqet e tjera me ritme shumë më të ulëta
Diferencat janë edhe më të dukshme në ritmet e rritjes ekonomike. Në vitin 2024, Tirana shënoi një rritje reale prej 7.08%, ndjeshëm mbi mesataren kombëtare prej 4.03%. Durrësi u rendit i dyti me 2.82%, i ndjekur nga Vlora me 2.53%. Në pjesën tjetër të vendit, rritja ekonomike ishte shumë më e ngadaltë. Elbasani dhe Berati u zgjeruan me nga 1.56%, Gjirokastra me 1.32%,
Korça me 1.20% dhe Lezha me 1.19%.
Në fund të renditjes qëndrojnë Shkodra, me rritje vetëm 0.19%, Dibra me 0.27%, Fieri me 0.57% dhe Kukësi me 0.63%. Kjo do të thotë se, megjithëse ekonomia kombëtare u rrit me mbi 4%, pjesa më e madhe e qarqeve regjistroi ritme rritjeje shumë më të ulëta se mesatarja.
Diferencat në ecurinë ekonomike po reflektohen edhe në shpërndarjen territoriale të prodhimit. Ndërsa Tirana rrit peshën e saj në PBB, qarqet e tjera, me përjashtim të pak rasteve, po humbasin terren në strukturën e ekonomisë kombëtare.
Veriu dhe Jugu, së bashku rriten më pak se Tirana
Rajoni Qendër, që përfshin Tiranën dhe Elbasanin, gjeneroi 52.87% të PBB-së kombëtare në vitin 2024, nga 51.87% një vit më parë. Ekonomia e këtij rajoni u rrit me 6.43% në terma realë, duke dhënë një kontribut prej 3.34 pikësh përqindje në rritjen ekonomike kombëtare. Ndërkohë, rajoni Veri u rrit me vetëm 1.60%, ndërsa rajoni Jug me 1.31%.
Të dy rajonet së bashku kontribuuan me 0.69 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vendit, shumë më pak se kontributi prej 3.24 pikësh përqindje që dha vetëm Tirana. Rajoni Veri prodhoi 21.68% të PBB-së në vitin 2024, ndërsa Jugu 25.45%. Të dyja rajonet e ulën peshën e tyre krahasuar me vitin e mëparshëm.
Tirana ka PBB për frymë gati trefishin e Kukësit
Pabarazitë ekonomike shfaqen edhe në nivelin e PBB-së për frymë, tregues që mat vlerën e prodhimit ekonomik në raport me popullsinë. Sipas INSTAT, PBB-ja mesatare për frymë në Shqipëri arriti në 1.06 milionë lekë në vitin 2024. Tirana kishte nivelin më të lartë, me 1.56 milionë lekë për frymë, ose 47% mbi mesataren kombëtare.
Në vendin e dytë renditet Durrësi, me 1.15 milionë lekë për frymë, rreth 8.8% mbi mesataren, i ndjekur nga Fieri me 1.03 milionë lekë.
Në anën tjetër, Kukësi regjistroi nivelin më të ulët, me vetëm 568 mijë lekë për frymë, ose 46.3% nën mesataren kombëtare. Dibra kishte 610 mijë lekë për frymë dhe Berati 613 mijë lekë, nivele përkatësisht rreth 42.4% dhe 42.2% nën mesataren e vendit.
Diferenca mes Tiranës dhe Kukësit është 2.7 herë, duke nxjerrë në pah hendekun e madh në kapacitetin ekonomik të qarqeve. Nga 12 qarqet e Shqipërisë, vetëm Tirana dhe Durrësi kishin PBB për frymë mbi mesataren kombëtare.
Duhet theksuar se PBB-ja për frymë nuk është e barabartë me të ardhurat që marrin banorët, por mat prodhimin ekonomik të krijuar në një territor në raport me popullsinë e tij. /Monitor
Nga kureshtja e fëmijërisë për kompjuterët, te suksesi në Microsoft dhe angazhimi për fuqizimin e vajzave në teknologji. Ky është rrugëtimi frymëzues i Xheneta Krasniqit. Pasioni i Xheneta Krasniqit për teknologjinë nisi që në fëmijëri, përpara kompjuterit të vjetër të familjes.
Me origjinë nga Prishtina dhe e rritur në Mynih të Gjermanisë, ajo kalonte orë të tëra duke eksploruar botën e kompjuterëve dhe duke shkruar programet e saj të para.
Në atë kohë, ndoshta nuk e imagjinonte se kjo kureshtje do të shndërrohej një ditë në profesionin dhe rrugëtimin e saj jetësor.
