U largua nga Pogradeci me Lotarinë Amerikane, sot mes 40 yjeve të rinj në Amerikë

U largua nga Pogradeci në moshën 17-vjeçare me Lotarinë Amerikane, ndërsa sot është një nga shqiptarët që po spikasin në industrinë financiare në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për Johan Vakon, i cili është përzgjedhur mes 40 talenteve të rinj në SHBA.

Në një intervistë televizive, Vako rrëfeu rrugëtimin e tij nga Shqipëria drejt Amerikës, studimet dhe karrierën e ndërtuar në New York.

Pas përfundimit të gjimnazit në Pogradec, ai emigroi në vitin 2010 së bashku me familjen. Më pas studioi financë dhe investime në kolegjin Baruch në New York.

Prej afro 10 vitesh është pjesë e kompanisë Wall Street Alliance Group, ku mban pozicionin e zëvendëspresidentit.

Gjatë intervistës, ai bëri të ditur se ekipi ku punon përbëhet nga rreth 20 profesionistë dhe administron afërsisht 1.5 miliardë dollarë asete.

Puna e tij përqendrohet te analiza e tregjeve financiare, strategjitë e investimit dhe menaxhimi i rrezikut. Vako theksoi rëndësinë e diversifikimit të investimeve, duke nënvizuar se synimi kryesor është maksimizimi i fitimit në raport me rrezikun.

Një vlerësim i rëndësishëm në karrierën e tij është përzgjedhja mes 40 figurave të reja që spikasin në industrinë financiare amerikane.

Përtej suksesit profesional, Johan Vako u shpreh i emocionuar nga qindra mesazhet dhe komentet pozitive që ka marrë, veçanërisht nga bashkëqytetarët e tij pogradecarë.

Ai foli gjithashtu për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, duke treguar se, pavarësisht viteve të kaluara larg Shqipërisë, lidhja me vendlindjen mbetet e fortë.

Një histori suksesi që nis nga Pogradeci dhe vazhdon në një prej qendrave më të rëndësishme financiare të botës, New York.

Video:

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.