Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve parashikon një sërë ndryshimesh që synojnë rritjen e mbrojtjes së qytetarëve në rast aksidentesh rrugore, rritjen e kufijve të dëmshpërblimit dhe përshpejtimin e procedurave të kompensimit.
Sipas propozimeve, sigurimi i detyrueshëm do të mbulojë shprehimisht jo vetëm këmbësorët dhe personat jashtë automjetit, por edhe pasagjerët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me dëmet e vogla materiale.
Kufiri për procedurën e përshpejtuar të dëmshpërblimit do të rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, ndërsa kompanitë e sigurimit do të detyrohen të kryejnë pagesën brenda 14 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Gjithashtu, qytetarët do të mund të përfitojnë pa pagesë një dokument me historikun e dëmeve për pesë vitet e fundit. Ky dokument do të përdoret për përcaktimin e primit të sigurimit dhe do të lehtësojë kalimin nga një kompani sigurimi te një tjetër.
Projektligji parashikon edhe një periudhë 15-ditore pas përfundimit të kontratës së sigurimit, gjatë së cilës garantohet vijimësia e mbulimit sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rasteve kur automjeti shkaktar i aksidentit është i pasiguruar ose nuk identifikohet, duke forcuar mekanizmat e kompensimit përmes Fondit të Kompensimit.
Ndryshimet synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke adresuar edhe paqartësitë e ligjit aktual, të miratuar në vitin 2021. Disa prej mekanizmave të rinj, përfshirë kufijtë e rinj të mbulimit në nivel evropian, do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa deri atëherë do të zbatohen rregullat kalimtare.
Me këtë projektligj synohet krijimi i një tregu më transparent të sigurimeve dhe garantimi i një mbrojtjeje më të madhe financiare për qytetarët e dëmtuar në aksidente rrugore.
