Superliga shqiptare në “terr total”, FSHF-ja i heq të drejtën e transmetimit Supersportit…

Ndërsa të gjithë prisnin që nesër të shihnin ndeshjen e parë të javës së 29-të të Superiores mes Luftëtarit dhe Partizanit, një gjë e tillë rrezikohet mos të ndodhë. Federata Shqiptare e Futbollit i ka hequr të drejtën e transmetimit të ndeshjeve DIGITALB dhe SuperSport duke e njoftuar se nuk mund të transmetojë ndeshjen e nesërme dhe ato në vazhdim për shkak se nuk janë shlyer detyrimet për muajt e fundit sa i përket të drejtës televizive.

Një lajm ky i bujshëm që vjen në një moment mjaft të vështirë për tifozët. Pandemia e Covid-19 i ka ndaluar ata për të qenë prezentë në stadium. Si të mos mjaftonte kjo, tanimë rrezikohet që kampionati shqiptar të jetë në “black-out” total dhe ata që mund ta ndjekin do të jenë vetëm “aktorët” e fushës.

Njoftim për shtyp

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me çështjen e transmetimit të ndeshjeve te Kategorisë Superiore. Duke filluar nga ndeshja e ditës së diel, datë 14.06.2020 mes Partizanit dhe Luftëtarit, FSHF ka vendosur pezullimin e transmetimit te ndeshjeve te javës së 29-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nga shoqëria “Digitalb”.

Ky vendim vjen si pasojë e neglizhencës kontraktore nga ana e subjektit të licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe ezaurimit të të gjitha hapave të nevojshme ligjore. Më konkretisht, përmes njoftimeve Nr. 725 Prot. datë 17.05.2019, Nr.1099 Prot. datë 02.09.2019 dhe Nr.337 Prot. datë 09.03.2020 me lëndë “Përmbushje detyrimi” FSHF ka kërkuar pagimin e shumës së akumuluar si pasojë e mospagesës, por pa pasur asnjë përgjigje zyrtare nga ana e “Digitalb”.

Pavarësisht sa më sipër, duke mos dashur “black-out”-in e aktivitetit futbollistik FSHF ka propozuar më datë 04.06.2020 një skedul pagesash për të amortizuar borxhin duke vendosur një afat të arsyeshëm për pagimin e tyre. Me kalimin e këtij afati dhe në mungesë të një përgjigje zyrtare, FSHF njofton me keqardhje se është e detyruar të pezullojë transmetimin për “Digitalb”. Pa paragjykuar hapat e nevojshëm ligjor, ky ndalim i transmetimit do të vijojë deri në përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

FSHF dëshiron të nënvizojë se borxhi i akumuluar është i konsiderueshëm dhe se në kushtet kur këto janë të ardhura të drejtpërdrejta të klubeve anëtare, të cilat privohen padrejtësisht prej tyre, aq më shumë në situatën e vështire ekonomike të shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Sakaq, krahas përpjekjeve për kapërcimin e kësaj situate, FSHF ka marrë përsipër kostot për transmetimin e ndeshjeve në faqen e saj zyrtare në internet http://www.fshf.org pa pagesë në mënyrë që futbolldashësit shqiptarë të mos humbasin mundësinë për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës.

Fuga:”Kemi arritur fazën e çmendurisë”- shenja që shkolla është kthyer në një lloj rostiçerie për kurs shoferash kamjonash

Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas testit për provimin e maturës shtetërore të Gjuhës dhe Letërsisë dhe konkretisht është përqendruar tek një pyetje.Nëpërmjet një shënimi të gjatë në facebook, Fuga thotë se në Shqipëri është arritur faza e çmendurisë tërësore, ndërsa thekson se pyetja ‘për Turin’ ishte tregues se shkolla është kthyer në një lloj rostiçerie për kurs shoferash kamjonash për koperativa bujqësore.Më tej Fuga thekson se pyetja ‘për Turin’ “është pikërisht ajo që pritej, degjenerimi i sistemit arrin në një moment në pikën e idiotësisë”.

Reagimi i plotë: 

Turi dhe idiotët

Cfarë bëri Turi?

