Një stadium me emrin Ronaldo, sulmuesi i Juventusit gati të bëhet legjendë e pavdekshme

 

Kristiano Ronaldo është një idhull për të gjithë portugezët, për shkak të sukseseve që ai ka arritu në gjithë karrierën e tij.

Me golin që shënoi ditën e djeshme kundër Luksenburgut, 34-vjeçari kapi shifrën e 700 golave në total, në të gjithë karrierën e tij futbollistike.

Karrierën e tij sulmuesi e nisi te Sporting Lisbona, klub të cilin ai nuk e harron kurrë, teksa gjithmonë flet mirë për këtë ekip. Tashmë drejtuesit e klubit portugez po mendojnë që ta bëjnë Ronaldon një legjendë të pavdekshme.

Sipas “Tuttosport”, tek Sportingu i Lisbonës po mendojnë që t’i vendosin emrin e lojtarit të Juventusit, stadiumit të tyre. Disa nga emrat janë “CR7 Arena”, “Cristiano Ronaldo Stadium” dhe ai që ka marrë pëlqimin e të gjithëve është emri “Jose Alvalde CR7”.

Diçka të tillë e ka pranuar edhe presidenti i klubit portugez, i cili në një intervistë është shprehur: “Është një hipotezë të cilën po e mendojmë të gjithë, padyshim që ne do të ishim shumë krenarë nëse diçka e tillë ndodh.”Panorama Sport

Krijimtaria e Kristaq Sotirit ,emigrimi në Shtetet e Bashkuara dhe rikthimi në vendlindje !

 

Krijimtaria e Kristaq Sotirit (1883 -1970), ndër fotografët më të njohur shqiptar, mund të ndahet në dy periudha: emigrimi në Shtetet e Bashkuara dhe rikthimi në vendlindje.

Mësimet e para për fotografi i merr në Korçë nga i kunati, Kristo Sulidhi. Emigron në Amerikë në fillim të shekullit XX ku pas disa kohësh e praktikash në ateliere fotografike, arrin të punojë në studion e fotografit të famshëm, George Steckel.

Pasi perfeksionohet në teknikat e fotografimit, në vitin1922 çel në New York studion e tij (📷1).

Kthehet në Korçë për të vizituar familjen, por sëmundja e së ëmës e detyron të vendoset përherë aty. Hap “Sotir Studio”- që do bëhej më e famshmja në qytet- fondalet dhe brenditë e së cilës i realizoi miku i tij, piktori Vangjush Mio

(📷2)Foto nga Vangjush Mio, 1926, stampim origjinal i autorit

(📷3)Sotiri është fotografi i qytetit

Pa titull, pa vit i personaliteteve të kohës

(📷4)Tefta Tashko, soprano, 1936, stampim origjinal i autorit

(📷5) fotografi e banesës së fotografit),i ngjarjeve !

(📷6)Fabrika e alkoolit në Drenovë, pa vit

Duke ndërtuar kështu një arkivë nga e cila sot trashëgohen rreth 14.000 negativë dhe 1.700 stampime origjinale, që përbëjnë bazën e punës së mjeshtrit.

©📷 Familja Sotiri

“Birra Korça” Historia e një simboli

 

Projekti i fabrikës “Birra Korça” u hartua nga një projektues italian në vitin 1928, me vendim të parlamentit të asaj kohe dhe me miratim të Mbretit Zogu I, me dokumente të firmosura nga Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri dhe avokati Mano. Fabrika e birrës filloi të ndërtohet në prefekturën e Korçës në tetor të vitit 1929.

“Birra Korça” u themelua nga investitori italian Umberto Umberti nga provinca e Valdobjodenit e Venecias dhe Selim Mborja nga fshati Mborje i Korçës.

Kështu, u krijua “Birra Korça sh. a.”, me një kapital prej 950 000 frangash ari, prej të cilave 600 000 franga i takonin Umbertos dhe 350 000 franga i takonin Selim Mborjes për truallin e fabrikës.

