“Nëse situata përkeqësohet …”/ Përhapja e koronavirusit, vihet në pikëpyetje zhvilimi i Euro 2020

Situata e koronavirusit në Itali ka bërë që e gjithë Europa të jetë në gadishmëri për raste të cilat do të duhet kurim. Por një nga terrenet që ndihmon në përhapjen e këtij virusi padiskutim që është stadiumi, vendi ku mblidhen mijëra njerëz dhe qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.

Për këtë arsye gjashtë ndeshje të kësaj jave në Seria A do të luhen me dyer te mbyllura, por ndërkohë kjo ka vënë në diskutim edhe organizimin e shumë kompeticioneve të tjera siç është edhe Europiani, që do të mbahet këtë verë.

Për më shumë tre ndeshje të Europianit do të luhen në Itali dhe lidhur me fatin e Europianit, anëtari i Komitetit të UEFA-s, Mishele Uva, ka deklaruar:

“Ne jemi në fazën e pritjes. Jemi duke monitoruar çdo shtet dhe futbolli duket të ndjekë të gjitha vendimet e marra nga të gjitha shtetet. Europiani do të ndalet vetëm nëse situata përkeqësohet.”/shqiptarja

Shkon në 11 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, rritet ndjeshëm numri i të infektuarve

11 persona kanë humbur jetën ndërkohë që 322 rezultojnë të prekur; ky është bilanci aktual në Itali nga koronavirusi.Nisur nga çfarë raportojnë mediat fqinje, mësohet se viktima e 11-të është grua 76-vjeçare, ndërkohë që gjatë orëve të fundit janë ndarë nga jeta edhe tre të moshuar.

Saktësisht 240 raste dhe 9 viktima janë në Lombardi, 43 raste dhe dy të vdekur në Veneto, 26 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Lazio, 3 në Siçili, 2 në Toskanë, një në Alto Adige dhe një tjetër në Liguria.

Giuseppe Conte ishte shfaqur disi më optimist në daljen e fundit: jam i bindur se në ditët në vijim, do të arrijmë ta frenojmë përhapjen e sëmundjes, u shpreh ai. Pak pas deklaratës së kryeministri, një 72-vjeçar u konfirmua me koronavirus në Liguria. Kreu i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, u përpoq megjithatë ta minimizonte rëndesën e situatës, duke pranuar se gjendja është e vështirë megjithatë jo aq e rrezikshme sa thuhet.

Sipas tij, virusi është shumë agresiv në përhapje, por më pak në pasoja dhe duhet trajtuar pak a shumë, si një grip normal. Kësaj linje i qëndron dhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Por virologu Alexander Kukele tha për Deutschlandfunk, se Spahn është duke e nënvlerësuar rrezikun e koronavirusit.

“Nëse vdekshmëria tek gripi është 0,1% në rastet e Covid 19 është më e lartë, 0,5-1,5%. Kjo do të thotë, se për ata që infektohen, virusi është 10 herë më i rrezikshëm”, deklaroi Kukele, duke kujtuar se koronavirusi i ri mund të jetë vdekjeprurës jo vetëm për pleqtë, si në rastin e gripit, por edhe për personat e moshës.

Lajmet për përhapjen e shpejtë të virusit ndryshojnë nga ora në orë. Kroacia njoftoi rastin e parë me Covid 19; pacienti është një djalë i ri i kthyer nga Milano. Austria gjithashtu zbuloi dy raste në rajonin e Tirolit, në kufi me Italinë. Turqia ka izoluar 132 vetë në bordin e një avioni të ardhur nga Irani prej dyshimit për persona të infektuar. Në një hotel në Tenerife të Spanjës janë izoluar me qindra pas dyshimit të përhapjes së infeksionit. Në Iran rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit edhe vetë zëvëndësministri i Shëndetësisë. Videoja që e tregonte Iraj Harirchi duke fshirë djersët në një konferencë për shtyp gjatë fushatës kundër virusit, është bërë virale.

Vetëm disa orë më vonë, Harirchi u konfirmua dhe vetë si i prekur nga virusi.