Pyetja për Turin në testin e maturës 2020 nuk ishte as e thjeshtë dhe as e vështirë. Ishte thjesht pyetje idiote!Për ata që nuk e dinë pakashumë pasi jepej një tekst për Turin në barkë, teksti ndërpritej dhe pyetej se çfarë do bënte Turi më pas nga alternativat që jepeshin!

Vetëm letërsi nuk ishte. Ishte një tallje! Ishte një idiotësi mbi të gjitha, ishte matësi i degjenerimit të arsimit te ne, më shumë, ishte një ofendim i intelektit të maturantëve, ishte shenja e qartë që shkolla është kthyer në një lloj rostiçerie për kurs shoferash kamjonash për kooperativa bujqësore.

Cfarë lidhje ka vazhdimi i një teksti me letërsinë? Kujtojnë se maturantët janë amnezikë, janë me Alzeimer që të kenë vështirë gjejnë lidhjen mes një fjalie dhe një fjalie tjetër.Kjo pyetja me Turin është pikërisht ajo që pritej, degjenerimi i sistemit arrin në një moment në pikën e idiotësisë.

Turi ishte në një barkë, ai pa një shkëmb përpara dhe…

Turi bëri shurrën nga frika mund të shkruante dikush!

Një tjetër : Turit i shpëtoi në brrekë!

Një tjetër : Turi nisi të masturbohej!

Dhe dikush : Turi vrau veten duke mos marrë më frymë!

O idiotë të arsimit! A e kuptoni se nuk ka asnjë vazhdimësi logjike të hekurt mes veprimeve njerëzore të mëparshme dhe të mëpasshme që gjoja ua jep arësyeja?

O injorantë të kulturës! A e kuptoni se ju nuk mund të mendoni në vend të Turit dhe nuk mund të prisni që Turi të bëjë atë që mendoni ju, apo ne?

O të pagdhë! O turpi i kombit! A e kuptoni që nuk mund të kthehen në alternativa të mbyllura zgjedhjet që ben në çast njeriu në një situatë kritike?

Si mund ta keni formuluar këtë pyetje o të paturp, o mendjefishkur, o qenie të përgjumura mbi tavolina, në shekullin e 21?

Një pyetje idiote që në fakt shpreh ideologjinë tuaj të përcaktueshmërisë deterministe të sjelljes njerëzore, ashtu sikurse sistemi juaj i edukimit kërkon ta formojë rininë shqiptare!

Kjo është pyetje jo për të matur dijen, por mund të bëhet vetëm në klinikat psiqiatrike, çmendina, siç i quanim, për të matur shkallën e debillikut të pacientëve!

Ore a ka më kryeministër më Shqipëria t’i shkarkojë këta nga i pari te i fundit dhe t’i çojë të gjejnë se ç’bëri Turi andej nga Kanionet hipur mbi varkë?

Ore mos janë komunikime me kode që i japin njeri tjetrit nëpërmjet pyetjeve të testit të maturës?

Ore ka vend tjetër në botë ku nxënësit dalin në protesta duke qenë të detyruar të protestojnë kundër formuluesve idiotë të testeve që u përcaktojnë jetën?

A e mendoni se ku na keni çuar o Turi, o tura, o turra, o burra, o shoqe!

Detyrohen nxënësi të protestojë në shesh me sloganin : Mësuesi (inspektori) ynë është idiot!

Cfarë prisni që idioti të thotë : Po jam idiot!

Idioti ose idiotja mbrohen me nje gardh me policë dhe qeshin me idiotësinë e tyre !

Shihni se deri ku kemi arritur!

Me siguri idioti dhe idjotja, kushdo, pyesin veten : Pse jemi idiotë? Pse na fyejnë si idiotë? Cfarë ka idioteske këtu?

Teksti pret të gjejmë se çfarë do bëjë Turi pasi pa shkëmbin në ujë!!! Por duhet të na thotë: Turi është në rregull nga trutë apo është budalla? Pa ditur këtë ku e di unë se çfarë mund të bëjë Turi?

Turi në atë moment, si budalla, mund të thërrasi : Unë jam Turi, mbreti i shqiptarëve!

Ku kemi arritur!