Kapaciteti prodhues i projektuar ishte 20 000 hl birrë/vit. Fabrika prodhonte birrë bionde, të zezë, ujë “Kristal” dhe akull. Procesi teknologjik i prodhimit të birrës për herë të parë u vendos nga inxhinieri teknolog gjerman Hebard Geraldine, proces që ruhet edhe sot.

Në vitin 1942 filloi ndërtimi i fabrikës së prodhimit të maltos, që përfundoi në vitin 1943.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri më 11 janar të vitit 1946, fabrika “Birra Korça” u shtetëzua, bazuar në ligjet në fuqi.

Kapacitetet prodhuese ndër vite kanë qenë:

më 1943: 600 hl,

më 1939: 10 000 hl,

më 1944: 8 100 hl,

më 1957: 46 300 hl, po kaq edhe në vitin 1958.

Ndërsa prodhimi maksimal prej 52 000 hl u arrit në vitin 1960, kohë në të cilën në Shqipëri u ndërtua “Birra Tirana”.

Pas çlirimit të vendit u rrit prodhueshmëria falë disa rikonstruksioneve në vitet 1955, 1957 dhe, më i rëndësishmi, më 1965./

22-Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë.

 

Aristoteli është emri më embelmatik i filozofisë në periudhën antike greke.Disa nga thëniet më të njohura te tij….!


1- Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye, apo pa një parim.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë, kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës, nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9- Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia, ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

14- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

15-Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

16-Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

17- Lumturia varet nga ne.

18-Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

19- nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri, sesa ndjen.

20- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

21– Njohja e vetes, është fillimi i çdo urtësie.

22-Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë.

Analiza më e qëlluar, e shkruar nga Fan Noli, për shqiptarët 1924

 

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund ta kuptosh, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale.

Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

*(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

 

TRIKOTAZHI ME FAMË, Si u bë Korça “kryeqytet”, i industrisë shqiptare

 

Ideja ishte fantastike. Por ajo duhej materializuar. Dhe sigurisht duheshin blerë makineritë. Nazima Ypi, i cili ishte specializuar në Gjermani për tekstilet e trikotuara, blen makineritë e para në vendin perëndimor. Në fillim ato ishin manuale dhe më pas u zëvëndësuan me makina moderne.

Kapitalin fillestar e siguruan nga shitja e pronave të Ali Alizotit dhe Nazima Ypit. Fillimisht fabrika do fillonte veprimtarinë para shtëpisë së Memeda Shtyllës dhe më vonë në ndërtesën e Sabri Qytezës. Më pas u ndërruan në disa vende të tjera.

Për të punuar u zgjodhën disa teknologë të njohur dhe u përzgjodhën zonjushat e ardhura nga Greqia madam Gjylatër zonja Dikrani, zonjushat Agavni, Siranush (bija e madam Gjylaterit, modeliste) etj. Zonjat në fjalë ishin me origjinë nga krahina e prodhimit të sixhadeve të Armenisë.

Fillimisht filluan të prodhoheshin sixhade. Por tregtia e sixhadeve në atë kohë nuk ecte dhe u mbyll.

Rreth viteve 30, po në Korçë, Nazima Ypi krijoi edhe një fabrikë tjetër trikotazhi me Fadil Garon dhe Ismail Kapshticën, meqenëse linja e sixhadeve nuk e pati suksesin e pritur.

Ndërkohë Madam Gjylatëri, u caktua mësuese në “Shkollën Qytetëse të Vajzave” në Korçë. Këtu ajo përgatiti dhjetëra kuadro, të cilat punuan më pas si specialiste në punishten e sixhadeve të Korçës që drejtohej nga Garo Avakian, pinjoll nga familjet armene te sjella për fabrikën e trikotazheve.

Fabrika kishte ngritur një dyqan shitje në Tiranë në kompleksin tregtar “Vllazën Juma” në Rr. 28 Nëntori (që u dogj gjatë luftës së Tiranës, Nëntor 1944) dhe një tjetër dyqan luksoz në Vlorë që administrohej nga Ahmet Nurja.