Ndryshon orari për ndeshjen Vllaznia – Skënderbeu, ja kur do të luhet

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Skënderbeut ishte planifikuar të luhej ditën e shtunë në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Megjithatë së fundmi ka pasur një ndryshim orari për këtë ndeshje dhe do të luhet në të njëjtën ditë, por në orën 14:00. Pikërisht shkak për këtë është bërë një problem në rrjetin elektrik në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ndeshja nuk do të mund të luhet me drita.

Gjithashtu të shtunën do të luhen edhe 3 ndeshje të tjera, siç është ajo Bylis-Flamurtari në 14:00, Luftëtari-Laçi në 14:00 dhe Teuta-Kukësi në 17:00. Ndërkohë të premten në 19:00, do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit në 19:00.

 

Vjen lajmi i madh për futbollin në Shqipëri, FSHF në përpjekje për ndryshimin e shumëpritur në lojë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po bën përpjekje që shumë shpejt të fillojë dhe ta praktikojë sistemin var. Madje, shtëpia e futbollit shqiptar po planifikon që sistemin VAR të fillojë ta përdorë nga ky edicion. Duket mision i pamundur, por Tirana zyrtare e ka marrë seriozisht këtë punë.

Ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2022 do të zhvillohen në stadiume të cilat i plotësojnë mundësitë e përdorimit të sistemit VAR. Në këto kualifikime do të marrë pjesë edhe Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Prandaj ,një delegacion i FIFA-s sot apo nesër do të zbret në Shqipëri dhe do t’i inspektojë disa stadiume në të cilat pritet të luajë Kombëtarja Shqiptare. Bëhet fjalë për stadiumet: “Air Albania”, “Loro Boriçi” dhe “Elbasan Arena”.

Pastaj, do të fillojë faza përgatitore e instalimit të sistemit VAR në këto stadiume. FSHF po shpreson që kjo punë të kryhet sa më shpejtë në mënyrë që pjesën e fundit të kampionatit shqiptar ta shfrytëzojë edhe për përdorimin dhe testimin e këtij sistemi para se të vijnë kualifikimet e Botërorit për të qenë të gatshëm por edhe që kampionatin e ardhshëm vendor të klubeve ta mbajë sa më të rregullt me sistemin VAR. /GazetaExpress

George Williams: E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Evropës

Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën, siç dashuroj burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë pesë imperatorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lan gjynahet e saj. Unë protestova kundër paudhësisë së Europës, kundrejt Shqipërisë, lashë vendin tim zyrtar dhe ju siguroj, që unë besoj sa ajo ditë që unë protestova për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime… Tregtia e Amerikës duhet të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit amerikan. Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time.

Xhorxh Fred Uilliams

Populli shqiptar me fisnikërinë, bujarinë dhe çështjen e të drejtë ka bërë shumë e shumë miq të sinqertë e të nderuar. Një nga këta është edhe Xhorxh Fred Uilliams (George Fred Williams), ish–ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal të Zi. (1913-1914)

Ai u njoh me çështjen shqiptare dhe e përkrahu Shqipërinë në periudhën më të zezë të historisë së saj, në vitin e kobshëm 1913. Erdhi për herë të parë në Shqipëri, në Vlorë, i thirrur nga miku dhe bashkëpatrioti i tij Dankon për të parë me sytë e vetë krimet çnjerëzore që kishin bërë shovinistët grekë kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare. Pa fëmijë, gra e pleq të masakruar rrugëve dhe mbi 100.000 refugjatë shqiptarë nga krahinat jugore mbledhur në ullishtat e Vlorës. Këto krime të paimagjinueshme e revoltuan dhe e drithëruan shpirtin njerëzor e demokrat të Uilliamsit. Pas kësaj ai u kthye menjëherë në Athinë, ku mori takim me zyrtarët më të lartë qeveritarë të Athinës, duke protestuar ashpër, njoftoi qeverinë e tij në Amerikë dhe që nga ai çast nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij në mbrojtje të Shqipërisë. I ngarkuar me cilësinë e vëzhguesit të qeverisë amerikane në Komisionin Ndërkombëtar për ndarjen e Kufijve të Shqipërisë, Uilliamsi ngriti zërin dhe protestoi ndaj planeve për copëtimin e Shqipërisë, duke thënë fjalën e vet me kompetencë si në mbledhje të ndryshme, edhe në shtypin e kohës që gazetat dhe revistat amerikane, greke dhe angleze, si dhe në shtypin shqiptar në Shqipëri dhe në atë të diasporës.

