Category Archives: KORÇA

Udhëtim në qytetin e serenatave atje ku turizmi merr një trajtë te re

Një udhëtim drejt qytetit të serenatave, në Korçën e mikëpritjes dhe në gjurmët e filmave shqiptar, ku turizmi merr një trajtë të re.. Bon Yoyage, nga Alma Celaj është një format i dedikuar tërësisht sektorit të turizmit dhe kryesisht strukturave akomoduese e pritëse (hotele, resorte,bujtina,agroturizëm) të sjella në ekran si sugjerim për fundjavën, pushimet verore apo ato sezonale ne Vizion Plus


Një qytet që ta fal magji,kemi mbëritur në qytetin e serenatave,ose siç të gjithe i referohen Parisi i Vogel,në fakt një qytet i vizituar pa fund nga Shqiptarët por edhe nga të huajt,jo vetëm ne fundjavë por gjatë gjithë vitit.Çfarë e bën atë tërheqës …janë njerëzit,sharmi i qytetit apo mikpritja e tyre …ketë e zbulojmë permes një guide të veçante në nje bisedë me Brunildën Petagogen dhe eksperten e Turizmit ,për me teper ndiqni videon e mësipërme.

MAGJEPSEM PAS TEJE O KORÇË ♥

Të dua përjetë o Korça ime
se ti përkëdhelje më fal,
kalldrëmeve vrapoj me ëndërrime
puth gurët skalitur plot mall.

Të dua ashtu siç je, Perëndesh’
të dua mes borës tek fle,
të ulem në gjunjë mes vargjesh
dhe lotët më shkojnë rrëke.


I lutem Zotit çdo mbrëmje
engjëjt e zjarrtë të të mbrojnë,
në ëndërra të shoh ty me ëndje
teksa befas diejtë perëndojnë.

Kitarat kurrë mos ndalen
si të çmendura të bien sokakëve,
qershorit blirët kur ngjallen
mos shkulen më prej çunakëve.

Të dua kur më thua mëngjezëve:
“Ç’ke sot pse s’po më flet” ?
Por kënga e çmendur e zogjve
s’më le të të flas i qet’.

[ Tomas Menkshi ]

Dedikim për të gjithë ata që e duan këtë qytet, në çdo rrahje zemre.

Fanka Efthimi nga Korça, femra e parë shqiptare që merr titullin Doktor

Nga Alfredo Pilika

Fanka Efthimi, me origjinë nga fshati Boboshticë i Korçës, është femra e parë shqiptare që merr titullin Doktor, pasi diplomohet në Universitetin e Sarbonës, në degën e shkencave të natyrës, ku punon disa vjet si asistente.
Fanka Efthimi me origjinë nga fshati Boboshticë i Korçës, lindi në Manastir më 1870. Me ndihmën e Gjerasim Qiriazit studioi në Kolegjin Amerikan të Samokovit në Bullgari.
Në vitin 1891, ajo së bashku me Sevasti Qiriazin u vendosën në Korçë për të pçelur shkollën shqipe të Vashave në Korçë.
Në kohën kur Sevastia ju desh të shkonte në Manastir, në vitin 1894, pasi Gjerasim Qiriazi ndërroi jetë, Fanka Efthimi se bashku me Parashqevi Qiriazin u kujdesën për mbarëvajtjen e shkollës. Lëndët që jepte mesim Fanka Eftimi ishin: Aritmetika, Historia dhe Gjeografia.
Në kushtet e rënda që u krijuan më 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkolla e vashave u mbyll dhe Fanka kthehet në Manastir. Gjatë këtyre viteve ajo diplomohet në Universitetin e Sarbonës, në degën “Shkencat e Natyrës”, punon disa vjet si asistente dhe më pas përfundon doktoraturën. Fanka Efthimi është femra e parë shqiptare që merr këtë titull.


Emigranti investon në vendlindje, sjell hipizimin në Korçë! Myrtollari: Është sport që të jep adrenalinë, kam ëndërr të krijoj një klub hipizmi që të nxjerr kampionë shqiptarë

Hilmi Myrtollari pas suksesit në Greqi si sportist është kthyer në vendilindjen e tij, duke hapur hipodrom në Turan të Korçës, ku stërvit të rinjtë në sportin e hipizmit dhe ofron guida turistike me kuaj. Lidhja e tij me kuajt është e hershme, një marrëdhenie reciproke me të cilën merr dhe dhuron dashuri.

Fillimi nuk ka qenë i vështirë, sepse jam rritur me dashurinë për kuajt duhet ta ndjejë njeriu dashurimë për kalin dhe kali për njeriun sepse ka diçka shumë të përbashkët”.


Hilmi Myrtollari ka qenë emigrant për shumë vite në Greqi, aty është bërë profesionist në sportin e hipizmit dhe ka fituar disa herë titullin kampion në Selanik.

Kam 30 vite që merrem me kuajtë. ndërsa si profesionist 20 vite që jap mësime për nxënësit. kampion kam dalë në 2010 dhe 2011 në shtetin grek në Selanik. Kam dalë kampion në gjithë Greqinë e Veriut”.

Një shtëpi kuajsh në vendin e tij është ëndrra e kthyer tashme ne realitet për Hilmiun. Prej 6 muajsh ne Turan te Korçes ai krijuar “Shtëpinë e kuajve” brenda së cilës kalon pjesën më të madhe te ditës. Ky është ambienti më i dashur për të nga i cili e ka te pamundur te shkëputet .Cdo mengjes fillon me pastrimin ,ushqimin dhe perkujdesjen per to.

