7 Marsi – Dita e Mësuesit, datë historike për arsimin

Në të gjithë vendin 7 mars, festohet.
Në këtë ditë institucionet arsimore organizojnë evente të ndryshme për mësuesit, ndërkohë që këta të fundit, festojnë fillimisht me nxënësit e tyre. Nxënësit u dhurojnë lule dhe çokollata në shenjë falenderimi dhe respekti atyre që i mësojnë ABC-në.
Kjo festë kombëtare e ka zanafillën 133 vjet më parë, më 7 mars 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë e shkollës shqipe.

Vargjet e të madhit Naim Frashëri

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Dita e Mësuesit – 7 Marsi

Sot, më 7 Mars 2020, 133 vjet nga dita e themelimit te Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës,u shënua një kthesë thelbësore në historinë e popullit shqiptar e veçanërisht në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar.

Shkolla e parë shqipe kombëtare, ku mësimet mbaheshin në gjuhën shqipe, u themelua në kushtet e pushtimit osman, në Korçë më 7 Mars të vitit 1887.

Shkolla e parë shqipe u hap me inciativën e një grupi rilindasish dhe me përkrahjen e masave patriotike nga Korça, si dhe atyre të mërgimit.

Atëherë drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindësi e patrioti Pandeli Sotiri.

Ai ishte një patriot i madh, i cili me vizionin e tij njerëzor e kombëtar mundesoi qe të përhapet drita e arsimit dhe ngjallja kulturore e kombëtare e popullit shqiptar. Shkolla e parë shqipe konsiderohet një institucion kombëtar, si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga forma, sepse ishte shkolla e parë shqipe laike për nxënës të të gjitha besimeve, gjinive dhe shtresave popullore dhe demokratike ku mësimi jepej falas. Si e tillë, ajo shkollë u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare, sepse këtu mbizotronte parimi i kombëtares mbi ndasitë fetare.

Si për nga përmbajtja, struktura dhe plani mësimor shkolla në fjalë kishte fizionominë e një shkolle të përparuar, e cila shërbeu si penë (model) për shkollat e ngritura më vonë.

Në atë shkollë jepeshin lëndët: shkrim-këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre, edukatë muzike, etj.

Përmbajtja e kësaj shkolle
përshkohej nga fryma patriotike, e cila mbrohej nga lëvizja që kishte ngjallur Rilindja jonë kombëtare nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Realisht Korça për këtë arsye në historinë kombëtare zë një vend të madh dhe të pakrahasueshëm me qytetet tjera, sepse ishte e para në këtë drejtim.

Pas Pandeli Sotirit, drejtues të shkollës shqipe të Korçës, kanë qenë edhe disa personalitete të shquara të kulturës e të arsimit tonë të asaj kohe, si Petro Nini Luarasi , Nuçi Naçi, etj.

Në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të XIX-të, patrioti Petro Nini Luarasi, në Shqipërinë jugore hapi pesë shkolla shqipe, por qeveria turke i mbylli. Kontribut të çmueshëm në hapjen e shkollës së parë shqipe të Korçës dhanë edhe Naim e Sami Frashëri.

Në vitin 1890 në këtë qytet u hap e para shkollë fillore shqipe për vajza.
Si tekste shkolle të para u përdoren ato të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Jani Vretos dhe shënime të përgatitura sipas nevojës nga vetë mësuesit e shkollës.

Mësonjtorja e parë shqipe veproi 15 vjet, sepse më 1902 u mbyll mizorisht nga pushtuesit, por me vonë sërish u rihap. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë u bëne një repart pararoje për çuarjen përpara të arsimit kombëtar dhe për edukimin e ndjenjës patriotike në masat e gjera të popullit.

Për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, arsimtarët e popullit tonë kanë bërë sakrifica të mëdha. Prandaj, në këto kushte, duke nisur që nga Korça lindi dhe lëshoi shtat sistemi kombëtar edukativo-arsimor.

Rëndësia historike e 7 Marsit është dhe mbetet burim për frymëzimin edukativo- arsimor të rinisë dhe të gjithë popullit në përgjithësi, gjeneratë pas gjenerate, për të çliruar atdheun nga pushtuesit e huaj.

Duke ju uruar Ditën e Mësuesit – 7 Marsin, shpresojme qe vitet e ardhshme ,ditën e mësuesit,ta festojme në kushte dhe gjendje materiale me standarde më të mira.

Gëzuar 7 Marsin….!

Paçit shëndet e jetë ju mësimdhënës të dashur e të nderuar! Ju frymëzuat popullin shqiptar në rrugën e lirisë e të pavarësisë së arsimit shqip…!