Qëndrimi i Uilliamsit nuk i pëlqeu Europës dhe bënë ç’ishte e mundur për ta hequr qafe, duke e akuzuar se kishte thyer normat protokollare, nga që i kishte tërhequr vërejtjen qeverisë greke për masakrat në Shqipëri, duke mos e pasur këtë të drejtë si diplomat pa marrë më parë autorizimin e qeverisë së vet. Prof. G.F. Williams, si njeri me karakter dhe dinjitet, siç deklaron vetë, dha dorëheqjen nga karriera diplomatike me këto fjalë të shkruara me dorën e vet:

“Dukej një detyrë njerëzore, sheshazi për të shkye maskën që mbulonte diplomacinë europiane dhe për të ekspozuar fytyrën e saj, të luere me gjak patriotësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe mbasi qeshë i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bënja. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë”.

Mbas këtij veprimi, Uilliamsi iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Duke qenë dhe mik personal dhe i adhuruar i Presidentit Wilson, ai mundi që të sensibilizojë opinionin amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare me motive fisnike tepër humane: “Me ndihmu një njeri është një bamirësi, me liru një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme”.

Libri “Shqiptarët” është një ekstrakt i historisë shqiptare. U botua fillimisht në një revistë të kohës që më 1914-1915 dhe më 1919 si libër i veçantë. Derisa arriti në atë veprimtari, Uilliamsi u angazhua gjithashtu në një sërë mitingjesh në SHBA. Në të parin që u mbajt më 7 nëntor 1915, krahas shumë amerikanëve dhe shqiptarëve, midis të cilëve juristi Asa French, zonja dhe zoti Kenedi, të shquarit Fan Noli, Kristo Dako e Parashqevi Qirjazi ishte edhe G. F. Williams. Në fund të mitingut ai lexoi edhe rezolutën për mbrojtjen e çështjes shqiptare, botuar në anglisht dhe shqip.

Vepra e këtij miku të vërtetë të Shqipërisë gjithë kohën ka pasur dhe ka ruajtur vlerën e saj, por ajo ka një vlerë të jashtëzakonshme sot, kur çështja kosovare dhe çështja çame kanë dalë në evidencë dhe kërkojnë zgjidhje të drejtë dhe sa më të shpejtë, ndërkohë Europa, atë që gatoi mbrapsht tetëdhjetë vjet më parë, ka shansin tani ta rregullojë, duke larë kështu fajet e saj. Ndërkohë që Amerika jo vetëm me diplomatin Williams, por edhe me anë të vetë ish- presidentit Wilson e ka thënë fjalën e vet, që më se treçerek shekulli më parë, duhet ta thotë përsëri me forcë dhe përfundimisht. Çështja shqiptare duhet zgjidhur drejt, kombi dhe tokat shqiptare duhet të bashkohen. Këtë mesazh na dërgon e gjithë jeta dhe vepra e G.F. Williams, e cila përshkohet fund e krye nga lufta për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat e njeriut, të cilat po ngrihen dhe mbrohen me aq shumë forcë, kur Shqipëria dhe populli shqiptar kudo që ndodhet nuk do as më shumë se çfarë thotë Karta e Helsinkit dhe ajo e Parisit për të drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe për të drejtat e njeriut.

Prandaj ne shqiptarët e përkujtojmë dhe i përulemi me respekt këtij miku të madh, i cili më 10 korrik pati përvjetorin e 160 të lindjes dhe më 11 korrik edhe 80-vjetorin e vdekjes.