Tetëmbëdhjetvjeçarët po i detyrojmë të bërtasin në sheshe kundër

nesh: O idiotë, e kuptoni që jeni idiotë!

Sa gjynah që ata e kanë kuptuar idiotësinë tonë, dhe ne idiotët luajmë ende politikash, me qeveriria, kuvende, zgjedhje, opzitash, shoqërish civile!

Ata të shkretët kapin kokën me duar te rruga e Durrësit dhe thonë : Si t’ua bëjmë këtyre idiotëve!!!

Ok Po kemi arritur fazën e cmendurisë tërësore!

MAGJIA E SINEMASË…

Nga Agim Xhafka

Edhe sot korçarët kinemasë i thonë sinema. Kështu nëpër vite. Sa herë përshëndeteshin dhe pyesnin njëri tjetrin ,ku ishe,vinte përgjigja:
-Po në sinema,bre.
Unë nuk mbaj mend ditën e saktë kur pashë filmin e parë,por di të them me siguri që sinemaja u bë dashnorja ime qysh ditën që shkela brenda.
Atëhere i thonin “Kinema Morava.” Më parë dhe sot e quajnë “Majestik.” Ndërsa unë ruaj kujtime nga salla e madhe kur rrinim ne populli dhe lozhat,ah ato lozha,ku rrinin drejtuesit e qytetit.

Qenë të harkuara,me ballkone të vogla të kërcyera si bythkat e ndonjë çupke të hijshme. Mbanin brenda katër deri tetë karrike. E atje renditeshin sipas sërës qytetaria e Korçës. Nuk kishte film ku ne mos na mbetej koka lart deri sa fikeshin dritat. Ata të llozhave gjoja bënin muhabet mes tyre,por ama koka u zgjatej jashtë parmakut si për të na dëftyer se ishin ata shefat e zotërinjtë tanë.

Sinemaja kishte tre dyer.
Në ditët kur kishte filma që biletat avullonin në çast celeshin të treja. Rrinte te kryesorja Kiçi i Gjatë dhe te tjetra Kiçi i Ngjirur. Te e treta sipas rradhës. Ose pastruesja,ose operatori i filmit.Fati e desh që djalin e Kiçit të Gjatë e kisha në klasë. Ndaj kur sinemaja m’u bë drogë dhe u vara prej saj,shkoja çdo mëngjes te shtëpia e djalit të Kiçit dhe e prisja të shkonim bashkë në shkollë. Por nuk rrija poshtë,ngjitesha deri lart që të më shihte Kiçi,të më njihte e të më tundte kokën kur i thoja,

të vij sot te shoh një film? Kaq më duhej dhe qysh në orën 2 e gjysëm zija pozicion te dera. Sa hapej ajo delte Kiçi. Kur nuk më shihte pas pesë minutash i bërtisja. Në se nuk ma varte,i afrohesha dhe e prekja tek xhaketa. Në përgjithësi kur kthente kokën më kapte prej veshi dhe më shtynte brenda duke qeshur. E kështu nëper vite. Përherë në oren 3. Atëhere ishte më qetë,njerëzit ende ishin në punë e salla mbushej thuajse me fëmijë.

Kam parë filma francezë,plot italianë,spanjollë,meksikanë. Më pas erdhën kinezët,vietnamezët,koreanet. Por i shijoja të gjithë,sidomos ata me luftë. Kur nga fundi bëhej beteja finale krejt njerëzia në sallë ishim në këmbë e gati t’i afroheshim bezes së ekranit,ta shqyenim e ta shpallnim veten si çlirimtarë. Fluturoja deri në qiell kur pritej filmi e bërtisja si i dalë mendsh.

Apo kori korçar që ishte si me dirigjent kur bërtisnim:” Hajde kanistra!” sapo çifti në film puthej. Edhe bezja valëvitej nga erosi i pak sekondave.
Babai asnjëherë nuk ma uli këtë pasion. Nuk më ndaloi asnjë ditë nga që përditë shihja film. Përkundrazi,sa kthehesha më vinte para krejt familjes t’u tregoja përmbajtjen. Kaq doja dhe me duar e këmbë ua sillja çdo skenë para syve.

