Një tjetër histori frymëzuese suksesi me origjinë shqiptare vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Jonika Dhima Hoomes, e cila ka ndërtuar një karrierë të spikatur në një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë, Google, ku për 19 vite ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese.
Gjatë karrierës së saj në Google,
Jonika ka kontribuar në katër prej organizatave më të mëdha të kompanisë, duke punuar në fusha të ndryshme, nga Google Cloud te Android, si dhe në zhvillimin e partneriteteve strategjike dhe marrëdhënieve me zhvilluesit.
Një nga sukseset më të mëdha profesionale të saj ishte krijimi dhe drejtimi i partneriteteve të para të Google në sektorin automotive, duke hapur një rrugë të re për kompaninë në këtë industri. Sipas të dhënave të publikuara nga Maryville College, ky aktivitet u rrit deri në 1 miliard dollarë në shitje reklamash,
duke u shndërruar në një prej bizneseve reseller me rritjen më të shpejtë në Google.
Përgjegjësitë e saj përfshinë gjithashtu drejtimin e Global Business Development për Android One, si dhe pozicionin Chief of Staff në Developer Relations, ku kontribuoi në zhvillimin e strategjive dhe bashkëpunimeve globale të kompanisë.
Pas këtij rrugëtimi të suksesshëm qëndron edhe një histori e veçantë familjare.
Jonika ka treguar se nëna e saj i mësoi pesë gjuhë, një përgatitje që e ndihmoi të zhvillonte aftësi të rëndësishme komunikimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ajo e konsideron këtë një nga faktorët që ndikuan në rrugëtimin e saj profesional, duke u bërë punonjësja e parë shqiptare në Google.
Arritjet e saj u vlerësuan edhe nga institucioni ku kreu studimet.
Në vitin 2025, Maryville College e nderoi Jonika Dhima Hoomes me çmimin prestigjioz Alumni Citation Award, në shenjë mirënjohjeje për lidershipin, kontributin dhe suksesin e saj profesional.
Historia e Jonikës është një tjetër dëshmi se talenti, përkushtimi dhe arsimimi mund të hapin dyert e institucioneve dhe kompanive më prestigjioze në botë. Një histori suksesi që i bën krenarë shqiptarët kudo që ndodhen.