Një popull “Nobel”

Xhorxh Fred Uilliams

Trimëria e shqiptarëve nuk njeh kufi. Ata e përballojnë vdekjen dhe torturën pa asnjë hezitim. Fjala e tyre një herë e dhënë është më e shenjtë se betimi i dhënë te popujt e qytetëruar. Mikpritja e tyre s’ka të krahasuar. Ajo nuk pushon deri sa të mos ngelë gjë për të ndarë e për të dhënë.

Shqiptarët trashëgojnë pamundësinë për t’i fyer në nder. Kjo është një praktikë e përjashtuar, sepse po i fyeve do të përballosh në mënyrë të detyruar larjen e hesapeve me gjak.

Bajroni i ka bërë homazhe kësaj race shqiptare pse e njohu personalisht dhe jetoi midis këtij populli. Respekti për moshën është një nga karakteristikat e shqiptarëve. Ata janë korrektë, të dashur kundrejt tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm. Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre. Ata zbatojnë urdhrin e tyre me saktësinë më të madhe. Fjalët e tyre dhe sjellja e tyre shoqërohen nga dinjiteti.

Siç kemi thënë më përpara, një fyerje ndaj tyre riparohet në mënyrë shumë të tmerrshme. Nuk lejojnë servilizmin, lajkatarinë ose mosobligimin në një punë që jepet fjala. Mikpritja gjen shprehjen më kuptimplotë në Shqipëri. Një fyerje që i bëhet një mysafiri kap jo vetëm të zotin e shtëpisë, por gjithë fisin. Ai që vret mysafirin dënohet nga fisi dhe vdekja e tij është e paevitueshme.

Shqiptarët janë të fuqishëm. Gegët e Veriut janë më të lartë në trup se sa toskët e Jugut. Ata janë gjithashtu më të rëndë, më kokëfortë dhe më këmbëngulës. Një shkrimtar kur flet për malësorët shqiptarë i krahason ata me drerët e malit që hipin në shkëmbinjtë më të thepisur dhe ecin nëpër ta, pa pasur frikën e rënies nëpër humnerat më të llahtarshme dhe asnjë i gjallë s’mund të futet atje pa ekspozuar humbjen e jetës. Besa ose fjala e nderit për shqiptarin është institucion i shenjtë. Një fjalë e dhënë, pa e detyruar tjetrin, e shoqëruar me besë, duhet të respektohet me çdo kusht dhe s’merret parasysh asnjë rrethanë. Një udhëtar i pajisur me besë gëzon mbrojtjen e të gjithëve, ai është i shenjtëruar.

***

Virtytet e femrës shqiptare janë unikale në botë. Kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore ndëshkohen me vdekje. Në asnjë vend të botës një femër nuk gjendet në një siguri e mbrojtje më të madhe se sa në Shqipëri.

Ai që vret një grua dënohet me dënimin kapital. Femra në Shqipëri punon në shtëpi, por ajo është trajtuar me respekt dhe zë në shoqëri një vend më të nderuar se në vendet e Lindjes. Një shqiptare mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, në një siguri të plotë.

… Nënësia është shumë e nderuar dhe kurorëzon fisnikërisht jetën e femrës. Dashuria dhe bukuria luajnë një rol të vogël. Konsiderata për një femër rritet në përjetim me numrin e fëmijëve që ka.

***

Që të kemi një paqe komplete duhet të formohet një Shqipëri Autonome që të zotërojë lirinë në mënyrë më të plotë. Shqipëria nuk mund të ndahet midis fqinjëve, ashtu siç nuk mund të ndahet çdo vend i Europës.