-Ti aktor nuk do bëhesh,por shkrimtar me siguri,-thoshte mamaja që shpesh qante kur unë rrëfeja ngjarjet.
Pas ca muajsh që frekuentoja sinemanë donte dhe vëllai të shihte një film. E mora për Zapatën. Ia luta e iu luta Kiçit,por më futi veç mua. Nuk donte per dy nga një familje pa biletë. Atëhere bëra pazar:
Të hyjë ai e të dal unë.
Qeshi dhe na la të dy. Vëllai mbante kokën veç lart në tavan. Ishte një llampadar me qindra llampa. U çudit dhe u ngurtësua. Kur krisi lufta në ekran nisi të qajë. U tremb shumë. Doja ta qetësoja,por ishte e kotë. Filluan të bértisnin njerëzit:
-Nxirrini jashtë këta kalamaj!

Erdhi Kiçi Zëri e gati zvarrë na pérplasi në bulevard. Aq po ngashérehej vëllai sa nuk ecte. E hodha në kurriz deri në shtëpi. Por nuk i tregova kujt. Ama shpëtova se nuk kërkoi të vinte më.

Nga sinemaja e qytetit kam plot histori. Ca romantike,ca komike. Në plot filma qaja. Edhe në ata shqiptarë. Më dukej sikur ngjarjet qenë vendosur te familja ime. Ose kur dëgjoja muzikën e filmit”Në shtëpinë tonë” kënduar nga Vace Zela ngashérimi më mbyste. Ndaj e doja filmin. Më jepte emocion,atë mall që nuk e gjeje kund. Veç te sinemaja dhe biblioteka,dy foletë e prehjes sime. Më vjen sot në detaje kur shkova me shoqen time Shpresën në filmin “Çatia”. Bleva vetëm një biletë se aq lekë sigurova. Kur hyra më pa me çudi Kiçi.

Ia bëra me sy. Qeshi dhe më gjeti belaja brenda. S’kishte vende të lira. U ul Shpresa,por unë ngela më këmbë. Fat që ajo kishte karriken 1,te fillimi i rreshtit. U mbështeta te muri dhe në vend t’i prekja gishtat siç ëndërroja prej ditësh,i preka…supin.

Ama pata dhe ditë komike. Shfaqej Fanfan Tulipan. E shijova kaq shumë sa afër fundit dola nga salla dhe…u futa te dritaret e reklamave. Doja të rrija atje deri sa të niste shfaqja prapë,pra ta shihja dy herë filmin. Reklamat ishin në fasadën e kinemasë. Nga brenda nuk më shihte Kiçi,por nga jashtë më shihnin qytetarët e Korcës që bënin xhiro aty poshtë te bulevardi.Rrija i frikësuar te posteri i filmit. Kisha zënë fjalën Fanfan,e kisha mbuluar me trup. Lexohej veç Tulipan. Kaq u desh dhe nga ca shokë e të njohur poshtë te turma bërtisnin:

-O Tulipan i Alajdinit,i je fshehur Kicit,mo?
Qeshnin njerëzit,por unë kisha mendjen te filmi. I lumtur që do e shihja prapë. Nuk ua vija veshin talljeve. Dhe ndodhi risia. Brenda ditës një film e pashë dy herë.
Kinemaja ime quhej Morava. Me këtë emër e kam në tru. Por Majestik i shkon në thelb,se filmi është magji. Të trazon mendjet,ndjenjat,zemrën,t’i rrotullon e rrotullon si lavatrice me shpejtësi të madhe e pastaj t’i sjell para e të thotë sistemoji veç të mirat e veç te këqijat. Sinemaja qe tableti dhe celulari i djeshëm. Por me më shumë emocion,lotë,gëzim,mallëngjim e shpresë. Sa mall kam për sinemanë time. Qoftë dhe me emrin “Morava “…

Erdhën dje me charter, bjellorusët “pushtojnë” Vlorën (FOTO)

Turistët bjellorus të ardhur me charter ditën e djeshme në vendin tonë kanë zgjedhur Vlorën si destinacion pushimi.Nga bordi i tij zbritën 198 turistë të cilët do të qëndrojnë disa ditë apo disa javë në vendin tonë. Aspak të trembur nga Covid – 19 ata shprehen se Shqipëria është një vend më i shëndetshëm . ”Do të jem e shëndetshme ka vitaminë D dhe det jam më e sigurt këtu sesa më Bjellorusi”, shton një turiste .