Në bazë të një dekreti të posaçëm, të nxjerrë në vitin 1947 nga presidenti i R.P të Shqipërisë, pa asnjë shpërblim, fabrika në Tiranë u shtetëzua.

Ishte pikërisht kjo fabrikë që do të përgatiste plejadën e qindra punëtoreve të specializuara për të punuar në trikotazh dhe në saje të kësaj tradite kjo industri funksionoi deri vone.

Fabrika e trikotazheve të Korçës gjatë kohës së diktaturës ishte një nga më të njohurat dhe me famë në gjithë Shqipërinë./KONICA.AL/Arlinda Canaj

Kapitalizmi në Korçën e viteve ‘30, lista e tregtarëve

 

Ne kuadrin e përpjekjeve për zhvillimin e vendit dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me botën, Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare lëshoi Qarkoren e 8 gushtit 1929 ku përfaqësitë diplomatike jashtë shtetit informoheshin për sipërmarrësit dhe tregtarët më të rëndësishëm të vendit.

PER FILLIMET E KAPITALIZMIT NE SHQIPERI
-Korça –

Qyteti juglindor i Korçës, zinte vend shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit për vendndodhjen e tij në një trevë me burime të rëndësishme natyrore, si dhe për popullsinë e vet punëtore dhe të lidhur nëpërmjet mërgimit me botën e jashtme.Si edhe në qytete të tjera të vendit, edhe në Korçë tregtarët shqiptarë e zhvillonin veprimtarinë e tyre kryesisht si Vëllazëri,në kuadrin brenda familjes sipas strukturës “at e bij”, me ortakëri, me shoqëri ose individualisht.Karakteristikë tjetër e Korçës është se aty gjejmë edhe “fabrika” në kuptimin që fjala kishte në atë kohë, që gjithsesi tregon zhvillimin relative ekonomik e industrial të zonës.

Gjejmë, për shembull, në Korçë fabrika cigaresh, sapuni, trikotazhi, Birre,alkooli, pajisjesh elektrike.

Lista e tregtarëve dhe sipërmarrëve të Korçës hapet me Vëllazërinë K. Turtulli, në aktivitetin e “kolonialeve”, që ishin mallra konsumi të importuara nga tregje të huaja. Familja atdhetare Turtulli me prejardhje nga Vithkuqi, ishte ndër më të sukseshmet dhe më të kamurat në mbarë vendin. Përmendim se Vangjel Turtulli kishte qenë delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, kurse Thoma Turtulli mbahej si ndër bamiresit më të mëdhenj në qytet, duke financuar për spitalin dhe bibliotekën e rrethit.

Sipërmarrës të tjerë që ushtronin tregtinë e mallrave “koloniale” në Korçë ishin edhe Vllazëria Qirjako , Rexhep Merdani, Vëllazëria Zahara, dhe Thoma Kaçadani.


Një tjetër aktivitet i rëndësishëm tregtar ishte “manifatura”, ku shiteshin kryesisht pëlhura, stofra e cohëra të ndryshme. Sipërmarrësit kryesorë në këtë fushë në Korçë ishin Thimi Opari, Vëllazëria Dh. Katundi, Angjeli dhe Stavraq Ballauri, Gaqi M. Opari, Vëllazëria Harilla, Thanas Sheko, Pando Polena, Vëllazëria Tomçi [Tomçu në original], Vëllazëria Dh. Frashëri, Vëllazëria Dushku, Nikolla & Kristo Mosko, Vëllazëria Papa Kosma, Vëllazëria Jovan Fundo, A. Danil Çipi. Jovan Stasa e Bijtë, Thoma Çakuni, M. Kapështica e F. Garo dhe Mihallaq Frashëri.

Në Korçën e fundit të vitete 1920 gjejmë edhe industrinë e duhanit, me dy fabrika cigaresh, ku përmendet Vëllazëria E. Mulla & Sh. dhe Shoqëria Tomorri.
Dhimitri Bimbli dhe P. Shqia kishin një fabrikë sapuni.
Dhori Koti – emër i njohur në shtypshkimin shqiptar, përmendej si “letra shitës”.
Lluka Fundo paraqitej si “mobilashitës”, ose tregtar i mobiljeve.