Ëndrra ime ka qenë të realizoj këtë që kam bërë në Shqipëri. Këtu kemi disa raca të ndryshme, tani po i zgjedhim disa raca të urta, që të jenë miqësor me njerëz. Kemi kuaj për të mësuar fëmiëjt kemi dhe kuaj për guidat turistike”.

Hilmi Myrtollari kalon orë të tëra duke u kujdesur për kuajtë në fermë si dhe duke i stërvitur në pistë.

“Kali ka gjithçka të veçantë është i ndjeshëm ndaj njeriut, i përgjigjet urdhrave të tua, ti do të kalosh pengesat, ai e kalon. sa të shikon ndryshon komplet, është kafshë e veçantë.

Nis me pastrimin, me kalërimin, çdo ditë bën gjëra të ndryshme, edhe këtu jashtë në pistë i jep karota dhe ai të ndjek nga pas”.

Në këtë fermë janë 15 kuaj të racave të ndryshme, kryesisht për për të ushtruar hipizmin.

“Kjo është racë gjermane e kemi marrë para një viti dhe tani na bëri këtë të voglin, ishte surprizë. Kjo racë kali është për pengesa, për në pistë. I vogli është si një fëmijë, ka dëshirë të dalë jashtë. Gati është që tani të dalë në natyrë, por për ta kalëruar duhet 2-3 vite. të vegjlit i nxjerrim i trajtojmë në pistë që të mësohen të jenë miqësor me njerëzit”.

Kam gjithsej 15 kuaj, të ardhur nga Europa, çdo kal ka çmimin e tij. Sa kushton? Varet nga raca, fillojnë nga 3 mijë euro deri në 200-300 mijë euro që mund të marrësh pjesë në gara europiane”.

Më i preferuari për sportistin dhe sipërmarrësin Hilmi Myrtollari është ky kalë që ka marrë në Gjermani.

Çdo kalë të lë emocionet e veta, se ka një karakter dhe një lidhje me ty, për momentin kemi këtë pelën këtu që quhet Lejdi është Hanover, është racë gjermane, e ardhur nga Gjermania po punojmë që të ecë sa më mirë. Kjo është puna jonë”./reporttv/

“Thonë se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeni i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje dhe Mali i Thatë sa një lajthi. Domethënë kurrë.”

Kur Iljaz Mirahori ishte fëmijë dhe një ditë behari flinte në një lëndinë i bënte hije një shqiponjë duke i ndejtur sipër si satelit gjeostacionar. Ky fakt është prova se Mirahori ishte njeri i shenjtë dhe qyteti i Korçës që më pas e themeloi ishte një qytet i jashtëzakonshëm. Korça është një Zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. Motrat e Korçës janë Vjena, Roma, Londra. Vëllezërit e Korçës janë Parisi, Milano, Budapesti. Korça ka dhe plot kushurinj e kushurira, kunata, nipa, mbesa. Selanikun, Bukureshtin, Athinën, Stambollin, Zagrebin, Prishtinën, Shkupin.


Korça është i pari qytet ballkanik dhe i vetmi qytet shqiptar që është edhe kontinental edhe mesdhetar. Ky fakt gjeografiko-klimatik, kjo mpleksje e mesdhetarizmit me kontinentalizmin, e bën Korçën dhe hapësirën rreth saj një qytet absolutisht magjik, dhe udhëtimin drejt Korçës definitivisht magjepsës, të tillë që nuk mërzitet kurrë, edhe me miliona herë sikur të shkosh e të vish.

Si xhevahirët që ngado ti’ shohësh janë ndryshe të bukur, edhe hijeshia e Korçës varet nga cili drejtim e sheh, nga cila anë i afrohesh. Që udhëtimin drejt Korçës ta shijosh të tërin, në Korçë duhet vajtur i pa kushtëzuar nga kthesat e asnjë rruge, dredhat dhe ngushticat e asnjë shtegu, vështirësitë e asnjë pengese.

Pra e mira fare është në Korçë të shkosh si Zog’ i Qiejve. Në pamundësi për të vajtur në Korçë nga qielli, variantet e tjera janë këto; T’i afrohesh Korçës nga perëndimi. Kur ndodhesh mbi majë të Qafës së Thanës, mu aty, ndërkohë që ndjen se nga pas mesdhetarizmi i ngrohtë po jep shpirt, përpara po lind një fllad i ri, një magji e re, kontinenti. Po t’i afrohesh Korçës nga lindja, pra nga Devolli, provon ndjesinë e kundërt.

Nga pas le freskinë kontinentale, ndërsa përpara të pret ngrohtësia mesdhetare, Korça e butë dhe e ngrohtë. Ardhja në Korçë nga jugu nuk rekomandohet, është me zarar. Nga Gryka e Këlcyrës, Lugina e Vjosës, Laskoviku, Kolonja, ke bërë mbi 100 kilometra mes bukurive më tronditëse të planetit gjatë të cilave s’ke asnjë gjasë të shpëtosh pa u prekur nga “Sindroma e Stendalit”, pra nga bukuria që lodh dhe sëmur.

Dhe pas Stendalit dhe Sindromës së tij, edhe Korça të duhet, që të çmendesh ose të vdesësh. Udhëtarët me shije estetike më të sofistikuara mund t’i aviten Korçës edhe nga drejtime te tjera. Nga Gramshi nëpër rrjedhën e Devollit për të dalë në Maliq, pastaj në Korçë.

Kalimi nëpër këtë kanion me humnera dhe ujvara frymëndalëse nëpër këtë rrugë të cilën pak janë ata që e dinë se ekziston, është udhëtim që mbetet përgjithmonë në kujtesë. Nga Skrapari, përmes maleve. Ky variant, përveç sofistikimit të shijeve, kërkon edhe guxim, muskuj, si dhe përvojë, kushte këto që i plotësojnë fare pak entuziastë udhëtimesh, fatlumë për tu patur zili. Nga rrëzë Malit të Thatë, Podgorie, Zvezdë, Plasë, Korçë.