Sot, sipas biografisë së saj, Xheneta punon në kompaninë gjigante të teknologjisë Microsoft, ku merret me projekte në fushën e inteligjencës artificiale (AI) dhe teknologjisë cloud. Përkushtimi dhe arritjet e saj profesionale janë vlerësuar edhe në Gjermani, ku në vitin 2025 u përfshi në listën e “Top Young Women Engineers in Germany”, një vlerësim që njeh gratë e reja me potencial dhe kontribut në inxhinieri.
Por suksesi i Xhenetës nuk kufizohet vetëm në karrierën profesionale. Ajo është e angazhuar edhe në mbështetjen e vajzave dhe grave që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në sektorin e teknologjisë. Përmes trajnimeve dhe iniciativave të ndryshme, ajo ndihmon gratë me prejardhje emigrante të zhvillojnë aftësitë digjitale dhe të krijojnë mundësi të reja për integrim dhe punësim.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i angazhimit të saj është humanizmi.
Xheneta mbështet projekte që synojnë përmirësimin e jetës së fëmijëve refugjatë, si dhe iniciativa për ndërtimin e protezave për personat në nevojë. Kështu, ajo dëshmon se teknologjia nuk duhet të jetë vetëm një mjet për zhvillim profesional, por edhe një mundësi për të ndihmuar njerëzit dhe për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Mesazhi i saj për vajzat shqiptare është i qartë: të besojnë në aftësitë e tyre, të mos kenë frikë të provojnë, të bëjnë pyetje dhe të mos ndalen kurrë së mësuari. Sipas saj, rruga drejt suksesit nis me kureshtje, guxim dhe gatishmëri për të dalë përtej kufijve të së njohurës.
Rrugëtimi i Xheneta Krasniqit është një shembull se si një pasion i lindur në fëmijëri mund të shndërrohet në një karrierë ndërkombëtare dhe, njëkohësisht, në një mundësi për të frymëzuar e ndihmuar të tjerët.
Nga kompjuteri i vjetër i familjes te projektet e së ardhmes në inteligjencën artificiale, historia e saj përcjell një mesazh të rëndësishëm: ëndrrat bëhen realitet kur shoqërohen me punë, përkushtim dhe besim në vetvete.
Gazetari Korçar Agim Xhafka ka rrëfyer një takim të papritur me deputeten e pavarur Marjana Koçeku në zonën e Bllokut në Tiranë, duke shprehur hapur respektin e tij për qëndrimet e saj politike.
“Po ecja në trotuar te Blloku. Përballë deputetja Mariana Koçeku.
Ajo shih, unë shih dhe sa u afruam: -Zotni Agimi? -Po, Marianë. E përqafova. Sa do i thoja, bijë, vura re që ishte më e vogël. Thuajse sa mbesa ime në USA. Ndaj nuk u vonova: -Po të quaj mbesë! Ok? Qeshi. E pranoi dhe shtoi: -Që në gjimnaz i kam ndjekur postimet e tua në fb.-më tha. -Unë ndjek opozitën tënde dhe të admiroj për… -Për? -Për kurajën që u largove nga ajo fole gjarpërinjsh dhe për mendimin tënd kristal. Plot logjikë dhe argument. E përqafova sërish. Kam bindje që kjo “mbesa” ime do të jetë një bijë e bekuar për vendin tim. Lutem e do të lutem për këtë burrneshë. Pa pushim…”
Artistja e njohur Çiljeta Xhilaga ka emocionuar ndjekësit me një urim të veçantë për ditëlindjen e Bekos, djalit të partnerit të saj, Alban Hoxha.
Përmes një postimi në Instagram, Çiljeta i ka dedikuar fjalë zemre, duke theksuar se edhe pse nuk e ka sjellë vetë në jetë, ka pasur privilegjin ta rrisë dhe ta dojë si fëmijën e saj.
“Dashuria nuk matet me gjak, por me zemër”, shkruan ndër të tjera artistja, duke shprehur dëshirën për të qenë pjesë e çdo hapi të jetës së tij.
Çiljeta është nëna e Fernandos dhe prej vitesh ndan jetën me portierin Alban Hoxha, duke krijuar një lidhje të veçantë edhe me djalin e tij, Beko.
Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik në Mal të Zi ka rikthyer në vëmendje historinë e lashtë të ilirëve. Arkeologët polakë kanë zbuluar rrënojat e dy ndërtesave madhështore, të cilat dyshohet se kanë qenë pallate mbretërore dhe mund të lidhen me mbretin Bardhyl dhe mbretëreshën Teuta.
Sipas profesorit polak Piotr Dyczek, pallati i parë duket se është shkatërruar nga një sulm i dhunshëm, i cili ka shkaktuar edhe djegien e tij. Mbi rrënojat e kësaj ndërtese është ngritur më vonë një pallat i dytë, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës dhe të pushtetit në këtë vendbanim të lashtë.