            Një tjetër kompani e rëndësishme, që me siguri përmbante kapital shtetëror, ishte “Shoqëria Gjenerale e Ilektrikut”, që kishte një “Fabrikë Ilektriku”, ose për prodhimin e energjisë elektrike.
            Në zejen e përpunimit të lëkurëve dhe këpucëve përmendeshin “Bijtë e Terendi Skëndit”, dhe Vëllazëria Dh. Skëndi.
            Në fushën e tregtimit të materialeve për automobilat ortakëria P. Padopulo & P. Kosti.

Në Korçë hasim edhe një kategori të panjohur të veprimtarisë tregtare, të quajtur “nouveauté”, që ndoshta kishte të bënte me produktet e reja apo të kinkalerive. Këtë biznes në Korçën e fundit të viteve 1920 ushtronin Vëllazëritë, P. Pllaha; Th.Kajno; dhe Ll. Tërova.
Shoqëria Mërkuri kishte një fabrikë alkooli, kurse me tregtinë e hekurinave merreshin “bijtë e K. M. Lakos” si dhe Bijtë e Th. Lakos” dhe ortakëria “Samsuri e Dono”.
Ka rëndësi të përmendet se në Korçë kishte edhe një tregtar të njohur dhe të regjistruar që ishte “armëshitës”, dhe konkretisht Pandi P. Ligori.
Po ashtu, fabrika e trikotazhit ishte sipërmarrje e ndërmarrjes Ypi & Shoqëria [në original “Nja Ypi & Shoqëria”].

Nivelin e zhvillimit të Korçës në atë kohë e pasqyron edhe prania e “agjentëve automobilashitës”, që ishin (i) Ar. Opari e M. Torezi, dhe (ii) Spiru-Toza & Shomo.
Në Korçë atë kohë kishte katër barnatore ose farmaci, dhe me konkretisht: Ballamaçi e Qiraxhi; Thoma Shomo; P. Jankulla e N. Çekani dhe Dr. Dh. Shanazu.
Qyteti kishte vetëm një orëshitës, Ligor Zikon, kurse me tregtinë e lëkurëve merreshin Thimi Plasa dhe Vëllazëria Tabaku.
Larmia e sipërmarrjeve të Korçës, që nga fabrikat e deri tek agjentët e shitjes së automobileve, tregon gjallërinë e jetës ekonomike tregtare dhe traditën e fuqishme tregtare në kryeqendrën kulturore të vendit në fillimet e shtetit modern shqiptar.

 

Ilir Daja strategu i Skenderbeut dhe filozofia e tij !

 

Për të gjithë ata që menduan se Skënderbeu do të ishte sa për numër në këtë kampionat, pas dënimit që ka marrë me përjashtimin nga Europa, atëherë janë gabuar shumë. Tmerrësisht shumë madje. Në këto 7 javët e para të kampionatit, korçarët janë një nga katër ekipet që po kryeson në Superiore. Më mirë nuk mund të bëhej, me një ekip që është dëmtuar shumë në anën psikologjike dhe ka një motiv më pak se të tjerët për të luftuar. Por po tregon të njëjtën dëshirë në fushë. Ndoshta mund të mos llogaritej si skuadër, nëse në drejtim nuk do të ishte Ilir Daja.

Por me këtë të fundit ndryshon gjithçka. Një trajner që ka dërguar formulën e suksesit kudo ku ka shkuar. Madje edhe në filozofinë e tij të lojës para ndeshjes me Luftëtarin e ka thënë qartë: “Një fitore vlen sa tre barazime. Prandaj të provojmë dhe të rrezikojmë gjithçka”. Skënderbeu është e vetmja skuadër që nuk ka një barazim, pasi Daja provon të gjitha mënyrat për ta fituar takimin, pavarësisht se mund të dështojë në fund. Një trajner ndryshe nga çfarë jemi mësuar në Shqipëri, por në fund llogaritë janë të thjeshta: “Një sukes i kësaj skeme, vlen sa tre ndeshje aq shumë të mundimshme për të nxjerrë një pikë nga ekipet rivale”.