Ky variant i tërthortë është për të ngeshmit që nuk kanë problem kohën por vetëm rrënqethjet estetike të cilat i duan sa më të forta dhe që të zgjasin sa më tepër në kohë. Ky itinerar preferohet sidomos nga lasgushianë të krisur që shkojnë me shpresë se duke udhëtuar andej do shohin ndonjë “shqiponjë të arratisur që fluturon mbi Mal’ të Thatë”.

Kolonja, Poradeci, Devolli, Prespa, Voskopoja, janë 5 xhevahirët e gjerdanit të artë që zbukuron gushën e Zonjës Korçë. Vendet ku magjepsja Korçare bëhet e papërballueshme, vendet ku nga kjo magjepsje mund të të ikësh nga fiqiri janë dy; Prespa dhe Voskopoja. Njëra më magjike se tjetra janë që të dyja “Vende të Mira” si Jeruzalemi dhe Meka, ku po të jesh’ i sëmurë, shërohesh, po të jesh i shëndetshëm, nuk sëmuresh. Voskopja dhe Prespa janë të dyja vende të shenjta të pandotura nga kallaballëku. Kur ndodhesh në këto dy vende, kur bërtet dhe dëgjon jehonat, ke ndjesinë se po llafosesh me Zotin.

Po të flesh një natë në Prespë apo Voskopojë dhe nuk sheh asnjë ëndërr, testi i idotit të ka dalë me sukses. Vuan nga pamjaftueshmëri shpirtërore dhe cerebrale. Je qënie inferiore. Leri udhëtimet dhe leximet. Ik shit rraqe mbi ndonjë tezgë. Nëse idiot nuk je, dhe shtrihesh të flesh një natë në Voskopojë ose Prespë, kujdesu që gjatë asaj nate të mos të zerë gjumi. Lere atë natë të bardhë. Po fjete, me siguri do shohësh ëndërr, në ëndërr me siguri do shohësh Shenjtor, Kishë, afreske, varre të vjetër, Manastir me myshk, që do të çfaqen nat’ për nat’ 20 vjet rrjesht.

Shkodra i do, dhe mburret, por s’ka mardhënie të qënësishme me rrethinat e saj. Qytetarëia shkodrane ka qënë, dhe deridiku është, e lartë, por e izoluar, ishullore, sepse periferinë e ka pasur, dhe e ka, të paragjykuar, çka është një asimetri sa e panatyrshme dhe e pakëndëshme. Vlora është e dominuar nga krahinat përrreth, pra e çbalancuar. Gjirokastra është e njëjta gjë rrethepërqark. Libohoviti dhe tepelenjoti të nxjerrin sytë po u the se ata janë katundarë ndërsa gjirokastriti është qytetar. Durrsi është një mishmash. Lushnja, Fieri, Elbasani, s’merret vesh ku fillon qyteti ku mbaron fshati.

I vetmi qytet i Shqipërisë ku, si çdo qytet europian, qyteti është qytet dhe fshati është fshat, secili kryelartë në dinjitetin e vet, është Korça. Po Korça njërëzore, Korça nga brenda, si është vallë Korça nga brenda ? Qytet europian me kisha dhe kumbanore, me Zonja dhe Zotërinj si gjithë Europa, Korça ka një butësi të brendëshme të ruajtur me një vendosmëri të pashoqe që nuk kanë arritur ta prekin dot as luftrat dhe asgjë. Ta prekësh butësinë njerëzore korçare është më vështirë se të gërricësh diamantin.

Prandaj Korçës nuk guxoj t’i afrohem më tepër. Po të kuturisja do dukesha si elefanti brenda dyqanit të qelqurinave. Më merren mentë nga sofistikimi i saj. Më mirë më jep penel dhe ngjyra të bëj një Monaliza më mahnitëse se të Leonardos sesa të më shtjesh në mëkat të “vizatoj” Korçën. Do ishte njësoj sikur t’i thuash kovaçit të Sovjanit; Daltat dhe çekiçat i ke, mermerin ik merre në Strelcë, gdhëndmë Davidin. Ata që nuk i besojnë këto për Korçën janë lëkurë-shollët, soc-shkrimtarët, himnizuesit e djersës së kooperativës, mbledhjeve të kolektivit, adhuruesit e zborit, burgjeve, internimeve, pushkatimeve, punës me turne, bunkerave.

Të llafosesh për Korçën pa thënë dy fjalë për magjepsjen e saj më të hatashme, periferinë e saj në mbrëmje, zëre se s’ke thënë asgjë; Shkëlqar Voskopoja. Rrezar Shën Prodhomi. Vizllin Liqeri. Ngrysur Mal’ i Thatë. Vrënjtur Ivani. Zgjuar Gora. Fle Opari. Rrjedhin kruajt e Gorës. Paqe Prespa. Rrjedh Devolli. Raki’ heq Sovjani. Dehet Plasa. Aheng Zvirina. Fresk Dardha. Zheg Pirgu. Dasmë Lubonja, Krisëm Korita. S’pipëtin Dvorani.

Ulëret Ormani. Qan Qarri. Zjarr e flak’ Starja. Zymtohet Valamara. Vrënjtet Helmësi. Urtë Nizhaveci. Gjurulldi Kapështica. Prush nën kazana Boboshtica. Llaç e tulla Pojani. Valle hedh Bulgareci. Afër, fusha. Larg, fshatra. Më tutje, zjarre çobenjsh. Edhe më larg, horizonti, qielli. Akoma më larg, s’dihet se çfarë. Thonë se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeni i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje dhe Mali i Thatë sa një lajthi. Domethënë kurrë.