Ndërtesa e dytë paraqet elemente arkitekturore interesante, përfshirë blloqe dekorative dhe një hyrje të gjerë, e cila ishte pajisur me dyer druri. Këto karakteristika sugjerojnë se bëhej fjalë për një ndërtesë me rëndësi të veçantë dhe me funksion përfaqësues.
Nëse lidhja e këtyre ndërtesave me Bardhylin dhe Teutën konfirmohet nga kërkimet e mëtejshme, zbulimi do të përbënte një dëshmi të rëndësishme për historinë politike, arkitekturën dhe organizimin e oborreve mbretërore ilire.
Megjithatë, identifikimi përfundimtar i pallateve mbetet një çështje që kërkon prova të mëtejshme arkeologjike dhe studime shkencore.
Një tjetër gjurmë e së kaluarës ilire që mund të ndihmojë në ndriçimin e historisë së një prej qytetërimeve më të rëndësishme të Ballkanit të lashtë.
Protestat në Tiranë dhe pakënaqësia në rritje e të rinjve shqiptarë mund të jenë shprehje e një krize shumë më të thellë sesa kundërshtimi ndaj një qeverie apo një vendimi politik. Pas zemërimit të tyre fshihet një pyetje themelore:
a kanë ende të ardhme në Shqipëri?
Pagat e ulëta, papunësia, kostoja e lartë e jetesës, vështirësitë për të siguruar një banesë, korrupsioni dhe mungesa e besimit te institucionet po ushqejnë ndjesinë se puna dhe arsimimi nuk garantojnë më një jetë të qëndrueshme.
Një studim i Universitetit Columbia, me rreth 50 mijë pjesëmarrës në 92 vende, evidenton përkeqësimin e shëndetit mendor te të rinjtë, me rënie të optimizmit, vitalitetit dhe qëndrueshmërisë psikologjike. Edhe pse studimi nuk analizon drejtpërdrejt Shqipërinë, gjetjet ndihmojnë për të kuptuar krizën e perspektivës që prek brezat e rinj.
Në Shqipëri, kjo krizë shfaqet edhe përmes emigrimit.
Shumë të rinj zgjedhin të ndërtojnë jetën jashtë vendit, ndërsa të tjerë nuk ndihen të përfaqësuar nga politika tradicionale dhe kanë humbur besimin se zëri i tyre mund të sjellë ndryshim.
Në këtë kontekst, protesta bëhet një mënyrë për të shprehur zhgënjimin, pasigurinë dhe kërkesën për dinjitet, mundësi dhe përgjegjësi politike.
Problemi nuk është vetëm se të rinjtë po largohen apo po protestojnë. Problemi është se gjithnjë e më shumë prej tyre nuk e shohin Shqipërinë si vendin ku mund të ndërtojnë të ardhmen.
Ndoshta ky nuk është thjesht një brez që po ngre zërin. Është një brez që po kërkon një arsye për të mos u larguar.
Më 4 nëntor, Dr. Spiro Pine, mjek i njohur endokrinolog nga Korça, feston ditëlindjen. Një datë e veçantë për të shënuar jo vetëm një tjetër vit jete, por edhe një karrierë të gjatë profesionale, të karakterizuar nga përkushtimi, profesionalizmi dhe humanizmi.
I lindur më 4 nëntor 1953 në Korçë, Dr. Spiro Pine përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë me rezultate të shkëlqyera.
Karrierën mjekësore e nisi në shërbimin e urgjencës së Spitalit të Korçës, ndërsa gjatë viteve 1980–1984 kreu specializimin pasuniversitar në QSUT “Nënë Tereza”, në patologji të përgjithshme dhe endokrinologji.
Që prej vitit 1984, ai ia ka kushtuar jetën profesionale shërbimit shëndetësor në qytetin e Korçës, duke u bërë një prej emrave të respektuar të mjekësisë në këtë trevë. Me një përgatitje të vazhdueshme shkencore dhe një përvojë të gjerë klinike, ai ka kontribuar në trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve, veçanërisht në fushën e diabetologjisë dhe endokrinologjisë.
Veprimtaria e tij profesionale është pasuruar nga pjesëmarrja në konferenca dhe kualifikime ndërkombëtare, angazhimi pedagogjik pranë Universitetit “Fan S. Noli”, si dhe kontributi në studime e publikime shkencore në fushën e diabetologjisë dhe mjekësisë së brendshme.
Një tjetër dëshmi e besimit dhe vlerësimit institucional ndaj tij është edhe drejtimi i Spitalit Rajonal të Korçës gjatë viteve 1993–1996, krahas përgjegjësive të tjera të rëndësishme që ka mbajtur në shërbimin spitalor.
Por, përtej arritjeve profesionale dhe kontributit të tij në mjekësi, Dr. Spiro Pine vlerësohet edhe për dimensionin njerëzor, marrëdhëniet e respektit dhe miqësinë që ka ndërtuar ndër vite.
