Turizmi në Korçë pa akses/ Liqenasi dhe Dardha promovohen si destinacione turistike, por si shkohet atje pa transport publik?

Promovohen si perla turistike të juglindjes, përfshihen në paketa turistike dhe reklamohen si destinacione që duhen vizituar, por realiteti në terren nxjerr në pah një problem thelbësor: mungesën e transportit publik. Liqenasi dhe Dardha janë dy shembuj konkretë të hendekut mes promovimit turistik dhe infrastrukturës së shërbimeve për vizitorët.

Rasti i Liqenasit dhe Gorricës është një tregues domethënës i kësaj problematike.

Sipas informacionit të raportuar, udhëtimi nga Korça drejt Liqenasit dhe Gorricës ofrohet vetëm në orën 12:00, ndërsa kthimi drejt Korçës realizohet vetëm në orën 07:00 të mëngjesit.

Një skemë e tillë transporti e bën thuajse të pamundur vizitën ditore për turistët që nuk kanë automjet privat. Kush dëshiron të vizitojë zonën, praktikisht duhet të kalojë natën në Liqenas dhe të kthehet të nesërmen në Korçë.

Por këtu lind një tjetër pikëpyetje: A ka zona kapacitetet e nevojshme akomoduese për të pritur turistët?

Nëse transporti publik nuk ofron mundësi vajtje-ardhjeje brenda ditës dhe turistët detyrohen të qëndrojnë gjatë natës, atëherë lind nevoja për të ditur nëse ekzistojnë hotele, bujtina apo struktura të tjera akomoduese që mund t’u përgjigjen këtyre kërkesave. Për më tepër, mungesa e shërbimeve bazë, përfshirë edhe bankomatet, e vështirëson më tej qëndrimin e vizitorëve. Me heret eshte raportuar qe s’ka as farmaci.

Dardha, një tjetër destinacion turistik pa transport publik

Situata bëhet edhe më problematike në aksin Korçë–Dardhë dhe anasjelltas.

Gazetari i KorçaBlog.com ka pyetur pranë terminalit të transportit publik në Korçë për mundësinë e udhëtimit drejt Dardhës dhe ka konstatuar se nuk rezulton të ketë linjë të transportit publik me këtë destinacion.

Pra, një prej fshatrave më të njohur turistikë të juglindjes, i promovuar për turizmin malor, bujtinat, restorantet dhe natyrën, mbetet praktikisht i paarritshëm me transport publik për vizitorët që nuk disponojnë automjet privat.

Kjo ngre një kontradiktë të madhe: nga njëra anë, Dardha promovohet si destinacion turistik, ndërsa nga ana tjetër, mungon një shërbim bazë që do t’u mundësonte turistëve të mbërrinin atje.

Dy paketa turistike në promovim, por në terr për transportin publik

Liqenasi dhe Dardha janë dy destinacione me potencial të rëndësishëm turistik për qarkun e Korçës. Megjithatë, promovimi i tyre nuk mund të kufizohet vetëm te bukuritë natyrore, fotografitë dhe reklamat.

Turizmi kërkon edhe infrastrukturë funksionale, transport të organizuar, akomodim dhe shërbime për vizitorët.

Nuk mund të flitet për turizëm të aksesueshëm kur një turist që mbërrin në Korçë me autobus nuk ka mundësi të shkojë në Dardhë, ndërsa për të vizituar Liqenasin duhet të përshtatë të gjithë udhëtimin sipas një orari të kufizuar, duke u detyruar potencialisht të kalojë natën në zonë.

Kjo situatë ngre disa pyetje për institucionet përgjegjëse dhe strukturat që merren me promovimin e turizmit:

A është menduar ndonjëherë transporti publik si pjesë e paketave turistike që promovohen?

Pse nuk ka një linjë të rregullt Korçë–Dardhë?

A mund të shtohen oraret e udhëtimit drejt Liqenasit dhe Gorricës, duke mundësuar vajtje-ardhjen brenda ditës?

A janë verifikuar kapacitetet akomoduese dhe shërbimet bazë në këto zona?

Turizmi nuk është vetëm të promovosh një destinacion, por edhe t’i krijosh mundësinë turistit për të shkuar, për të qëndruar dhe për t’u kthyer.

Në të kundërt, kemi një turizëm që ekziston në broshura dhe në rrjetet sociale, por që për qytetarët pa automjet privat mbetet i paarritshëm.

Liqenasi dhe Dardha nuk kanë nevojë vetëm për promovim. Kanë nevojë për zgjidhje konkrete.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.