Europa tashmë e ka krijuar Shqipërinë e pavarur dhe s’duhet të hedhë poshtë pemët e saja, prandaj ajo duhet ta mbështetë atë. Një Shqipëri e formuar mbi një plan federativ mund të jetë një kërcënim për planin e Ballkanit. Ajo s’mund të ketë marinë që të alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ndërtimi i rrugëve të hekurta dhe përmirësimi i porteve të Shqipërisë do t’i japin Serbisë një dalje në det, në Mesdhe. Ky rezultat mund të arrihet më me lehtësi në marrëveshje tregtare, miqësore edhe paqësore se sa me tentativë pushtimi. Një Shqipëri e pavarur do të inaugurojë një erë të re, duke zhvilluar normalisht dhe duke fituar prosperitetin për të cilin ajo ka të drejtë. Shqipëria do të zëvendësojë me rrugë të përshtatshme ato rrugë të këqija që ka sot. Ajo do të kthejë fshatrat në qytete dhe këto qytete do t’i kthejë në qytete të lulëzuara.

Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Europës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim. Europa e krishterë është e përgjegjshme për robërinë dhe varfërinë e popullit shqiptar. Unë mund të dëshmoj që me gjithë protestat e mija, Europa e krishterë është shkaku i eksodit të dhimbshëm të 100.000 fshatarëve që duhet t’i linin vatrat dhe pasurinë e tyre dhe të vinin si refugjatë në Vlorë ku ata do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet, pa numëruar ata që janë pa ndihmë dhe mbështetje.

***

Të krishterët europianë duhet të punojnë për të lehtësuar mizerjen nga skllavëria e pamerituar e shqiptarëve. Shtetet e Bashkuara që kanë fatin të kenë një qeveri që qeveris një shtet të lirë, i dalë nga vullneti i popullit sovran, qeveri që përpiqet nga dita në ditë që të sigurojë përparimin, lulëzimin dhe që ka dhënë mbi të gjitha dashurinë për të ardhmen, Shteteve të Bashkuara i bije për detyrë t’i rrethojë shqiptarët me këtë vëllazërim, me këtë dashuri njerëzore që s’e kanë njohur deri tani.

Kundër gjithë gënjeshtrave dhe akuzave se shqiptarët janë egërsira unë citoj fjalët e Eriksonit, këshilltar amerikan, që ata e kanë dashur dhe e duan, pse ai ka punuar e jetuar midis tyre. “Nuk ka popull më të dëshirueshëm dhe më të dashur në gjithë Europën se Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajon, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme!”.

Njerëzit e Shqipërisë shohin te Krishti dhe Muhamedi dy profetë që i nderojnë si të tillë. Ç’fatkeqësi! Ata i thërrasin më kot! Si njeri e si tjetri të ndihmojnë vendin e tyre. O Krisht! O Muhamed! Kujt t’i drejtohen që të drejtat e tyre tashmë të njihen?

Jam i bindur se popujt që po luftojnë (në Luftën e Parë Botërore- MG) me aq ashpërsi, një ditë do ta përfundojnë atë, dua të them që këtij konflikti mizor do t’i vijë fundi. Ata duhet të dëgjojnë Zotin dhe duhet t’i sigurojë Shqipërisë lirinë.

Shpresat dhe sytë e së gjithë botës janë drejtuar drejt paqes, në bazë të së cilës duhet të krijohet një vëllazërim dhe kooperim intim i frymëzuar nga ndjenjat njerëzore e jo të forcës.

Kjo paqe do t’i njohë çdo race edhe çdo kombi të drejtën e ekzistencës. Në këtë mënyrë, nuk do të jenë më të penguar, nga barrikadat artificiale, të ngritura me vështirësi të pakapërcyeshme për mbrojtje dhe që për to popujt duhet të sakrifikojnë kohën e tyre më të mirë, paratë dhe shpirtin e tyre.

“L’Albania”, Zvicër, Nr. 7 16.12.1915

EKSKLUZIVE/ Bregu drejt largimit, zbulohet destinacioni i sulmuesit

Dejvi Bregu është loj tari i momentit në Korçë. Jo vetëm prej golave vendimtarë që ka shënuar së fundi, por mbi të gjitha prej merkatos. Shitja e tij duket se është çështje ditësh dhe destinacioni mund të jetë Suedia. Pas deklaratës së dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga presidenti Ardjan Takaj se negociatat po kryhen në një vend nordik, gazeta ka hulumtuar dhe ka zbuluar shumë më shumë se kaq. Burime më shumë se të sigurta bëjnë me dije se në lojë për shërbimet e shtatshkurtrit është Hamarbi, klub që më herët ishte interesuar edhe për Blerim Krasniqin.