A ke dëgjuar ndonjëherë për një qytet në juglindje të Shqipërisë? Quhet Korçë, sigurisht që ke dëgjuar…

A ke dëgjuar ndonjëherë për një qytet në juglindje të Shqipërisë? Quhet Korçë, sigurisht që ke dëgjuar, ne qoftë se nuk ke dëgjuar, më vjen shumë keq për ty!

Duhet me se s’bën që ta shohësh, ta vizitosh, ta prekësh, ta ndjesh, të bëhesh njësh me të, dhe nëse arrin të bëhesh njësh me të, nuk do largohesh kurrë prej saj.


Do ngjitesh si me zamkë (thonë korçarët e vjetër), sepse Korça të ngop dhe të bën të dehur, të bën të ndjehesh rrëzëllitës kur ti kalon përgjatë rrugicave me kalldrëm, ndjehesh serenatist kur kalon poshtë ballkoneve ta mbushura plot me mëllaga apo me jargavanë, ndjesh piktor si Vangjush Mio kur shkon lart mbi kodrat e qytetit dhe shikon nje peisazh piktoresk të qytetit dhe të fushës së Korçës, ndjehesh fotograf si Sotiri apo edhe si Gjon Mili sepse ke plot ç’të shkrepësh në atë qytet, ndjehesh aktor filmash si Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Aleko Prodani e të tjerë sepse në çdo rrugice të kujtohet një film i vjetër shqiptar, ndjehesh poezi si ato të Skënder Rusit kur ulesh të pish nje kafe ne një nga kafenetë e shumta në Pazar apo në kembësoren e qytetit.

Do të ndjehesh vërtet edhe nikoqir, sikur je autokton, kur shikon burra e gra që fusin drutë e zjarrit nëper shtëpite e tyre duke u bërë gati për dimrin e bukur edhe ftohtë, madje edhe do habitesh disi kur shikon disa petë brumi të varura nëper ballkone dhe kur pyet se cfarë janë ato, të përgjigjen : – “Vertet nuk ke ngrënë petka?”

Ah sa e bukur është kjo përkëdhelia që këta i bëjnë çdo fjale, e trajtojnë sikur e kanë fëmijë të vogël, e shohin si të dashurën e tyre. E dua shumë gjuhën e tyre…

Anastas Avramidhi, korçari që u bë biznesmeni më i fuqishëm në Rumani

Janë të shumtë patriotët që shkrinë pasurinë dhe mundin e tyre, për të mirën e çështjes kombëtare. I tillë ishte dhe Anastas Avramidhi – Lakçe. Ai lindi në Korçë në vitin 1821 dhe vdiq në vitin 1890.

Lakçe njihet si një nga bamirësit dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria. Anastas Lakçe emigroi që në rini, drejt Rumanisë. Aty ai nisi të merret me shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Me një punë të palodhur, Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike në atë vend. Edhe pse larg atdheut, Lakçe nuk reshti së punuari për Korçën dhe Shqipërinë.

Këtë e dëshmojnë donacione e shumta për ndërtime rrugësh e shkollash në Korçë si dhe ndihmonte me të holla familjet e varfëra duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Ja çfarë thoshte Lasgush Poradeci për kontributin e veçantë të Lakçes:

“Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”

Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.
Më 1888-ën, Lakce publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frënge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe. Një nga veprat më të mëdha që njihet nga Lakçe është financimi për ndërtimin e katedrales të Shën Gjergjit në Korçë, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253. Më 1875-ë, u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e saj.

Por, ndërtimi i saj u ndërpre. Dikush ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një kështjellë.
Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen dhe për të vazhduar punimet. Këtu ndërhyri sërish Lakçe. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, edhe në këtë rast ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë, një grup arkitektësh specialistë, të cilët raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë. Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe, financoi që në fillim punimet me 5 000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.

Ndërtimi i Katedrales përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u përurua. Mbi portën e brendshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i bamirësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.

Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, Fan Noli, dorëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitropolitë të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës. Kjo mrekulli arkitekturore nuk i shpëtoi inatit të komunizmit pasi u hodh në erë me dinamit, më 1971. Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurinë e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.

Në testamentin e tij të fundit, donte tua linte pasurinë e tij shoqatave për promovimin e arsimit shqiptar, por testamenti i tij u bllokua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. /konica/ Korcablog/

7 marsi/mësues nga Kosova e Maqedonia vizitojnë Mësonjëtoren e parë

Dhjetëra mësues nga Kosova,Maqedonia e Veriut dhe qytetet e tjera të Shqipërisë kanë zgjedhur Korçën për të kaluar festën e 7 Marsit si dhe për të parë nga afër muzeun e Arsimit Kombëtar që ndodhet në këtë qytet, në godinë mbi 200-vjeçare.

Të gjithë kanë pranuar emocionet që ju ka shkaktuar prania për herë të parë në Muzeun e Arsimit, por nga ana tjetër nuk janë ndierë mirë kur nuk kanë pasur mundësi ta vizitonin nga brenda godinën, ku për herë të parë është shkruar dhe mësuar shqip.

Kjo për arsye se nuk është bërë inaugurimi . Godina prej gati 1 viti po i nënshtrohet rikonstruksionit total pasi ka qenë tejet e amortizuar.