Voskopoja mbetet një nga destinacionet më të bukura turistike të qarkut të Korçës, por bukuria natyrore, trashëgimia kulturore dhe vlerat historike duket se nuk po shoqërohen me një jetë turistike aq të gjallë sa do të meritonte ky destinacion.
Gjatë vizitës në Voskopojë, ajo që binte në sy ishte qetësia dhe mungesa e turistëve.
Ndonëse bëhet fjalë për një prej destinacioneve më të njohura të turizmit malor dhe kulturor në juglindje të vendit, atmosfera turistike nuk ishte ajo që pritej…
Një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen ishte edhe fakti se Qendra e Informacionit Turistik (Tourism Center) ishte e mbyllur në momentin e vizitës sonë.
Një situatë që ngre pikëpyetje për shërbimet që u ofrohen vizitorëve dhe për mënyrën se si promovohet ky destinacion.
Voskopojës nuk i mungojnë potencialet. Kishat e vjetra, monumentet e kulturës, peizazhet malore, bujtinat dhe tradita e mikpritjes janë pasuri që mund ta kthejnë atë në një destinacion të vizituar gjatë gjithë vitit.
Por për këtë nevojitet më shumë promovim, organizim i aktiviteteve kulturore, shërbime turistike funksionale dhe një strategji që ta mbajë gjallë jetën e fshatit, jo vetëm gjatë fundjavave apo sezonit turistik.
Voskopojë nuk duhet të jetë thjesht një vend i bukur për t’u fotografuar, por një destinacion ku turistët qëndrojnë, eksplorojnë, konsumojnë dhe rikthehen.
Bukuria e saj është e padiskutueshme. Ajo që duhet të gjallërohet është jeta turistike, në mënyrë që ky destinacion i rëndësishëm i Korçës të marrë vëmendjen dhe zhvillimin që meriton.
Aktivisti Arian Koci ka ngritur shqetësimin për atë që e cilëson si “Shadow Ban” ndaj portaleve dhe faqeve të aktivistëve që protestojnë dhe denoncojnë zhvillimet në vend. Ai pretendon se faqet e tyre po përballen me kufizime në shpërndarjen e përmbajtjeve, duke bërë që postimet të mos arrijnë te e gjithë audienca.
Me pare te njejtin problem ka pasur edhe Korcablog.com .
“Jemi me Shadow Ban”, shprehet Ariani, duke akuzuar shtetin se po kufizon dukshmërinë e faqeve të portaleve dhe aktivistëve që marrin pjesë në protesta.
Gjatë reagimit të tij, ai përdor edhe një shprehje të fortë: “Jemi në komunizëm”, duke ngritur pikëpyetje mbi lirinë e shprehjes dhe mundësinë për të përcjellë informacionin te qytetarët.
Ndër të tjera, Ariani ndalet edhe te ardhja e trenit në Shqipëri…i Enver Hoxhes duke e përmendur si një tren madheshtor e gjigand …në të njëjtën kohë kur, sipas tij, zërat kritikë po përballen me vështirësi për të arritur publikun.
Aktivisti u bën thirrje ndjekësve që të komentojnë dhe të shpërndajnë postimet, me qëllim që përmbajtjet të marrin më shumë ndërveprime dhe të arrijnë një audiencë më të gjerë përmes algoritmeve të rrjeteve sociale.
“Komentoni dhe shpërndajeni”, është apeli i Arianit për ndjekësit.
Një aksident është regjistruar pak minuta më parë në qytetin e Korçës, brenda ambienteve të terminalit të autobusëve, ku një furgon është përplasur me një autobus.
Në pamjet nga vendngjarja shihet prania e policisë, e cila ka mbërritur për të ndjekur situatën dhe për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Ende nuk ka informacion zyrtar lidhur me shkaqet e aksidentit, ndërsa nuk dihet nëse ka persona të lënduar.
Pritet që autoritetet të japin detaje të mëtejshme për rrethanat e ngjarjes.
New York/ Një tjetër sukses Shqiptar në industrinë financiare Amerikane! Johan Vako është vlerësuar nga prestigjiozja InvestmentNews në listën “Best Wealth Managers and Advisors in the USA – 2026 Rising Stars”, duke u renditur mes profesionistëve premtues në fushën e menaxhimit të pasurisë dhe këshillimit financiar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky vlerësim përbën një arritje të rëndësishme në karrierën e Johan Vako-s dhe dëshmon përkushtimin, profesionalizmin dhe punën e tij në një industri konkurruese, ku besimi, përgjegjësia dhe vizioni afatgjatë janë thelbësore.
Në reagimin e tij pas këtij vlerësimi, Johan Vako shprehu mirënjohjen për klientët e WSAG, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi. Një falënderim të veçantë ai ia dedikoi edhe Syed Nishat, për mbështetjen dhe kontributin e çmuar.