Gjethja që nuk bie, Tregim

Ajo e pyeti të motrën:”Sa gjethe kanë mbetur në pemë?”

E motra, me lot në sy iu përgjigj:”Përse pyet e dashur?”

Vogëlushja e sëmurë i tha:”Sepse e di që jeta ime do të përfundojë kur të bjerë gjethja e fundit nga pema në bahçe.”

Motra e madhe iu përgjigj duke buzëqeshur:”Atëherë do ta shijojmë jetën dhe do të bëjmë ç’të duam. Apo jo?”

Ditët kalonin dhe vogëlushja e së murë e shijonte çdo minutë të jetës së saj me motrën e madhe, luanin, argëtoheshin, qeshnin dhe e shijonin fëmijërinë.

Sakaq, gjetet e pemës binin njëra pas tjetrës. Vetëm një gjethe nuk iu dorëzua ndryshimeve klimaterike dhe acarit dimëror. Tek ajo gjethe ishin varur shpresat dhe ishin fokusuar sytë e vogëlushes së sëmurë. Ajo ishte shpresa e vetme e saj. Çdo ditë, nga dritarja e dhomës ajo ndiqte gjethen, pasi e dinte se rënia e saj, do të thoshte fundi i j etës së saj për shkak të së mundjes.

Kaloi vjeshta, erdhi dimri, na la shëndenë dhe dimri dhe gjethja nuk dorëzohej. Sigurisht, kjo e lumturoi shumë vogëlushen e sëmurë. Ajo kishte filluar të marrë veten sërish, ndihej mjaft mirë. Ajo filloi të ecë dhe vrapojë si më parë. Dukej sikur sëmundja e rëndë ishte zhdukur për të mos u kthyer më kurrë.

Po gjethja? Si ishte e mundur që nuk kishte rënë nga ai dimër i acartë? Një ditë, u ngjit në pemë që ta prekë atë mrekulli, e cila nuk ishte dorëzuar. Kur arriti ta prekë, u befasua. Ajo nuk ishte gjethe normale, por një gjethe plastike, e fokusuar fort pas degës së pemës. Një buzëqeshje i përshkoi fytyrën e saj të njomë. Sigurisht, ishte vepër e motrës së saj të madhe.

Shpresa është një shpirt i dytë. Nëse nuk e humbasim atë, nuk humbasim asgjë tjetër.

Moti surprizon serish, zonat ku sot do të ketë reshje të dendura shiu

 

Ditën e sotme priten sërish reshje shiu. Sipas IGJEUM pritet të ketë reshje të dobëta në qarqet Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Fier reshjet priten të jenë lokalisht të dobëta.

TEMPERATURAT

Sot (e hënë, dt.07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 12 / 22 °C

në vendet e ulëta: 11 / 25 °C

në vendet malore: 5 / 15 °C.

Ja tabela e Superiores/ Rast i rrallë, thuajse gjysma e ekipeve kryeson kampionatin

 

Java e shtatë e Superiores është mbyllur ditën e sotme dhe kampionati shqiptar vjen me një renditje të re. Tabela e klasifikimit përbën një rast të rrallë, pasi thuajse gjysma e skuadrave kryesojnë kampionatin. Janë plot katër ekipe që ndajnë sasi të barabartë pikësh, ku përfshihen Bylisi, Teuta, Vllaznia, Skënderbeu. Këto skuadra kanë ndjekur të njëjtën rrugë deri tani në Superiore, duke grumbulluar nga 12 pikë në shtatë javë të luajtura.

Ndërsa nuk mund të lëmë pa përmendur se pas tyre vijnë dy eklipet e kryeqytetit si Tirana dhe Partizani me një pikë më pak. Ky është ndryshimi i tabelës së renditjes në Superiore me Kukësin që tashmë ndodhet në vendin e 7 të renditjes me 10 pikë.