Dikur quhej “Gjërixha” ndërsa tani Korçë, historia 520 vjeçare e një qyteti

Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti është si të mbetesh gjithë jetën kalama” – Ciceroni

Në vitin 1496, në fshatin Peskopje, që ishte në mvartësi të Korçës, përfundoi së ndërtuari Xhamia e Madhe, sot ndërtesa më e vjetër e qytetit të Korçës.

Ky objekt kulti ishte pjesë e një kompleksi fetar shoqëror që përbëhej, përveç saj, edhe nga tyrbja, hamami me ujësjellës, një imaret dhe Medreseja.


Sot, përveç xhamisë ekziston dhe tyrbja, kurse imareti, hamami me ujësjellës nuk ekzistojnë, janë prishur, siç u prish në mënyrë të pashpjegueshme edhe Medreseja, shkolla e parë e qytetit, në vitin 2009 duke i hequr Korçës një monument unik historik.

Këto ndërtime në fshatin Peskopje (Peshkëpi), u kryen nga Ilia Panariti, i biri i priftit të kishës më të madhe të fshatit Panarit, i cili pas një karriere të suksesshme ushtararake dhe administrative në Perandorinë Osmane në shekullin XV, u njoh nga historia me emrin e myslimanizuar Iljaz Bej Mirahori.

Ai ishte pjesëmarrës në pushtimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ku dhe u shpërblye nga sulltani me prona të shumta në lagjen e Stambollit “Jedi Kule” dhe në lagjen “Ivlanka”. Më e rëndësishme ishte kisha e Shën Kostandinit, që ndodhej në rrethet e “Jedi Kulesë”, të cilën ai e ktheu në xhami, e cila mban dhe sot emrin “Xhamia e Mirahorit” ose “Kisha – Xhami”(shih dorëshkrimin e S.Pulahës për jetëshkrimin e Iljaz Bej Mirahorit nxjerrë nga Enciklopedia turke e Sami Frashërit).

Më vonë Iljaz Bej Mirahori zuri postin e Valiut të Vilajetit të Janinës si dhe poste të tjera deri në detyrën e rëndësishme të Mirahorit, përgjegjësit të stallave të sulltanit, ndërkohë që u bë dhe edukator i sulltan Bajazitit II. Si u plak, Iljaz Bej Mirahori u kthye në Shqipëri dhe sulltani si shpërblim të shërbimeve të tij, i dha pronë fshatrat: Panarit (vendlindjen), Treskë dhe Trebickë.

Duke parë se kushtet gjeografike të këtyre fshatrave nuk lejonin krijimin dhe zhvillimin e një qendre qytetare dhe administrative, Iljaz Bej Mirahori, filloi të pregatitej të zbriste në fushën e Korçës, ku përcaktoi të përshtatshëm për qëllimet e tij fshatin Peskopje. Këtu ai bleu një kishë me emrin “Shën e Premte”, të cilën e bëri së pari teqe, më pas xhami dhe kjo sot është Xhamia e Madhe (N. Naçi “Korça dhe katundet e qarkut”, viti 1923,fq.57).

Xhamia përfundoi në vitin 1496 dhe po në këtë vit sulltan Bajaziti II, me kërkesë të Iljaz Bej Mirahorit, nxjerr dekretin sipas të cilit: “Dy fshatrat Panarit e Treskë, pronë personale e tij të shkëmbehen me fshatin Peskopje, në vartësi të Korçës, që ka dy pjesë…edhe unë ia dhuroj të lartpërmëndurit, të dy pjesët në fjalë” (Shih S. Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, fq.123).

Me këto veprime Iljaz Bej Mirahori hodhi themelet e qytetit të Korçës (S. Frashëri, Enciklopedia turke). Të njëjtin mendim shprehin shumë studiues që janë marrë me historinë e themelimit të Korçës, “Për Korçën, Themeltar është Iljaz Beu – Mirahor e Veli, i bir i ati prifti Panaritit i emëruar më parë Ilo, edhe si Themeltar duhet të quhet i pari mirëbërës i saj” (Nuçi Naçi, fq.64)

“Korça deri në ardhjen këtu të Koxha Mirahorit, atdhetarit të kryer në fenë islame…ishte një fshat i vogël që quhej Peskopi…, që kur ky vendosi ndejen e tij këtu si princ i vogël, që atëherë gradualisht Korça shkoi përpara…Prej këtij llogaritet dhe kronologjia e Korçës” (Thimi Mitko, vepra Tiranë 1981, fq.547).

Por a është vërtet Iljaz Bej Mirahori themelues i qytetit të Korçës së sotme?

Përgjigjen e japim duke shqyrtuar dokumentacionin që ekziston për Korçën dhe që na lejon të shohim meritën e Iljaz Bej Mirahorit në mos jo për “themelimin” e qytetit të Korçës së sotme, por për Rilindjen e tij 520 vjet më parë.

Të dy historianët që flasin për Korçën: Nuçi Naçi dhe Thimi Mitko, si e thonë vetë, kanë shfrytëzuar dokumenta të vjetra që ndodheshin në familjen Myteveli, pasardhësja e Iljaz Bej Mirahorit.

Këto dokumenta për fat të mirë, Myftar Grabocka që shërbente si Kryetar i Komitetit Ekzakutiv në Korçë, djalë nga zona e Vakëfeve, në vitin 1962, duke shfrytëzuar miqësinë me familjen e Mytevelijve, veçanërisht me zonjën e nderuar Jalldëz Myteveliu, nëna e dëshmores së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Floresha Myteveliu, i mori dokumentat origjinalë që ruante kjo familje.

Këto dokumenta u dorëzuan në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe sot ato janë materialet dokumentare më të vjetra që ka ky arkiv për periudhën e pushtimit turk. Ne do të paraqisim më poshtë këto dokumenta sipas botimit të tyre, që ka bërë Sejdin Ramo, në librin “Ilia Panariti dhe Korça”.

