U qëllua në sy me plumb gome/ Erjon Vishkulli kthehet nga Italia: “Nuk jam penduar për asgje”!

Pas tre javësh trajtim të specializuar mjekësor në Itali, Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani i plagosur rëndë në sy gjatë protestave në kryeqytet, është rikthyer në Tiranë. I riu u qëllua me plumb gome nga policia gjatë përplasjeve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa pas ndërhyrjes së parë në Spitalin e Traumës u transportua me urgjencë drejt Italisë për trajtim të specializuar.

Në një prononcim për mediat pas kthimit, Vishkulli ka ndarë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe ecurinë e rikuperimit.

Ai bëri të ditur se trupi i huaj që i kishte mbetur në sy është hequr gjatë operacionit të parë në spitalin italian.

Megjithëse mjekët kanë dhënë sinjale pozitive dhe gjendja e tij është stabilizuar, rikthimi i shikimit mbetet ende i pasigurt. Kontrollin e radhës mjekësor ai do ta kryejë më 17 dhjetor, përpara ndërhyrjes kryesore kirurgjikale, nga e cila shpreson të marrë sinjalet e para konkrete për përmirësimin e shikimit.

Një zhvillim inkurajues është fakti se 28-vjeçari tashmë arrin të perceptojë dritën, çka i ka rikthyer shpresën për një përmirësim të mundshëm të gjendjes.

Duke folur për periudhën e vështirë që ka kaluar, Vishkulli vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme që ka marrë nga miqtë dhe qytetarët. Ai tha se takimet, mesazhet dhe telefonatat e shumta i kanë dhënë forcë për të përballuar këtë situatë të vështirë.

I pyetur për momentin e plagosjes gjatë protestës, i riu u shpreh se nuk dëshiron ta rikujtojë atë ditë.

Megjithatë, ai ishte i vendosur në qëndrimin e tij për pjesëmarrjen në protestë, duke theksuar se nuk është penduar aspak për këtë vendim. Mbështetjen e marrë nga qytetarët shqiptarë, Vishkulli e cilësoi si motivimin më të madh në këtë periudhë të vështirë, ndërsa vijon të shpresojë për rikthimin e shikimit pas ndërhyrjeve të mëtejshme mjekësore.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.