“Nuk ka jastëk më të butë për të fjetur sesa ndërgjegjja e pastër”

 

Gjermanët kanë krijuar atë stereotipit e njerëzve punëtor të përpiktë, të vrazhdë, dhe tepër të disiplinuar.

Do të ishte mendjelehtësi t’i përkufizonim gjermanët vetëm me kaq, ata janë populli që kanë shkruar faqe të rëndësishme në historinë e njerëzimit, kanë luajtur një rol vendimtar dhe kanë nxjerrë personalitete emrat e të cilëve vijojnë të lakohen në shkencë, arte, kulturë, inxhinieri etj.

Disa thënie te spikatura te tyre nga supershendeti.

Ai që blen te një hajdut, vlen sa hajduti.

Ai që të lutet për shkëmbim ka ndërmend të të mashtrojë.

Askush nuk është aq i madh sa të mos ketë nevojën e të vegjëlve.

Bota është e çuditshme, njëri mban kuletën, kurse tjetri mban të hollat.

Bukuria e një gruaje është më e fuqishme se guximi i një burri.

Bukuria është e vërteta dhe e vërteta është bukuria.

Burri pa gruan është koka pa trupin, gruaja pa burrin është trupi pa kokën.

Dashuria e nënës nuk plaket.

Do të qe më mirë të ishim më parë të vjetër dhe pastaj të rinj.

E ardhmja i takon atij që harron urrejtjen dhe mbjell dashuri.

Edhe gjyqtari i shurdhër dëgjon kur tingëllojnë monedhat.

E vetmja mjekësi për njeriun është vetëpërmbajtja.

Fëmijët e vegjël e tërheqin nënën nga fustani, ndërsa fëmijët e rritur e tërheqin atë nga zemra.

Fytyra e gruas është fytyra e shtëpisë.

Guximtarin e ndihmon edhe vetë Perëndia.

Ha në Poloni, pi në Hungari, fli në Gjermani dhe bëj dashuri në Itali.

I mençuri mëson nga gabimet e të tjerëve, budallenjtë nga të tyret.

Kafeja në filxhan dhe gruaja e zhveshur në divan nuk mund të presin.

Kafshët duke jetuar me ne bëhen të buta, njerëzit jo gjithmonë.

Letrat e bixhozit janë libri i lutjeve të djallit.

Kush ka nënën e dashur, edhe këmishën e ka të bardhë.

Prapaskenat e hedhjes nga kati i gjashtë/ Teqja debatoi me partneren dhe u ngjit i vetëm në shtëpi

 

Portieri i Partizanit Aldo Teqja i ka tronditur të gjithë pasditen e djeshme me veprimin e tij. Futbollisti 24-vjeçar është hedhur nga kati i gjashtë i një pallati në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë, për shkak të dëmtimeve në mushkëri.

Mjekët raportuan dje se rreziku për jetën ka kaluar, pasi nuk ka dëmtime në organet jetësore, edhe pse gjithçka mbetet për t’u parë në orët në vijim.

Pas ndeshjes Partizani – Teuta 1-1 ,luajtur dje ne “ Selman Stermasi “,futbollisti i Partizanit mesohet se ka qene duke u kthyer ne shtepi.

Rreth orës 19:40, ai ka qenë pranë banesës së tij në “Komunën e Parisit”, aty ku jeton në një apartament me qira prej disa muajsh, së bashku me partneren. Burime nga klubi bëjnë me dije se Teqja ka qenë në një automjet së bashku me partneren dhe kur kanë mbërritur në afërsi të kompleksit, ai ka dalë i pari nga makina.

Burimet bëjnë me dije se portieri ka pasur një debat me partneren dhe pasi ka dalë nga makina, ka vendosur të ngjitet i vetëm në apartamentin që ndodhej në katin e gjashtë të pallatit.

Skënderbeu thyen Luftëtarin në fund, Dita dhe Muja nderojnë korçarët

 

Skënderbeu ka mundur me rezultatin 2-0 Luftëtarin në shtëpi, në minutat e fundit duke marrë një trepikësh të artë në fushën e vet.