Dokumenti i parë i shkruar për qytetin e Korçës është regjistri turk i Korçës dhe Përmetit, i hartuar në vitin 1431, fill pas pushtimit osman. Sipas tij, krahina e Korçës u përfshi në Vilajetin e Korçës, me qendër Korçën, të cilën turqit e quajtën Gjërixhe, duke turqizuar emrin e saj të vjetër sllav Gorica.

Deri atëhere, Korça nuk përmendet në asnjë dokument të mesjetës Bizantine, megjithë ngjarjet e mëdha që ndodhin në këtë zonë, por “anashkalohet” kur përmenden shpesh zonat fqinje si Devolli, Kolonja, Skrapari deri tek Voskopi (shih P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, botim viti 2009).

Kjo tregon se turqit vetëm mbas pushtimit i dhanë rëndësi administrative Korçës, megjithëse ajo ishte shumë më e vogël se fshatrat rreth saj si Mborja me 70 shtëpi, Peshkopia (Peskopja) me 71 shtëpi. Në rregjistrin turk të vitit 1431 thuhet për Korçën, në faqen 69: “Vetë Korça, të pafetë që banojnë brenda në kështjellë: shtëpi 26, të reja 5, beqare 3, të ardhurat 1965.”

Këtu Korça paraqitet si kala e banuar dhe fortifikimi ka qenë shkaku që në të u vendos administrata osmane. Turqit nuk e ndërtuan vetë këtë kala, por e gjetën objektin e ndërtuar, gjë që vërtetohet nga fakti që banorët e saj ishin të krishterë. Turqit nuk mund të ndërtonin një kështjellë dhe ta popullonin me “të pafetë”, por në të vërtetë Korça si qendër e banuar, ka ekzistuar shumë vjet para ardhjes së turqve në Shqipëri, që ndodhi në fund të shekulli XIV.

Deri më sot, nuk njohim asnjë dokument historik të shkruar që të na njohë me kohën e ndërtimit të kalasë së Korçës si dhe me ndërtuesit e saj. Në mënyrë të tërthortë, mund të arsyetojmë nga dokumentat që kemi për kohën e ekzistencës së saj. Vetë emri sllav i saj Gorica, tregon se ajo ka një histori ekzistence shumë më të hershme se vitin 1431, kur u regjistrua nga turqit me emrin Gjërixhë. Dokumenti që e vërteton këtë fakt tërthorazi është “Gjenealogjia e Muzakajve”, ndoshta vepra më e rëndësishme dokumentare e Shqipërisë mesjetare.

Megjithëse e shkruar në vitin 1510, nga Gjon Muzaka, i emigruar në Itali mbas pushtimit turk të Shqipërisë, ai duke folur për parardhësin e tij, princin Andrea Muzaka, që arriti titullin e lartë Sebastokrator në vitin 1280-1281, duke përmenduar pronat që zotëronte ky princ shkruan: “Gjithashtu zotëroi dhe sundoi qytetin e Korçës deri në fshatin e quajtur Savojan, ku përfshihet edhe vendbanimi Viola, në të cilin mund të zihen peshq të mëdhenj e ngjala gjigande” dhe më poshtë vazhdon, “Ty, Don Andriani…po të le edhe vendet e Devollit të madh me qytetin e Korçës dhe katundin Sovjan”, (shih “Nga Paleologët tek Muzakajt”, fq.428 – 444). Ky dokument e çon ekzistencën e Korçës në shekullin e XIII, kur sundonte princi Andrea Muzaka, dhe e paraqet me fizionominë e një qyteti, pra themelimi i tij mund të jetë edhe përpara këtij shekulli. Është e qartë se turqit e gjetën Korçën me një kala të konsoliduar sepse përmendet shpesh në regjistrin turk të vitin 1431, nëpërmjet pronave të rojeve të kësaj kalaje. Por, kemi të paqartë vendin se ku ndodhej kalaja, pra qyteti i Korçës, për të cilin shkruan Muzaka dhe flet regjistri turk i vitit 1431.

Një pjesë e studiuesve e vendosin kalanë e Korçës të regjistruar nga turqit në vitin 1431 në zonën ku ndodhet sot hotel Koçibelli, shtëpia e Sugarëve, ku në 10 dhjetor 1916, u ngrit flamuri dhe u shpall Republika e Korçës, e kufizuar në Jug nga lumi, sot shëtitorja ‘F.S. Noli’.

Më i shquari ndër ta, Prof. Dr. Pirro Thomo, në librin më serioz të shkruajtur për Korçën në kohën e sotme, botim i Akademisë së Shkencave “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, fq.44, shkruan: “… vendndodhja e kalasë mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brenda territorit të kufizuar nga lumi (sot shëtitorja F.S.Noli), rruga 6 Dëshmorët, Shëtitorja e Shën Gjergjit dhe rruga që të çon në Pazar.”

Këtë vendndodhje jep në librin e tij “Mbi themelimin e Korçës” (shoqëruar dhe me një skicë amatore) edhe studiuesi Arben Gjata, në fq.48 “Vendosja e kësaj kalaje mesjetare, mund të përcaktohet e shtrirë në lagjen “Kala”, siç quhej deri në fillim të shekullit të XX, e kufizuar nga bulevardi Shën Gjergji, ish-lumi dhe hotel turizmi Grand.”

Për vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës, argumenti i vetëm që sjell studiuesi Pirro Thomo dhe të tjerët, është fakti që një lagje e qytetit të Korçës është e emëruar deri vonë lagja e “Kalasë ”.

