Klaus Terezi, 24 vjeç, i diplomuar në degën e Teknologjisë së Informacionit (IT) pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, shpreh hapur pakënaqësinë e tij ndaj politikës shqiptare dhe ambicien për të ardhmen e vendit.
Ai deklaron se është distancuar nga partitë politike, pasi, sipas tij, nuk sheh një opozitë të vërtetë në Shqipëri.
“I kam lënë partitë, sepse për mua opozitë nuk ka. Mendoj se të gjitha partitë janë kthyer në kukulla të Edi Ramës, ndërsa ai është bërë kryetari i kësaj loje politike”, shprehet Terezi.
24-vjeçari, i cili thotë se është aktiv në protesta, nuk e fsheh dëshirën e tij më të madhe: të bëhet Kryeministër i Shqipërisë.
“E them me gjithë shpirt, dua të bëhem Kryeministër. Nuk jam aspak i kënaqur me mënyrën se si ka përfunduar Shqipëria dhe besoj se vendi ka nevojë për ndryshim të vërtetë”, deklaron ai.
Terezi thekson se nuk ka mbështetje financiare nga askush dhe se e konsideron veten një qytetar të zakonshëm, që ka paguar taksat dhe ka dhënë kontributin e tij për vendin. Ai shprehet se, edhe nëse nuk arrin të kandidojë përmes një force politike, kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga ambicia për të hyrë në politikë.
Një nga zotimet e tij kryesore lidhet me zbatimin e ligjit.
“Zotohem se ligjet do të zbatohen fije për pe, deri në detajin më të vogël. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht se kush është apo çfarë pozite mban”, përfundon Klaus Terezi.
