Debati me çobanin zbuloi strehën e Braçellarit, si policia ra në gjurmët e të shumëkërkuarit që vrau efektivin në Maliq

Gazetarja e News 24, Xhensila Kodra ka dhënë detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Lozhan të Maliqit, ku pas një përplasjeje me armë mbeti i vrarë një oficer policie dhe u plagos një tjetër. Gazetarja tregoi dinamikën se si policia arriti të binte në gjurmët e të shumëkërkuarit 43-vjeçar, Violand Braçellari, i cili ishte fshehur prej kohësh në një zonë të pyllëzuar dhe të izoluar.

Sipas gazetares, gjithçka nisi vetëm një ditë më parë, pas një debati mes autorit dhe një personi të punësuar prej tij.

Braçellari kishte ndërtuar një bazë fshehjeje në zonën e Lozhanit, ku merrej me aktivitete bujqësore dhe blegtorale pa rënë në sy të autoriteteve.

Sipas gazetares, autori kishte nisur të krijonte një stallë apo disa stalla me bagëti në zonën e Lozhanit dhe disa sera ku kultivonte perime. Ai jetonte aty vetëm me nënën e tij.

Pikënisja që çoi në zbulimin e vendndodhjes së të shumëkërkuarit ishte pikërisht një çoban, të cilin 43-vjeçari e kishte punësuar vetëm dy javë më parë.

“Një çoban që ishte punësuar nga ai prej 15 ditësh ishte pikënisja që çoi në identifikimin e kësaj zone nga policia. Çobani kishte kërkuar të largohej për disa orë nga vendi i punës për të takuar prindërit. Ai i kishte kërkuar edhe një shumë parash që ky i detyrohej. Këtu ka nisur një debat i ashpër mes të dyve,” zbuloi gazetarja.

Pas kërkesës për lekët e punës, Violand Braçellari ka humbur kontrollin duke e kërcënuar punëtorin e tij me jetë.

“Ai e ka kërcënuar me jetë që të largohej nga aty pas debatit dhe nën kërcënimin që nuk do t’i jepte asnjë para për 15 ditët e punës. I trembur, çobani ka shkuar në policinë e Korçës dhe e ka denoncuar, por pa e ditur se kishte të bënte me një person të shumëkërkuar nga policia. 

Në këto kushte, policia bëri kërkimet e saj në sistem dhe rezultoi se bëhej fjalë pikërisht për personin e kërkuar” – tha gazetarja.

Pas këtij informacioni, policia organizoi operacionin për arrestimin e tij, i cili fatkeqësisht u përgjak duke shënuar humbjen e jetës së një oficeri në krye të detyrës dhe plagosjen e një tjetri.