Edhe Karmici, pedagogu grek që shkroi librin “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit” kur numëron lagjet e qytetit përmend dhe lagjen “Kala”, e cila përfshihej në Varoshin e sipërm dhe banohej nga popullsi e krishtere. Po kështu edhe Nuçi Naçi në librin e tij të parë të vitin 1901, në numërimin që i bën lagjeve të qytetit përmend edhe atë të kalasë. Me këta studiues bashkohet dhe arkeologu P. Lera,

14281422_1225732487479523_1121611529_nnë revistën “Tempulli”, ku shkruan duke iu referuar burimeve toponomastike për vendndodhjen e kalasë “Të moshuarit e qytetit tonë të dy anët e bulevardit Themistokli Gërmenji (shën Gjergji) i thësirnin me emrin “Kalaja”, “lagja e Kalasë” ose “sheshi i Kalasë”. Këto toponime që ruhen ne gojën e popullit janë sinjale që evokojnë aty praninë e një ndërtimi fortifikues.

Të njëjtat argumente toponomistike sjell edhe Arben Gjata në studimin e tij, por ai shton si argument tjetër për vendodhjen këtu të kalasë edhe gjetjet në vitin 1923 dhe 2000 të disa fragmente muresh të zbuluara gjatë ndërtimeve të shekullit XX, si në shtëpinë e Sugarve, hotel Koçibelli dhe së fundmi në objektin e Bazeve, midis hotel Koçibellit dhe shtëpisë së Sugarve.

Studiuesi P. Lera, mbi bazën e teknikës së ndërtimit dhe përmasave të murit të zbuluar, arrin në konkluzionin që kemi të bëjmë me një ndërtim fortifikues dhe jo me një ndërtim të thjeshtë. Pra, Petrika Lera njësoj si Arben Gjata, arrin në përfundimin se traktet e mureve të zbuluara në këtë zonë në vitin 1923 dhe 2000, përfaqësojnë mbetjet e murit rrethues të kalasë së Korçës.

Por të gjitha këto fakte nuk mjaftojnë për të vendosur përfundmisht vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës sepse ka studiues të tjerë që paraqesin shumë fakte dhe e vendosin kalanë e Korçës ne nje tjetër vend, në kodrat e qytetit.

Vetë arkeologu Lera pranon se gjatë punimeve ndërtuese të kryera brenda territorit ku supozohet se ka qënë shtrirë kalaja në fushë buzë lumit nuk janë konstatuar gjurmë godinash qe të mund të vërtetohet ekzistenca e një kalaje-qytet. Ç’u bënë 25 shtëpitë brenda kalasë për të cilat flet regjistri turk i vitit 1431? Asnjë dokument, asnjë gojëdhënë nuk na flet se deri kur qëndroi në këmbë kalaja e Korçës, pse u zhduk pa lënë gjurmë “në mes të qytetit” që po zhvillohej bashkë me 25-33 shtëpitë që kishte në vitet 1431-1568 sipas regjistrave kadastralë turk?

Nuçi Naçi në veprën e tij “Korça dhe katundet e qarkut”, botimi i parë në Sofje në vitin 1901, tjetri në shtypshkronjën ‘Dhori Koti’ në Korçë, në vitin 1923 (burimi më i plotë për historinë e qytetit të Korçës dhe të lidhjeve të tij me Iljaz Bej Mirahorin) nuk na flet fare për kalanë e Korçës si objekt fortifikues dhe zanafillë e qytetit të Korçës. Ai shkruan për kalanë e Mborjes, për kështjellat e Plasës, për fortesat e shënuara të Pilurit, për gërmadhat që tregojnë vjetërsinë e fshatrave Barç, Voskop, etj.,por për kalanë e Korçës dhe zanafillën e saj nuk ka asnjë të dhënë.

Ai përmend kalimthi në librin e tij disa toponime që gjenden në zonën e pretenduar për vendndodhjen e kalasë në fushë, që u përmëndën dhe më lart. Duke folur për krojet e qytetit ai shkruan: “Kronjat e Shën Mërisë. Kur hyjmë në port’e madhe e avllisë së kësaj kishe si për brenda portës e për jashta në të mengjur ka dy kronja. Ujët e këtyre vjen nga ca mburime që kanë qënë në vendin e emëruar kala.” (N. Naçi, Korça dhe katundet e qarkut.Fq.49).

Vini re me kujdes, Nuçi Naçi nuk thotë në vendin ku ka qenë kalaja, por thotë në vendin e emëruar kala.Ai në botimin e vitit 1923, kur flet për ndarjet e Korçës (lagjet), thotë varoshi përbëhet prej 9 lagjesh-mehalla, të cilat pas vjetërsisë së tyre quhen: Penço, Manço, Mando, Qiro, Mano, e Lumit, e Sahatit, e Qoshkut dhe Radanecit. Varoshi i Korçës i cili konsiderohet si pjellë e kalasë në botimin e vitin 1923 nuk përmban lagjen “Kala”, të cilën e kishte përmendur në botimin e vitit 1901.

Sejdin Ramo në studimin e tij për historinë e Korçës ( “Ilia Panariti dhe Korça”, botim i vitin 2003), pasi ballafaqon të gjitha mendimet për vendodhjen e kalasë në fushë ose në kodër jep shpjegimin e toponimeve që kanë lidhje me kalanë, të ndodhura në qytetin e Korçës si lagja “Kala”, sheshi i kalasë, vendi i emëruar kala, etj. Sipas tij “Lagja e Kalasë do të jetë formuar nga banorët e kalasë që kanë zbritur nga kodrat ku ka qenë vendosur në fushën buzë lumit të Moravës.

