Një 17-vjeçar, i gjobitur me 5 milionë lekë për protestën e së shtunës, ka rrëfyer për News24 vështirësitë ekonomike me të cilat përballet familja e tij dhe pamundësinë për të paguar gjobën brenda afatit të caktuar.
Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, i mituri deklaroi se familja jeton me të ardhurat nga ndihma e aftësisë së kufizuar (Kemp), të cilat në total arrijnë në 240 mijë lekë. Ai tregoi gjithashtu se nëna i ka ndërruar jetë prej vitesh dhe se babanë nuk e ka njoftuar ende për gjobën, pasi nuk ka mundësi financiare për ta përballuar atë.
“Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur para shumë vitesh. Me Kemp jetojnë familjarët e mi, që marrin në total 240 mijë lekë. Nuk na dalin aspak”, u shpreh 17-vjeçari.
Ai tha se më parë kishte punuar në një mobileri, ku paguhej 360 mijë lekë, por të ardhurat nuk mjaftonin për të përballuar nevojat e përditshme.
I riu pretendoi se në momentin e protestës nuk ishte pjesë e tubimit, por po luante. Megjithatë, ai deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij dhe se do të vazhdojë të marrë pjesë në protesta.
“Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do të marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë”, deklaroi ai për News24.
17-vjeçari shtoi se përveç të ardhurave që përfiton familja, ai merr edhe një bursë shkollore, ndërsa shprehu pakënaqësinë për mungesën e mbështetjes nga shteti pas humbjes së nënës. Rrëfimi i tij ngre pikëpyetje mbi pasojat ekonomike që një gjobë e kësaj shume mund të ketë për një familje në kushte të vështira ekonomike.