Përtej një arritjeje personale, ky vlerësim është një motivim për të vazhduar rritjen profesionale, për të krijuar ndikim domethënës dhe për t’u shërbyer klientëve me përkushtim dhe integritet.
Vako vleresohet edhe per kontributet shumë te çmuara qe i ka dhene Pogradecit ne fushen e hoteleri -turizmit.
Urime Johan Vako për këtë sukses dhe përfaqësim të shkëlqyer në industrinë financiare Amerikane!
Promovohen si perla turistike të juglindjes, përfshihen në paketa turistike dhe reklamohen si destinacione që duhen vizituar, por realiteti në terren nxjerr në pah një problem thelbësor: mungesën e transportit publik. Liqenasi dhe Dardha janë dy shembuj konkretë të hendekut mes promovimit turistik dhe infrastrukturës së shërbimeve për vizitorët.
Rasti i Liqenasit dhe Gorricës(Prespa Lake) është një tregues domethënës i kësaj problematike.
Sipas informacionit të raportuar, udhëtimi nga Korça drejt Liqenasit dhe Gorricës ofrohet vetëm në orën 12:00, ndërsa kthimi drejt Korçës realizohet vetëm në orën 07:00 të mëngjesit.
Një skemë e tillë transporti e bën thuajse të pamundur vizitën ditore për turistët që nuk kanë automjet privat. Kush dëshiron të vizitojë zonën, praktikisht duhet të kalojë natën në Liqenas dhe të kthehet të nesërmen në Korçë.
Por këtu lind një tjetër pikëpyetje: A ka zona kapacitetet e nevojshme akomoduese për të pritur turistët?
Nëse transporti publik nuk ofron mundësi vajtje-ardhjeje brenda ditës dhe turistët detyrohen të qëndrojnë gjatë natës, atëherë lind nevoja për të ditur nëse ekzistojnë hotele, bujtina apo struktura të tjera akomoduese që mund t’u përgjigjen këtyre kërkesave. Për më tepër, mungesa e shërbimeve bazë, përfshirë edhe bankomatet, e vështirëson më tej qëndrimin e vizitorëve. Me heret eshte raportuar qe s’ka as farmaci.
Dardha, një tjetër destinacion turistik pa transport publik
Situata bëhet edhe më problematike në aksin Korçë–Dardhë dhe anasjelltas.
Gazetari i KorçaBlog.com ka pyetur pranë terminalit të transportit publik në Korçë për mundësinë e udhëtimit drejt Dardhës dhe ka konstatuar se nuk rezulton të ketë linjë të transportit publik me këtë destinacion.
Pra, një prej fshatrave më të njohur turistikë të juglindjes, i promovuar për turizmin malor, bujtinat, restorantet dhe natyrën, mbetet praktikisht i paarritshëm me transport publik për vizitorët që nuk disponojnë automjet privat.
Kjo ngre një kontradiktë të madhe: nga njëra anë, Dardha promovohet si destinacion turistik, ndërsa nga ana tjetër, mungon një shërbim bazë që do t’u mundësonte turistëve të mbërrinin atje.
Dy paketa turistike në promovim, por në terr për transportin publik
Liqenasi dhe Dardha janë dy destinacione me potencial të rëndësishëm turistik për qarkun e Korçës. Megjithatë, promovimi i tyre nuk mund të kufizohet vetëm te bukuritë natyrore, fotografitë dhe reklamat.
Turizmi kërkon edhe infrastrukturë funksionale, transport të organizuar, akomodim dhe shërbime për vizitorët.
Nuk mund të flitet për turizëm të aksesueshëm kur një turist që mbërrin në Korçë me autobus nuk ka mundësi të shkojë në Dardhë, ndërsa për të vizituar Liqenasin duhet të përshtatë të gjithë udhëtimin sipas një orari të kufizuar, duke u detyruar potencialisht të kalojë natën në zonë.
Kjo situatë ngre disa pyetje për institucionet përgjegjëse dhe strukturat që merren me promovimin e turizmit:
A është menduar ndonjëherë transporti publik si pjesë e paketave turistike që promovohen?
Pse nuk ka një linjë të rregullt Korçë–Dardhë?
A mund të shtohen oraret e udhëtimit drejt Liqenasit dhe Gorricës, duke mundësuar vajtje-ardhjen brenda ditës?
A janë verifikuar kapacitetet akomoduese dhe shërbimet bazë në këto zona?
Turizmi nuk është vetëm të promovosh një destinacion, por edhe t’i krijosh mundësinë turistit për të shkuar, për të qëndruar dhe për t’u kthyer.
Në të kundërt, kemi një turizëm që ekziston në broshura dhe në rrjetet sociale, por që për qytetarët pa automjet privat mbetet i paarritshëm.