Skuadra korçare ka pritur deri në minutën e 92-të, ku Dita ka zhbllokuar sfidën me penallti. Krasniqi u rrëzua në zonë, Sino akordoi 11-metërsh, dhe korçarët nuk mund ta humbisnin kërë rast të artë të minutave të fundit.

Luftëtari ka luftuar gjatë gjithë lojës, por është thyer në fund në një ndeshje që dukej se do të mbyllej në barazim.

Kështu Skënderbeu me këtë fitore shkon në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Luftëtari mbetet në vendin e nëntë me vetëm 5 pikë.

Skënderbeu-Luftëtari 2-0
(Dita 90+2′, Muja 90+4′)

KOMENTI MINUTË PAS MINUTE:

FORMACIONET

SKËNDERBEU: Koliçi, Vangjeli, Meksi, Dita, Pëllumbi, Muzaka, Daja, Ndeki, Bregu, Gripshi, Krasniqi. Trajner: Ilir Daja.

LUFTËTARI: Qyrani, Dushkaj, Lala, Demo, Orikas, Açka, Rapo, Renja, Hyseni, Vient, Oshafi. Trajner: Jorgos Marantas.

1′ Starton sfida

2′ Karton i parë i verdhë i ndeshjes, Demo ndëshkohet pas faullit te Krasniqi.

10′ Një ritëm shumë i lartë vërehet në minutat e para, por saktësia para portës nuk ka qenë e madhe nga të dy ekipet.

11′ Krasniqi godet bukur dhe fortë, por topi përfundon mbi traun e portës së gjirokastritëve.

12′ Muzaka bllokohet nga mbrojtësit kundërshtarë, lojtarët e Luftëtarit tentojnë kundërsulmin, por nuk janë të saktë.

22′ Bie ritmi i ndeshjes në Korçë, skuadrat janë më të vëmendshme duke bllokuar hapësirat

25′ Ndërhyrje shumë e saktë nga Vangjeli duke bllokuar një dalje të rrezikshme të Luftëtarit.

27′ Bregu kroson në zonë, Ndeki kërcen mbi të gjithë, godet me kokë, por mbi traun e portës së gjirokastritëve.

29′ Renja ka një shans të artë godet, por anësori çdon flamurin dhe ndalon gjithçka. Rasti më i pastër i ndeshjes edhe pse i pavlefshëm.

32′ Rast i mirë për Luftëtarin me Vient, i cili brenda zonë godet, por ishte shumë i pasaktë duke e çuar topin jashtë kuadratit të Koliçit.

36′ Kosta Vangjeli ndëshkohet me të verdhë, i pari për korçarët që merr karton.

45′ Mbyllet pjesa e parë.

46′ Starton pjesa e dytë.

49′ Rast i artë për Bregun, Krasniqi kthen një top në zonë, vlonjati gjuan i vetë brenda zonës, por mbi traun e portës.

56′ Ndalet për disa momente loja në Korçë, shkak bëhet një dëmtim i Gjergji Muzakës. Ai del nga fusha me barrelë, vendin e tij do ta zërë Oto Xhon.

61′ Gabime jo të pakta në mesfushë nga të dyja skuadrat.

62′ Pëllumbi kroson nga e majta, por Qyrani i vëmendshëm grushton duke larguar topin nga zona.

63′ Skënderbeu tenton kryesisht me krosime, ku një ndër to ishte dhe i Bregut në shtyllë të dytë. Oto Xhon e kthen me kokë, por pa u bërë i rrezikshëm

64′ Realdo Fili futet në fushë, Oshafi i lë vendin.

66′ Fili bëhet i rrezikshëm brenda zone, Koliçi “nuhat” rrezikun dhe zotëron sferën në duart e tij.

68′ Oto Xhon me shumë energji shkakton faull në sulm mbi Lalën.

72′ Kombinime të pasakta nga ana e Skënderbeut edhe pse korçarët kanë më së shumti zotërimin e topit.

