Kapitalizmi në Korçën e viteve ‘30, lista e tregtarëve

 

Ne kuadrin e përpjekjeve për zhvillimin e vendit dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me botën, Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare lëshoi Qarkoren e 8 gushtit 1929 ku përfaqësitë diplomatike jashtë shtetit informoheshin për sipërmarrësit dhe tregtarët më të rëndësishëm të vendit.

PER FILLIMET E KAPITALIZMIT NE SHQIPERI
-Korça –

Qyteti juglindor i Korçës, zinte vend shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit për vendndodhjen e tij në një trevë me burime të rëndësishme natyrore, si dhe për popullsinë e vet punëtore dhe të lidhur nëpërmjet mërgimit me botën e jashtme.Si edhe në qytete të tjera të vendit, edhe në Korçë tregtarët shqiptarë e zhvillonin veprimtarinë e tyre kryesisht si Vëllazëri,në kuadrin brenda familjes sipas strukturës “at e bij”, me ortakëri, me shoqëri ose individualisht.Karakteristikë tjetër e Korçës është se aty gjejmë edhe “fabrika” në kuptimin që fjala kishte në atë kohë, që gjithsesi tregon zhvillimin relative ekonomik e industrial të zonës.

Gjejmë, për shembull, në Korçë fabrika cigaresh, sapuni, trikotazhi, Birre,alkooli, pajisjesh elektrike.

Lista e tregtarëve dhe sipërmarrëve të Korçës hapet me Vëllazërinë K. Turtulli, në aktivitetin e “kolonialeve”, që ishin mallra konsumi të importuara nga tregje të huaja. Familja atdhetare Turtulli me prejardhje nga Vithkuqi, ishte ndër më të sukseshmet dhe më të kamurat në mbarë vendin. Përmendim se Vangjel Turtulli kishte qenë delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, kurse Thoma Turtulli mbahej si ndër bamiresit më të mëdhenj në qytet, duke financuar për spitalin dhe bibliotekën e rrethit.

Sipërmarrës të tjerë që ushtronin tregtinë e mallrave “koloniale” në Korçë ishin edhe Vllazëria Qirjako , Rexhep Merdani, Vëllazëria Zahara, dhe Thoma Kaçadani.


Një tjetër aktivitet i rëndësishëm tregtar ishte “manifatura”, ku shiteshin kryesisht pëlhura, stofra e cohëra të ndryshme. Sipërmarrësit kryesorë në këtë fushë në Korçë ishin Thimi Opari, Vëllazëria Dh. Katundi, Angjeli dhe Stavraq Ballauri, Gaqi M. Opari, Vëllazëria Harilla, Thanas Sheko, Pando Polena, Vëllazëria Tomçi [Tomçu në original], Vëllazëria Dh. Frashëri, Vëllazëria Dushku, Nikolla & Kristo Mosko, Vëllazëria Papa Kosma, Vëllazëria Jovan Fundo, A. Danil Çipi. Jovan Stasa e Bijtë, Thoma Çakuni, M. Kapështica e F. Garo dhe Mihallaq Frashëri.

Në Korçën e fundit të vitete 1920 gjejmë edhe industrinë e duhanit, me dy fabrika cigaresh, ku përmendet Vëllazëria E. Mulla & Sh. dhe Shoqëria Tomorri.
Dhimitri Bimbli dhe P. Shqia kishin një fabrikë sapuni.
Dhori Koti – emër i njohur në shtypshkimin shqiptar, përmendej si “letra shitës”.
Lluka Fundo paraqitej si “mobilashitës”, ose tregtar i mobiljeve.

            Një tjetër kompani e rëndësishme, që me siguri përmbante kapital shtetëror, ishte “Shoqëria Gjenerale e Ilektrikut”, që kishte një “Fabrikë Ilektriku”, ose për prodhimin e energjisë elektrike.
            Në zejen e përpunimit të lëkurëve dhe këpucëve përmendeshin “Bijtë e Terendi Skëndit”, dhe Vëllazëria Dh. Skëndi.
            Në fushën e tregtimit të materialeve për automobilat ortakëria P. Padopulo & P. Kosti.

Në Korçë hasim edhe një kategori të panjohur të veprimtarisë tregtare, të quajtur “nouveauté”, që ndoshta kishte të bënte me produktet e reja apo të kinkalerive. Këtë biznes në Korçën e fundit të viteve 1920 ushtronin Vëllazëritë, P. Pllaha; Th.Kajno; dhe Ll. Tërova.
Shoqëria Mërkuri kishte një fabrikë alkooli, kurse me tregtinë e hekurinave merreshin “bijtë e K. M. Lakos” si dhe Bijtë e Th. Lakos” dhe ortakëria “Samsuri e Dono”.
Ka rëndësi të përmendet se në Korçë kishte edhe një tregtar të njohur dhe të regjistruar që ishte “armëshitës”, dhe konkretisht Pandi P. Ligori.
Po ashtu, fabrika e trikotazhit ishte sipërmarrje e ndërmarrjes Ypi & Shoqëria [në original “Nja Ypi & Shoqëria”].

Nivelin e zhvillimit të Korçës në atë kohë e pasqyron edhe prania e “agjentëve automobilashitës”, që ishin (i) Ar. Opari e M. Torezi, dhe (ii) Spiru-Toza & Shomo.
Në Korçë atë kohë kishte katër barnatore ose farmaci, dhe me konkretisht: Ballamaçi e Qiraxhi; Thoma Shomo; P. Jankulla e N. Çekani dhe Dr. Dh. Shanazu.
Qyteti kishte vetëm një orëshitës, Ligor Zikon, kurse me tregtinë e lëkurëve merreshin Thimi Plasa dhe Vëllazëria Tabaku.
Larmia e sipërmarrjeve të Korçës, që nga fabrikat e deri tek agjentët e shitjes së automobileve, tregon gjallërinë e jetës ekonomike tregtare dhe traditën e fuqishme tregtare në kryeqendrën kulturore të vendit në fillimet e shtetit modern shqiptar.

 

Advertisement