Për nostalgji apo traditë, vendbanimin e tyre të ri, ku ata ndërtuan shtëpitë e quajtën me emrin e mëparshëm Kala, ashtu si banorët e Barçit, kur zbritën në fushë, e quajtën lagjen ku ngritën shtëpitë e tyre, lagjia e Barçit. Kjo provohet edhe me faktin që keto janë nga lagjet më të reja të qytetit.” (S.Ramo – Ilia Panariti dhe Korça, fq. 75).

Fenomene të tilla ndeshen dhe në ditët tona. Pas viteve 90, në perëndim të qytetit të Korçës, u krijua lagja “Lavdarakët” nga banorët e zbritur nga fshati Lavdar, ose më qartë në rrugën e Voskopojës, karshi varreve të fshatit Gjonomadh, nga banorët e fshatit Lavdar, u krijua një qendër e banuar me emrin “Lavdar”. Kështu shpjegohet edhe prania e toponimeve që kanë lidhje me emrin “Kala” në qytetin e Korçës. Përsa u përket trakteve të mureve të zbuluara në vitin 1923 dhe 2000, të pastudiuara nga specialistët, ato që sipas P. Lerës i përkasin një ndërtese të vjetër me tipare fortifikuese, kemi një të dhënë interesante.

Në librin “Mborja ndër vite”, faqe 73 lexojmë: “…Thimi Mitko, i cili shkruan në greqisht në vitin 1929, në revistën periodike greke “Pandora”, midis të tjerash ai thotë: “Mbi themelimin e Korçës duhet thënë, se në vendin ku shtrihet sot qyteti, në periudhën bizantine, qe një bujtinë e fortifikuar, pronë e të bijës së Hegjemonit, qëndra e të cilit ndodhej në vendin e quajtur qytet (Kala e Mborjes)”.

Duke folur për Korçën, Thimi Mitko e përsërit praninë e këtij objekti fortifikues në fshatin Peshkëpi, fshati që u transformua nga Iljaz Bej Mirahori në qytetin e Korçës ku jetojmë sot.

Edhe më poshtë Th. Mitko përsëri thekson: “Meqënëse pozicioni i saj (Korçës VD.) ndodhet në një kalim publik (rrugë publike), atëherë këtu gjendej dhe një bujtinë me rëndësi.” (Th. Mitko, vepra fq.547). A mund të jetë kjo bujtinë e fortifikuar e kohës bizantine para turke shkaku i mureve të gjetura në vitet 1923-2000?

Ekzistenca e këtij objekti të fortifikuar që përmendet në disa dokumenta, nuk është provuar në asnjë vend tjetër me gjithë gërmimet e shumta të bëra për ndërtime në qytetin e Korçës. Megjithatë, pranojmë që këto mure të evidentuara në zonën e qytetit të emërtuar lagjia “Kala”, mbeten temë e hapur për studiuesit në të ardhmen.

*Shoqata Atdhetare Kulturore “Vakëfet”, Dega Korçë

Mahnitëse/Pamjes së bukur piktoreske me bore i shtohen dhe Sorkadhet pranë rrugës në Dardhë

Bora dhe temperaturat e ulëta në juglindje të vendit kanë sjellë edhe një pamje më natyrale, sidomos në fshatin turistik të Dardhës në Korçë.

Pamjes së bukur piktoreske, këtë herë i janë shtuar edhe tre sorkalle, të cilat kanë dalë shumë pranë rrugës në Dardhë.

Në një video tre sorkadhe shfaqen shumë pranë rrugës për në fshat, dhe nuk tremben aspak nga automjetet që kalojnë ku ashtu si njerëzit po i ‘gëzohen’ këtyre ditëve me borë në Dardhë.

Pazarit te Korçes i bashkohet- “Belle Cafe”

Nje cafeteri e stilit unik,me linjat elegante te klasikes dhe me prekjen magjike te pianos Pariziene te vitit 1844.

Kafja me kremin artizanal perzgjedhja e rafinuar e menu-së ,ekselenca ne sherbim dhe kujdesi per çdo detaj bejnë natyrshëm diferencën.

Belle Cafe është bërë per tu dashuruar dhe perjetuar me të gjitha shqisat,per tu parë, per të shijuar, per të fotografuar momentin Tuaj perfekt ne interiorin gati kinematografik te saj…

Belle Cafe eshte nje ndalese per frymezim.

Mund ta gjeni ne Instagram:bellecafe2021

Dardha, destinacioni i preferuar edhe për sportin e skive

Nën bardhësinë e dëborës, Dardha merr pamjen tjetër, e cila i tërheq edhe më tepër vizitorët drejt saj. Mundësia për të ushtruar sportin e skive, gatimet tradicionale, por mbi të gjitha peizazhi i zbardhur, po josh çdo fundjavë edhe qindra vizitorë nga Tirana dhe qytete të tjera.

E vetmja pistë për ski në qarkun Korçë e madje në gjithë Shqipërinë është kjo e Dardhës.


FOTOT QË NUK DUHEN HUMBUR, KUR KORÇA MBULOHET NGA DËBORA

Qyteti i Korçës kete javë Janari eshte mbuluar nga dëbora. Zbardhja i jepte këtij qyteti një pamje magjike, ku çdokujt do i pëlqente të shijonte boren e pare.Fotot nga Pazari i Vjetër, Pedonalja Katedralja apo rrugicat tregojnë sesa magjike bëhet Korça gjatë sezonit kur në të bie borë.Disa ditë në Korçë, duke bërë patinazh e duke shijuar gatimet tradicionale të këtij qyteti te mrekullueshëm, do ishin festat dhe pushimet me te bukura dimerore.

Më poshtë shfaqim disa nga fotot më të veçanta