74′ Gripshi kroson në zonë, Qyrani grushton topin, por i dëmtuar mbetet Dita.

75′ Gjyqtari Sino akordon faull për një ndërhyrje të parregullt. Bregu e ekzekuton, por topi largohet nga lojtarët e Luftëtarit në këndore.

78′ Ndeki ndëshkohet me të verdhë.

79′ Fili provon jashtë zone, por asnjë shqetësim për Koliçin që sheh topin jashtë kuadratit.

80′ Daja del nga fusha e lojës. vendin e tij e zë Shqipërim Taipi. Ilir Daja i kryen të gjitha zëvendësimet.

84′ Tentativë krejtësisht e gabuar nga Krasniqi, që gjuan por topi shkon mbi katërkëndësh.

86′ Marantas kryen zëvendësimin e fundit. Del nga Fusha Renja dhe futet Isufi.

90+2′ GOOLL Krasniqi pengohet fiton penallti. Dita e ekzekuton dhe kalon Skënderbeun në avantazh.

90+ 4 ‘ Gool Arbnor Muja

“Na mungoi iniciativa në sulm”, Ilir Daja: Jemi në krye, por me këmbë në tokë. Mungesat i japin mundësi…

 

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u duk i kënaqur nga fitorja e ekipit të tij 2-0 ndaj Luftëtarit.

Në mikrofonin e “Supersport” pas ndeshjes, Daja u shpreh se mungesat ndikuan në formacion, por nga ana tjetër kjo fitore i jep qetësi për të punuar mbi defektet e korçarëve në vijim.

I kënaqur me Skënderbeun sot?

Ndihej rezultati negativ i Vllaznisë. Lojtarët sot nuk ishin të qartë. Kishim një mbrojtje të kompozuar, spostuam edhe Ditën edhe Meksin në qendër. Hodhëm në fushë dy lojtarë që kanë prezantimin e parë, Vangjelin 19-vjeç, dhe Ndeki. Të dy edhe pse ishte ndeshja e parë, ishin rezultativë në pozicionet e tyre. Kemi shumë punë për të bërë, por kjo fitore na jep qetësi që të punojmë 2 javë para nesh. Qarkullimin e thjeshtë të topit edhe në sulm, duhet ta rikuperojmë. Stafi mjekësor më tha që dëmtimi i Muzakës është i rëndë, për 1 muaj apo më shumë nuk mund ta kemi. Kemi disa të rinj që duhet të përshtaten, qoftë me fanellën, qoftë me Skënderbeun.

Daljet në sulm…

Përdorëm të gjithë potencialin që kishim në dispozicion. Gripshi ishte në një pozicion të ri. Rezultoi pozitiv, sepse i dha thellësi lojës në të majtë. Kemi kohën e duhur që të rregullojmë gjërat që këto 7 javë nuk kanë qenë pozitive.

E dini që jeni në vend të parë për momentin?

E kam thënë që jemi një Skënderbe në ndërtim e sipër. Problemet që kemi pasur, ngjitjen duhet ta shohim nga poshtë lart. Të jemi me këmbë në tokë, sepse është vetëm fillimi i kampionatit. Nuk ka ndeshje të lehta, dhe diferenca të mëdha. Në çdo takim, mund të fitosh e të humbësh.

Goditjen e parë e bëtë në minutën e 93-të..

Edhe goditjet në portë janë statistikë që duhen vlerësuar. Ajo që do thosha, është se pozicionimi prapa i Luftëtarit dhe në ekuilibër, nuk të linin hapësira. Edhe mungesë iniciative e lojtarëve tanë. Gripshi dhe Muzaka në një sektor rreth 25 metra, nuk goditën portën. Ndonjëherë fitohet edhe kështu, se sa të barazosh duke goditur shumë herë portën.

E vështirëson punën tuaj mungesat e shumta?

Sigurisht që po. Mungesat bëjnë atë që nuk ke alternativa për të zgjedhur. Me emra si Muzaka dhe të tjerë me eksperiencë, do i japim hapësirë dhe të rinjve çfarë janë në gjendje të bëjnë.

News