Shumë prej tyre i kanë mbyllur rezervimet në Janar të tjerë rishtaz .Por teksa listojnë arsyet pse zgjodhën Vlorën nuk harrojmë të përmendin natyrën , peizazhin dhe kulinarinë .

Ardhja e turistëve u përshëndet edhe nga Drejtori i Aeroportit të Rinasit, Dr. Constantin Von Alvensleben.

“Ne po i rindezim motorët e industrisë së turizmit sot. Në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ju uroj mirëseardhjen e ngrohtë atyre dhe shumë turistëve të tjerë që janë duke u përgatitur të vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë.”

Ndërkaq, javës së ardhshme, nga aeroporti i Rinasit, pritet të nisin fluturimet e para drejt Athinës dhe Vjenës./ Top Channel

Nata në kishën e Laçit/ Myslimanë e të krishterë në kërkim të shpresës

Me mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe të të gjitha besimeve i janë drejtuar kishës së shenjtë të Shën Ndout me shpresë dhe me besim se ky shenjt do t’i ndihmojë.Myslyman e katolikë kanë kaluar natën duke u lutur në kishën e Shën Ndout. Besimtarët tregojnë se ky vend u ka bërë mrekulli ndaj prej shume vitesh ata vijnë dhe luten për njerëzit e tyre të dashur.

Oborri i kishës kishte me mijëra besimtarë të moshave të ndryshme të cilët duke besuar i janë drejtuar këtij vendi të shenjtë edhe në këto ditë të vështira që po kalon vendi ynë për shkak të pandemisë.Kisha e Shën Ndout tregon Padre Aurel Gjerkaj është vendi ku të gjithë gjejnë ngushëllim.

Besimtarët këtë vit nuk kanë mundur ta kryejnë pelegrinazhin e 13 të martave si vitet e tjera për shkak bllokimit nga pandemia por me lehtësimin e masave në natën e 12 qershorit mijëra besimtarë t’i drejtohen vendit të shenjte.

Burimi:Top Channel

FOTOLAJM/ “Ne jemi këtu?”, Takaj bën tifozët e Skënderbeut të ëndërrojnë një përgjigje pozitive nga Gjykata Federale

Vetëm pak ditë më parë, Gjykata Federale e Zvicrës konfirmoi se çështja “Skënderbeu” është në proces gjykimi, por nuk pranuan të jepnin më shumë detaje.Kështu apo ndryshe, kjo dekadë është ajo që po e quajmë “epoka “skënderbejane” e futbollit të Korçës.Në fund të fundit, ky është triumfi i futbollit që e quajmë të qytetit.

Skënderbeu i vuri vulën fillimit të parë të suksesshëm të globalizimit edhe të futbollit shqiptar të sotëm, gjithnjë falë ligjeve të ekonomisë së tregut duke prezantuar Shqipërinë në menyrën me dinjtoze ne sinfoninë europiane.Presidenti i Skënderbeut në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka postuar një foto nga ndeshjet e bardhekuqve në grupet e Europa Ligës, të cilën e shoqëron me shkrimin: “Ne jemi këtu?”.

Presidentët Agim Zeqo dhe tashmë sidomos Ardian Takaj, mbeten protagonistë të mëdhenj të ndryshimit të kaheve historike të kampionatit të Shqipërisë.Dhe e gjitha kjo e rrethuar me publikun e madh të qytetit të kulturës, të sportit e të traditës së pashlyeshme atdhetare me emrin Korçë. Kaq! Me Skënderbeun 6 herë rresht kampion.Me Skënderbeun në Europë Shqipëria e futbollit duket se hyn në një rrugë tjetër, edhe pse ende pa ia arritur ta fuqizojë kampionatin e saj kombëtar të futbollit…./KorcaBlog/