Duke parë që merkatoja në kampionatin suedez dhe në vendet e tjera nordike mbyllet më 31 mars, koha është e gjitha në dispozicion të Skënderbeut që të përfundojë të gjitha detajet e fundit për kontratës dhe transferimit e sulmuesit.

DETAJET E KONTRATËS

Të njëjtat burime bëjnë me dije se drejtuesit janë duke e marrë me qetësi këtë “operacion”. Klubi korçar kërkon të “qëndisë” gjithçka në perfeksion për këtë lëvizje. Këtu nuk i referohemi vetëm shumës që do të përfitojnë, pasi po tentojnë që të ruajnë edhe përqindje të kartonit të lojtarit. Kjo është një praktikë që ndiqet shpesh dhe një formë e mirë për të gjeneruar të ardhura ekstra në rast rishitje. Në Korçë po bëjnë çmos që gjithçka brenda një muaji dhe pa ardhur vera, pasi ndryshe do të rrezikonin që t’u ikte një “yll” me parametra zero. Ndaj, nëse gjithçka shkon sipas planit, fundi i marsit mund të sjellë largimin e Bregut dhe mbushjen e arkës së bardhekuqve.

FORMA DHE GOLAT

Zgjatja e merkatos në Suedi i vjen në ndihmë edhe Ilir Dajës. Trajneri bardhekuq do ta ketë Dejvi Bregun në dispozicion edhe për disa javë, madje ekziston mundësia që ta mbyllë edhe fazën e tretë të kampionatit me të. Por sigurisht edhe për vetë lojtarin ka “bonuse”, pasi pret që të shkojë në gjendje optimale tek ekipi i ri. Sulmuesi jo vetëm që është i përfshirë në një tratativë të gjatë për transferimin e tij jashtë Shqipërisë, por është kthyer edhe në golashënuesin e Skënderbeut. Ai u ka dhënë pikë të arta korçarëve. Ndaj Tiranës shënoi golin në barazimin 1-1, ndërsa me Teutën realizoi një dopietë që u dha fitoren bardhekuqve. Me këto tri rrjeta në 180 minuta, Bregu kap kuotën e golave të shënuara edhe një vit më parë me korçarët. Kjo paraqitje duket se e ndihmon jo vetëm ekipin, por edhe vetë lojtarin për të gjetur destinacionin e mundshëm për të, pavarësisht se jemi në ditët e fundit të muajit shkurt.Panorama Sport

Edhe Spanja në ‘alert’/ Një italian i prekur nga koronavirusi në një hotel, qindra të tjerë kontrollohen…

Një hotel në Tenerife në Ishujt Kanarie të Spanjës është mbyllur pasi një mjek Italian i cili ndodhej me pushime rezultoi pozitiv ndaj testit të koronavirusit duke bërë që Spanja të mprehë vigjilencën duke kontrolluar qindra turistë në Tenerife ku u raportua edhe person i infektuar.

Qindra pushuesve në Hotelin ‘H10 Costa Adeje Palace’ iu kërkua fillimisht të qëndronin në dhomat e tyre deri në momentin kur edhe do përfundonte vizita mjekësore ndaj të gjithëve, raportojnë mediat spanjolle.

Mjeku raportohet se është nga rajoni i Lombardisë, ku autoritetet italiane po luftojnë me një shpërthim momental të kësaj epidemie.

Sipas gazetës El Pais të Spanjës, zyrtarët shëndetësorë po kryejnë testime në zonë turistike në Adeje, vend ky i njohur si një nga më të vizituarit nga pushuesit britanikë.

Në Spanjë deri më tani ishin raportuar dy raste të prekurish nga virusi vdekjeprurës, ndërsa tani pritet që numri të shtohet pas kryerjes së analizave në qindra persona të dyshuar.