Liqenasi dhe Dardha nuk kanë nevojë vetëm për promovim. Kanë nevojë për zgjidhje konkrete.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në Bashkinë Korçë, që lidhen me administrimin e të ardhurave publike, taksat e ndërtimit, zbatimin e kontratave, menaxhimin e pronave dhe funksionimin e strukturave të kontrollit.
Në raportin përfundimtar të auditimit financiar për vitin 2025, KLSH ka evidentuar 23 gjetje dhe ka dhënë 26 rekomandime. Shtatë prej gjetjeve dhe tetë prej rekomandimeve lidhen me mungesën e të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër me masa organizative dhe korrigjimin e parregullsive të konstatuara.
Një prej çështjeve më të rëndësishme që del nga dokumenti është moszbatimi i plotë i rekomandimeve të auditimeve të mëparshme, për të cilat bashkia kishte pranuar marrjen e masave.
Sipas KLSH-së, nga pesë rekomandime për mungesë të ardhurash, me vlerë të përgjithshme 712,653,000 lekë, vetëm një rekomandim me vlerë 22,341,000 lekë rezultonte i zbatuar. Katër rekomandimet e tjera, me vlerë 690,312,000 lekë, vijonin të ishin në proces zbatimi.
Edhe për masat organizative, nga 37 rekomandime të auditimit të mëparshëm, vetëm 16 ishin zbatuar, tetë ishin në proces dhe 13 nuk ishin zbatuar.
Ndërkohë, për 15 masa të rekomanduara për shpërblim dëmi, me vlerë 5,198,000 lekë, rezultonin të zbatuara 13 masa me vlerë 4,683,000 lekë, ndërsa dy masa me vlerë 515,000 lekë mbeteshin në proces.
Një tjetër gjetje lidhet me përllogaritjen e gabuar të taksës së ndikimit në infrastrukturë për gjashtë leje ndërtimi.
KLSH ka konstatuar diferenca në shumën 13,847,443 lekë. Nga kjo vlerë, 11,914,178 lekë u përkasin pesë lejeve të ndërtimit me pronarë dhe zhvillues të identifikuar në raport me inicialet L.L. dhe O.L., ndërsa 1,933,265 lekë lidhen me një leje tjetër, me zhvillues dhe pronar trualli B.K.
Audituesit kanë kërkuar arkëtimin e diferencave nga strukturat përgjegjëse të Bashkisë Korçë.
Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimit rezulton se bashkia kishte kryer kontabilizimin e shumës prej 13,847,443 lekësh. Për detyrimet e lidhura me O.L., në dokumentacionin e administruar nga KLSH rezultojnë pagesa sipas faturave përkatëse.
Ndërsa për shumën prej 1,933,265 lekësh, bashkia kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur përmbushjen e detyrimit dhe kishte paralajmëruar ndjekjen e rrugës gjyqësore në rast mospagese. Rekomandimi rezultonte ende në proces zbatimi.
Në raport përfshihet edhe një rast që lidhet me një kompleks turistik, në Voskopojë, me objekt ndërtimi tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.
Për këtë objekt, të miratuar me vendimin nr. 8590/22, datë 9 dhjetor 2022, me zhvillues shoqërinë e identifikuar me inicialin “S.” sh.p.k., KLSH ka kërkuar monitorimin e destinacionit të përdorimit.
Nëse konstatohet ndryshim i destinacionit të objekteve të zhvilluara sipas lejes së ndërtimit, bashkia duhet të përllogarisë dhe të arkëtojë diferencën e taksës së ndikimit në infrastrukturë prej 1,525,253 lekësh.
Në auditimet e mëparshme është evidentuar gjithashtu një rast ku objekti i miratuar me leje ndërtimi nuk respektonte përcaktimet e ligjit për strehimin social, lidhur me kontributin që duhet të japin subjektet private që aplikojnë për leje zhvillimi dhe ndërtimi.
Shkelje janë konstatuar edhe në kontratat e investimeve publike, ku audituesit kanë identifikuar punime të certifikuara, por të pakryera.
Në një kontratë për investimet në infrastrukturën rrugore, të lidhur më 10 maj 2023, me vlerë 41,059,400 lekë me TVSH, KLSH ka evidentuar diferenca në volumet e punimeve.
Konstatimet lidhen me shtresat e asfaltit, shtresat e binderit, spërkatjen me emulsion bituminoz, mbulimin e kanaleve dhe shtresat e rërës.
Për këto punime është llogaritur dëm ekonomik prej 1,718,360 lekësh pa TVSH.
Në projektin “Qendra e Kreativitetit, faza II”, me vlerë kontrate rreth 14.85 milionë lekë me TVSH, audituesit kanë evidentuar punime të certifikuara që nuk rezultonin të realizuara.
