Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje shqiptare, pasi 28-vjeçari Jurgen Rexhepi është gjetur i pajetë në një kamp refugjatësh në Gjermani, ku qëndronte prej rreth një viti e gjysmë pasi kishte aplikuar për azil. Sipas familjarëve, i riu kishte shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri, pasi ndihej i mërzitur dhe i rënduar nga situata në të cilën ndodhej.
Në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24, halla e tij ka treguar se Jurgeni ishte rritur nga familjarët, pasi kishte humbur të ëmën kur ishte vetëm një vit e gjysmë.
Ai jetonte me të atin dhe ishte fëmija i vetëm i familjes.
Sipas dëshmisë së hallës, 28-vjeçari kishte qëndruar në kampin e refugjatëve për rreth 18 muaj dhe kishte tentuar disa herë të kthehej në Shqipëri, por përpjekjet e tij nuk kishin rezultuar të suksesshme. Një tjetër vështirësi ishte humbja e pasaportës, për të cilën familjarët pretendojnë se ia kishin vjedhur disa persona.
Ajo tregoi gjithashtu se Jurgeni kishte një paraqitje në gjykatë më 23 nëntor, ndërsa më parë i ishin refuzuar disa data për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit.
“Thoshte se ishte mërzitur shumë. Ishte tip i mbyllur dhe nuk na tregonte as shokët. Nuk ankohej për ta, thoshte që shkonte mirë. E vetmja gjë që na thoshte ishte se donte me patjetër të vinte në Shqipëri”, rrëfeu halla e tij.
Ndërkohë, familja po përballet edhe me vështirësi ekonomike për kthimin e trupit në atdhe. Babai i 28-vjeçarit është detyruar të marrë 5 mijë euro borxh nga pronari ku punon, në mënyrë që të përballojë shpenzimet për kthimin e trupit dhe varrimin në Shqipëri.
Në përfundim të rrëfimit, familjarët i kanë bërë apel shtetit shqiptar që t’i ndihmojë për përshpejtimin e procedurave dhe kthimin sa më të shpejtë të trupit të të riut pranë familjes.
