Dikur, kur e pyetën një të mençur se cili ishte vendi i tij i preferuar, ai u përgjigj: “Unë nuk kam një vend të preferuar, por kam njerëz të preferuar. Dhe, nëse jam pranë tyre, ndihem i plotësuar, kudo që të jem.”
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe dhimbja e Korçës sonë.
Korçës nuk i mungojnë gurët, rrugët, sheshet apo stolat. I mungojnë njerëzit! I mungojnë miqtë, shokët, të afërmit, fytyrat e njohura që dikur i jepnin jetë çdo cepi të qytetit.
Ku janë sot zërat që mbushnin rrugët? Ku është gjallëria e uzinave dhe fabrikave që gumëzhinin nga puna? Ku është zhurma e njerëzve kur ndërroheshin turnet? Ku janë të qeshurat e fëmijëve, bisedat nëpër lagje, përshëndetjet dhe buzëqeshjet spontane?
Sot, në shumë rrugë të Korçës, mbizotëron heshtja. Një heshtje që të trishton, sepse të kujton sa shumë jetë kishte dikur ky qytet.
Më e dhimbshmja është se Korça duket sikur është plakur para kohe. Sheh gjithnjë e më shumë pensionistë dhe gjithnjë e më pak të rinj. Shumë familje janë shpërndarë nëpër botë, shumë dyer janë mbyllur dhe shumë shtëpi kanë mbetur me kujtime brenda.
Dhe kur dikush e thotë këtë me dhimbje, disa korçarë revoltohen nëpër komente, sikur po fyehet qyteti. Por të thuash të vërtetën për Korçën nuk do të thotë të mos e duash atë. Përkundrazi, ndonjëherë kritika është pikërisht forma më e sinqertë e dashurisë.
Ne nuk po flasim kundër Korçës. Po flasim për Korçën që duam, për atë që mbajmë në zemër dhe që dëshirojmë ta shohim përsëri plot jetë.
Nje tjeter Korcar thote :”Unë Korçën nuk do ta ndërroja me asnjë qytet tjetër. Këtu kam lindur, këtu jam rritur, këtu kam kaluar vitet më të bukura të jetës. E dua natyrën e saj, bukurinë e saj, historinë dhe traditat e saj.
Por më shumë se gjithçka, më mungon Korça e njerëzve.
Sepse një qytet nuk bëhet i bukur vetëm nga ndërtesat, sheshet dhe monumentet. Një qytet bëhet i gjallë nga njerëzit që jetojnë në të.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është nëse Korça është e bukur, por:
Çfarë duhet të bëjmë që Korça të mos jetë vetëm një qytet i bukur për t’u vizituar, por përsëri një qytet i bukur për të jetuar?
Sepse Korçës nuk i mungon historia. I mungon e ardhmja që duhet t’i ndërtojmë!