Greqia: Publikon datat kur do të hapen kufijtë për BE

Fluturimet ndërkombëtare nga Italia, Spanja dhe Hollanda për në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës do të lejohen nga 15 qershori, si pjesë e planit të Greqisë për të rihapur kufijtë e vet, tha të premten Ministri i Turizmit të Greqisë, Haris Theoharis.Njoftimi ishte pjesë e një skeme më të gjerë për fazën tjetër të rihapjes së Greqisë e cila parashikon rifillimin e të gjitha fluturimeve ndërkombëtare për në aeroportin e Selanikut nga 15 qershori, përveç fluturimeve nga Italia, Spanja, Hollanda, Britania, Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Fluturimet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës do të lejohen vetëm për “udhëtime të domosdoshme”Theoharis tha se tragetet e huaja janë të ndaluara të ndalen në portet greke ndërsa anijet e luksit lejohen me vetëm ekuipazh në bord.

Sa i përket mbërritjeve në tokë, ato do të lejohen nga Bullgaria që nga 15 qershori, por do të mbeten të ndaluara për Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (me përjashtim të udhëtimeve për biznes shumë të nevojshme).Këto kufizime do të hiqen më 1 korrik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa situata me Turqinë do të rishikohet në 30 qershor.

Nga 1 korriku, të gjitha hyrjet ndërkombëtare do të lejohen në të gjitha aeroportet greke dhe tragetet e huaj do të lejohen të zbarkojnë në portet greke.Pasagjerët që mbërrijnë në aeroportet e Athinës dhe Selanikut midis 15 dhe 30 qershorit nga aeroportet që nuk janë në një listën e vendeve të hartuara nga Agjensia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit, ku niveli i infeksionit të koronavirusit vlerësohet të jetë i ulët, do t’i nënshtrohen testeve dhe do të karantinohen për një ditë në pritje të rezultateve, dhe për gjithsej 14 ditë nëse rezultatet janë pozitive.Për fluturimet nga Italia, Spanja dhe Hollanda, testet do të bëhen për të gjithë pasagjerët.

Pasagjerët që hyjnë në Greqi nga 1 korriku nga të gjitha destinacionet do t’i nënshtrohen testeve dhe do të përballen me një karantinë 14-ditore nëse rezultatet janë pozitive. Të gjithë pasagjerët do të jenë të detyruar të plotësojnë një formular elektronik me të dhënat e kontaktit që kanë në Greqi.

Keni plane për fundjavë? Ja si do të jetë moti

13 qershor 2020. Sot moti do të mbetet i alternuar me diell përgjatë bregdetit dhe shtim të vranësirave në zonat malore të pasuara nga reshje shiu lokale. Era do të jetë me drejtim Veriperëndim (NW) me shpejtësi maksimale deri në 7 m/sek në bregdet. Valëzimi do të jetë i forcës 4 me lartësi vale 0,5-1,0 metër në det të hapur. Temperaturat do të mbeten kostante.

Temperaturat min dhe max:

RTSH/ Meteorologe: Rezarta Xhakollari

Zonat malore 10/24°C

Zonat e ulëta 11/28°C

Zonat bregdetare 15/25°C

COVID-19/ DITA ME NUMRIN REKORD TË RASTEVE TË REJA, SHKON NË 1464 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 1464 numri i personave të prekur nga kovid -19.Ditën e sotme në vendin tonë janë regjistruar 48 raste të reja me koronavirus, një numër rekord ky që nga fillimi i pandemisë.Të shpërndara:24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.Në vendin tonë janë 389 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 320.

Dr. Flutura Beqo nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet :

Dr. Flutura Beqo
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes SocialeMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit. Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive, kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka shumë të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz.
Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë dhe aktualisht më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar.
Por vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar.
Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e Covid19.
Inspektorët e Task-Forcës anti-covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.
Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.

COVID-19 – Statistika (13 Qershor 2020)
Testime totale 20132
Raste pozitive 1464
Raste të shëruara 1039
Raste Aktive 389
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 220
Shkodër 45
Krujë 40
Kamëz 26
Durrës 19
Pukë 9
Lushnje 6
Vlorë 6
Elbasan 4
Lezhë 3
Fier 3
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1