Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka folur në prag të transfertës së vështirë ndaj Skënderbeut, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke theksuar se skuadra e tij do të udhëtojë drejt Korçës me përulësi dhe përgjegjësi të plotë.
Në prononcimin e tij, Dede u shpreh se periudha e pushimit i ka shërbyer ekipit për rikuperimin e lojtarëve, veçanërisht të Grudës, si dhe për të rifituar freskinë fizike dhe për të punuar në elementët që kanë nevojë për përmirësim.
Tekniku i rrogozhinasve nuk i kurseu vlerësimet për Skënderbeun, duke vënë në dukje faktin se korçarët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi, si dhe traditën dhe historinë e klubit në futbollin shqiptar.
“Skënderbeu realisht nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Kjo është shumë domethënëse. Skënderbeu është një ekip me traditë dhe shumë histori, sidomos në 20 vitet e fundit në futbollin shqiptar”, u shpreh Dede.
Më tej, trajneri i Egnatias theksoi se respekti për kundërshtarin është një nga elementët kryesorë që ka diskutuar me skuadrën gjatë kësaj jave. Megjithatë, ai nënvizoi se besimi në grup dhe identiteti i ndërtuar mbeten pikat e forta të ekipit.
“Ne kemi besim te vetja, te grupi, kemi ndërtuar identitetin tonë dhe do të shkojmë atje pa arrogancë, me përgjegjësinë maksimale, për të dhënë më të mirën tonë dhe në fund fare të arrijmë objektivat që ne kemi. Fusha do tregojë sa të përgatitur jemi”, përfundoi trajneri i Egnatias.
Egnatia synon të japë një tjetër provë të forcës së saj në këtë transfertë, por përballë do të ketë një Skënderbe që në shtëpi ka treguar se është një kundërshtar mjaft i vështirë për t’u mposhtur.
