Pensionet shqiptare në fund të Ballkanit! Vetëm 19% e fuqisë blerëse të BE-së

Pensionistët shqiptarë përballen me një fuqi blerëse shumë më të ulët se bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Sipas të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare (wiiw), në vitin 2025 pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19% të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor.

Me pensionin mesatar shqiptar mund të bliheshin mallra dhe shërbime me vlerë rreth 260 euro, sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS). Një shifër që e vendos Shqipërinë pranë Kosovës, e cila arrin në 20% të mesatares europiane.

Ndërkohë, Mali i Zi kryeson rajonin me 58%, Maqedonia e Veriut me 52%, Serbia me 44% dhe Bosnja dhe Hercegovina me 42%.

Sipas skenarit të Institutit të Vjenës, Shqipërisë do t’i duheshin mbi 100 vjet për të arritur nivelin mesatar të pensioneve të BE-së.

Një nga arsyet e pensioneve të ulëta është numri i lartë i pensioneve të pjesshme. Në vitin 2025, ato përbënin 55,2% të pensioneve të pleqërisë, ndërsa rreth 354 mijë përfitues merrnin mesatarisht vetëm 13.500 lekë në muaj.

Edhe diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale mbetet e madhe. Pensioni mesatar mujor ishte 20.123 lekë në qytet dhe vetëm 12.313 lekë në fshat.

Situatën e rëndojnë edhe puna informale dhe pagat e padeklaruara, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në vitet e sigurimit dhe masën e pensionit.

Ndërkohë, plakja e popullsisë dhe numri i ulët i kontribuuesve shtojnë presionin mbi skemën e pensioneve.

Shifrat tregojnë një realitet shqetësues: pensionistët shqiptarë mbeten ndër më të dobëtit në rajon për sa i përket fuqisë blerëse, ndërsa afrimi me standardet europiane duket ende shumë larg. /Monitor

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.