Mes tyre përmenden tenda e motorizuar me ndriçim dhe vetrata e aluminit me xham triplex. Dëmi ekonomik i konstatuar për këtë kontratë është 670,394 lekë pa TVSH.
Në kontrata të tjera janë evidentuar gjithashtu volume punimesh të pakryera, për të cilat KLSH ka kërkuar rikuperimin e shumave nga kontraktorët ose zbritjen e tyre nga garancitë e punimeve.
Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me kontratat e qirasë së tokave bujqësore dhe administrimin e pasurive të bashkisë.
Sipas auditimit, për 11 kontrata të qirasë së tokës bujqësore rezultojnë detyrime të papaguara prej 39,284,877 lekësh.
Për tri kontrata, me detyrime prej 2,039,679 lekësh, bashkia kishte nisur procedura gjyqësore për arkëtimin e shumave dhe zgjidhjen e kontratave.
Për pjesën tjetër të detyrimeve, KLSH ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe ligjore për arkëtimin e 37,245,198 lekëve.
Probleme janë konstatuar edhe në administrimin e tarifave të parkimit dhe lejeve të transportit.
Sipas raportit, për parkimet e rezervuara janë evidentuar raste kur kontratat janë lidhur me orare që nuk përputheshin me përcaktimet e vendimeve të Këshillit Bashkiak.
Për gjashtë subjekte hoteliere, audituesit kanë konstatuar se vendparkimet e rezervuara janë administruar me orare të kufizuara, megjithëse aktiviteti hotelier ushtrohet gjatë gjithë ditës.
KLSH ka evidentuar një diferencë prej 1,295,300 lekësh ndërmjet shumës që do të rezultonte nga rezervimi 24-orësh dhe shumës së arkëtuar sipas kontratave.
Në total, për administrimin e vendparkimeve të rezervuara janë evidentuar diferenca prej 1,326,070 lekësh.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu mungesë dokumentacioni për kontrollin e plotë të parkimeve me pagesë. Në raport përmenden mungesa të akt-rakordimeve, evidencave për administrimin e blloqeve të biletave dhe dokumenteve të kontrolleve periodike.
Për lejet e transportit, KLSH ka konstatuar se evidentimi i subjekteve dhe përcaktimi i të ardhurave është mbështetur kryesisht në kërkesat e paraqitura prej tyre, pa kontrolle të dokumentuara dhe pa shkëmbim sistematik informacioni me institucionet përkatëse.
Në administrimin e taksave vendore, raporti evidenton edhe një problem me shqyrtimin e ankimeve të tatimpaguesve.
Sipas KLSH-së, Bashkia Korçë nuk kishte ngritur dhe funksionalizuar strukturën e apelimit tatimor.
Audituesit kanë kërkuar që, deri në ngritjen e kësaj strukture, ankimet administrative të shqyrtohen nga autoriteti kompetent dhe jo nga e njëjta drejtori që ka nxjerrë aktin administrativ ndaj të cilit paraqitet ankimi.
Probleme janë evidentuar edhe në administrimin e gjobave të vendosura nga Policia Bashkiake.
Gjatë krahasimit të të dhënave të Policisë Bashkiake, Sektorit të Financës dhe Degës së Thesarit, audituesit kanë konstatuar mospërputhje në vlerat e raportuara.
Sipas Policisë Bashkiake, gjobat e likuiduara gjatë vitit 2025 arrinin në 1,032,620 lekë, ndërsa Sektori i Financës raportonte 973,000 lekë.
Ndërkohë, sipas rakordimit me Thesarin, derdhjet për gjobat rezultonin 604,400 lekë.
KLSH ka kërkuar verifikimin dhe dokumentimin e diferencave, si dhe përcaktimin e shkaqeve të krijimit të tyre.
Në administrimin e pasurive publike, audituesit kanë konstatuar se Bashkia Korçë administron 2,222 prona, nga të cilat 1,965 në pronësi dhe 257 në përdorim.
Nga pronat në pronësi, 279 janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 47 të tjera janë në proces certifikimi.
Megjithatë, 279 pronat e certifikuara në emër të bashkisë nuk ishin regjistruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale, pasi nuk u ishte përcaktuar vlera financiare.
KLSH ka evidentuar edhe pasaktësi në klasifikimin e aktiveve.
Në llogarinë e pyjeve, kullotave dhe plantacioneve ishin regjistruar 84 objekte me vlerë 20,310,296 lekë, të cilat sipas audituesve duhej të klasifikoheshin në kategorinë e rrugëve, rrjeteve dhe veprave ujore.
Një tjetër gjetje lidhet me dhjetë objekte të ujësjellës-kanalizimeve, me vlerë 38,896,711 lekë, të cilat vijonin të figuronin në kontabilitetin e bashkisë, megjithëse sipas dokumentacionit duhej të ishin transferuar te shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë.
