“Korça nuk është pronë e askujt”/ Apeli i Qiricit:” Frika duhet mposhtur,të ngrejmë zërin !

Nga: Ardit Qirici:

Arsyeja nuk është vetëm Zvërneci, apo Rjolli, apo shumë vende të tjera që po grabiten.

Korçarët duhet të dalin për jetën e vështirë që sa vjen dhe bëhet akoma më e rëndë.

Të Protestosh për çdo padrejtësi që po na bëhet, do të thotë të mposhtësh frikën që të ka kapluar, që të ka marrë guximin, të ka hequr fytyrën,të ka bërë individualist, servil apo hipokrit përpara kësaj gjendjeje që çdo ditë e më keq po e shikojmë dhe po e jetojmë.

Korça të Protestojë për rrogat e ulëta, të Protestojë për pensionet qesharake, të Protestojë për ushqimet e shportës që nuk i përballojnë dot, të Protestojë për naftën, për çmimin e energjisë, më të lartin në Ballkan, për ujin që e paguajmë dy herë me sahatët që tenderuan.

Të Protestosh për familjen dhe fëmijët që duan t’i shkatërrojnë. Të Protestosh për ato ligje që ata të cilëve u dhamë votën, i kalojnë në Parlament pa na pyetur nëse jemi dakord apo jo. Ato ligje që janë në favor të pushtetit dhe në dëm të popullit.

Të Protestosh ti, biznes i vogël, për taksat që të kanë vënë, për gjobat që merr.

Të Protestosh edhe ti që të detyruan të vesh çadra jeshile, kur i paguan nga xhepi yt. Protesto edhe ti që të kërkojnë çadra apo tenda të kuqe, sepse edhe ti paguan taksa.

Protesto edhe ti që të kanë vënë para lokalit një vijë të kuqe apo të verdhë, duke të thënë: “Guxo dhe shkele”. Nëse e bën, të vijnë andartët me bllokun në dorë.
Protesto edhe ti që të hoqën nga puna sepse nuk ishe i përdorshëm.

Protesto edhe ti që të premtuan punë kur e meritoje dhe vendin ta zuri një patronazhist injorant që di të thotë gjithmonë “po”.Të Protestosh edhe ti që sillesh vërdallë zyrave dhe të vërtitin duke ta bërë problemin edhe më të madh. Të Protestosh edhe ti, korçar, që ke kaq vite që endesh gjykatave dhe nuk e di akoma se kur do të mbarosh.

Protesto edhe ti që je në administratë, se shpirti dhe jeta jote nuk janë në dorën e këtyre. Nëse e quani veten të lirë, Protesto për çdo padrejtësi që të bëhet në punë apo në jetë.

Më beso, më shumë do të të duan nëse ngre zërin, sepse janë më frikacakë sesa e mendoni.

Guxoni ta bëni në shesh, por jo në tavolina, duke përmendur çdo padrejtësi të jetës.

Protesto edhe ti për kushtet e spitalit apo ilaçet që të mungojnë. Protesto edhe ti për gjobat e makinës që vetëm në Korçë thyejnë rekorde.

Protesto edhe ti, tjetri, që të thanë: “Merr kredi të bësh hotel, se do të plasë turizmi”, ndërsa sot shteti nuk të ndihmon të të lehtësojë investimin e hedhur apo të të zbusë taksat, të paktën pjesën më të madhe të tyre.

Protesto edhe ti, biznes i madh, që po të shohin vetëm si limon me lëng për të të shtrydhur sa më shumë.

Kur të kërkojnë të jesh në rregull me çdo kusht, të tregojnë masat e dënimit, por nuk të plotësojnë asgjë nga ato që e kanë për detyrë,që nga futja e ujit, kanalizimet, rruga e plot të tjera.

Protesto edhe ti, korçar, që i kishe fëmijët këtu dhe i degdise jashtë për një jetë më të mirë, dhe nuk dihet kur do t’i shikosh përsëri. Sepse këtu nuk funksionon meritokracia, por miqësia patronazhiste.

Protesto edhe ti që fëmija yt nuk merr lekët e bursës, megjithëse është më i miri, duke u tallur me djersën dhe mundin e tyre.
Protesto për aty ku jeton, për ushqimet e skaduara, me pesticide vrasëse, të pakontrolluara.

Protesto për ata varfanjakë që, pa iu hyrë politikës, te zinte e qara, ndërsa sot janë bërë me roje, me shoferë, me vila dhe apartamente, sepse kanë vjedhur taksat tona, kanë abuzuar me çdo leje ndërtimi, me çdo tender, me çdo fond apo grant që ka qenë për ne, për ju o popull.

Dhe në emrin tuaj ata pasurohen çdo ditë, duke ju vjedhur, ndërsa ju u buzëqeshni edhe kur nuk e kanë mendjen.

Protesto edhe ti nga fshati, që nuk të kompensuan asgjë nga çfarë të gënjyen se do të merrje. Për asnjë ndihmë që ta premtuan në fushatë. Për tokat, për blegtorinë, për pemëtarinë… çfarë? Asgjë!
Prandaj dil dhe Protesto, derisa zëri ynë të bëhet bashkë dhe i fortë kundër këtyre minjve brejtës që nuk lanë asgjë pa futur hundët dhe pa vjedhur.

Protesto dhe mos u tremb nga çdo legen, që ti, unë, ne të gjithë, ua njohim mirë suratet, dimë kush janë, njohim karakteret dhe cinizmin e tyre, ligësinë që ua lexon në fytyrë dhe çdo gjë që i karakterizon.

Kur ndërkohë ky qytet ka djem dhe vajza plot të aftë, të shkolluar, intelektualë, familjarë të edukuar, që kanë çarë vetë në jetë falë zotësisë së tyre.

Pikërisht për këtë duhet të protestojmë,të ikin këta që e bënë Korçën pronë të tyre dhe të vijnë njerëz të rinj që vërtet e duan qytetin, shembuj kemi plot.

Korça, si shembull që është në arsim, kulturë dhe qytetari, duhet të tregojë se edhe ne Protestojmë ndryshe për problemet që sa vijnë dhe po na shtohen.

Protesto per të gjitha padrejtësitë që unë nuk i përmenda dot të gjitha, por ju të gjithë i kini në mëndjet dhe në jetën tuaj, duhet tu tregojmë që të fortët jemi ne, jo ju minj që asnjeherë nuk mendonit të ishit këtu duke na grabitur cdo gjë këtij qyteti për xhepat tuaj.

Kur e pa drejta bëhet ligj, paligjshmëria bëhet detyrë!