Për këtë rast, KLSH ka konstatuar mbivlerësim të aktiveve në kontabilitet me afro 39 milionë lekë.
Auditimi ka evidentuar edhe probleme në menaxhimin e detyrimeve nga vendimet gjyqësore.
Gjatë vitit 2025, Bashkia Korçë ka regjistruar shtatë vendime gjyqësore me vlerë 38,473,043 lekë.
Gjashtë prej tyre lidhen me dëmshpërblime për pensionet e invaliditetit, me vlerë 38,022,134 lekë, ndërsa tarifat përmbarimore për këto detyrime arrijnë në 5,020,473 lekë.
Një vendim tjetër gjyqësor lidhet me largimin e një punonjësi nga puna, për të cilin është krijuar detyrim prej 450,909 lekësh.
Për këtë rast, KLSH ka konstatuar se nuk rezultonte një analizë e dokumentuar mbi shkaqet e humbjes së procesit gjyqësor dhe përgjegjësitë e mundshme administrative.
Një tjetër konstatim lidhet me detyrimin prej 10,571,376 lekësh për TVSH-në e projektit “Shfrytëzimi inteligjent i energjisë”.
Sipas audituesve, kjo shumë ishte regjistruar si detyrim i prapambetur i Bashkisë Korçë, megjithëse dokumentacioni kontraktor përcaktonte përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për pagesën e TVSH-së.
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në funksionimin e auditimit të brendshëm të bashkisë.
KLSH ka konstatuar se nuk ishte ngritur Komiteti i Auditimit, ndërsa planifikimi i kontrolleve të brendshme nuk ishte mbështetur plotësisht në analizën e riskut.
Në planifikimin e auditimeve nuk ishin përfshirë në mënyrë të përshtatshme disa procese me risk të lartë, përfshirë prokurimet publike dhe funksionin juridik.
Nga vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimit të brendshëm rezulton një nivel zbatimi prej rreth 63%, ndërsa 17 rekomandime ishin në proces dhe dhjetë të tjera të pazbatuara.
Krahas këtyre shkeljeve, raporti evidenton edhe probleme në realizimin e buxhetit dhe investimeve.
Gjatë vitit 2025, Bashkia Korçë ka realizuar vetëm 49% të investimeve të planifikuara. Nga 418,005,000 lekë të parashikuara për investime, janë realizuar 203,290,000 lekë, duke lënë të parealizuara 214,715,000 lekë.
Ndërkohë, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore kanë rezultuar 347,088,000 lekë më pak se plani.
Në fund të vitit 2025, detyrimet tatimore të papaguara ndaj bashkisë arritën në 668,442,106 lekë, nga 632,853,801 lekë që ishin në fund të vitit të mëparshëm.
Për mbledhjen e këtyre detyrimeve, KLSH ka kërkuar zbatimin e plotë të masave administrative dhe shtrënguese, përfshirë bllokimin e llogarive bankare, vendosjen e barrëve siguruese dhe ndjekjen e procedurave të ekzekutimit.
Në përfundim të auditimit financiar për vitin 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të konsoliduara të Bashkisë Korçë.
Raporti përmban 23 gjetje dhe 26 rekomandime, ndërsa verifikimi i rekomandimeve të auditimeve të mëparshme tregon se një pjesë e masave për arkëtimin e të ardhurave, rikuperimin e dëmeve dhe korrigjimin e parregullsive vijonin të mos ishin zbatuar plotësisht. /Pamfleti
Aktivistja Eva Pango ka reaguar përmes një videoje ku pergezon studentet qe kanë guxuar të flasin kundër pedagogëve, të cilët ajo i cilëson si “patronazhistë” dhe “spiunë”. Ajo u bën thirrje të rinjve që të mos ndalen me denoncimet, por t’i bëjnë publike rastet, duke treguar emrat dhe fytyrat e personave për të cilët kanë ankesa.
“Bravo që guxuat të flisni kundër pedagogëve patronazhistë. Tregojini të gjitha me fytyra, denoncojini të gjithë me emra”, është mesazhi i saj.
Më tej, aktivistja shpreh kritika të forta ndaj sistemit arsimor dhe situatës sociale në vend. Sipas saj, diplomat që marrin të rinjtë nuk po u garantojnë një të ardhme në Shqipëri, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të emigrojnë.
Pango i ka përshkruar problematikat sociale, duke pretenduar se mungesa e perspektivës po cojne te gjitheve ne emigrim ndersa vajzat drejt prostitucionit dhe djemtë drejt përfshirjes në drogë.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur protestat studentore në Tiranë po shoqërohen me kritika të drejtpërdrejta ndaj sistemit arsimor, pedagogëve dhe klasës politike, ndërsa të rinjtë kërkojnë ndryshime dhe përgjegjësi për problematikat që ngrenë.