LAJM I FUNDIT/Si u sekuestruan 195 kg kanabis në një kamion në Kapshticë, 4 në pranga

Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.Sektori për Hetimin e Krimit në DVP-Korçë, zbardh dhe dokumenton skemën e ngjarjes, vë në pranga 4 shtetas dhe shpall në kërkim bashkëpunëtorin e tyre.Sekuestrohet 195 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve si edhe në bazë të analizës së riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë mjetin kamion tip “Iveco”, me drejtues shtetasin S. V., 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte si destinacion Greqinë.

Kontrolli ka vijuar më pas me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku u shfaqën dyshime se mbi karrocerinë e mjetit mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në sipërfaqen e saj u gjet një sasi prej 195 kg lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Drejtuesi i kamionit (i dënuar më parë për veprën “Dhuna në familje”) u arrestua në flagrancë.

Pas shoqërimit të tij në polici dhe falë një pune intensive hetimore dhe profesionale të kryer nga specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme dhe narkotikët në DVP-Korçë, u bë zbardhja, dokumentimi i plotë i skemës së tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, identifikimi dhe në bashkëpunim me DVP-Tiranë, kapja e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Konkretisht u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit lëshuar nga Prokuroria e Korçës, për shtetasit:

Sh. H., 64 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vetëgjyqësi”)V. C., 55 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”)M. J., 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit

Si edhe u shpall në kërkim shtetasi B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Sh. H., dhe V. C., dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme

Policia e Shtetit: Të dielën nuk lejohet qarkullimi me makina në asnjë qytet

Policia e Shtetit ka dale sot me nje njoftim per te gjithe qytetaret, duke sqaruar se te dielen do jene hapur gjithe bizneset, por nuk do te lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.

NJOFTIMI I POLICISE

Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit njofton të gjithë qytetarët se në datën 31.05.2020 do të jenë të hapura të gjitha bizneset, si dhe do jetë e lirë lëvizja për këmbësorët, por nuk do lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.Gjithashtu, edhe për këtë fundjavë nuk do lejohet hyrja dhe dalja në zonat e kuqe, si dhe ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet ndalim-qarkullimin me automjete për ditën e nesërme, si dhe të respektohet distancimi social në të gjithë vendin”, mbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit.

COVID-19/ 23 RASTE TË REJA, SHKON NË 1122 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 1122 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet me 23 raste pozitive .Të shpërndara: 16 raste në Tiranë, 2 në Mat, 2 në Lushnje, 1 në Durrës, 1 në Krujë, dhe 1 rast në Librazhd.Në vendin tonë janë 232 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 291.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 23 raste të reja, shkon në 1122 numri i të prekurve.Mbi 1450 testime serologjike tek stafet mjekësore me një pozitivet rreth 9%

Dr. Marjeta Dervishi
Instituti i Shëndetit Publik

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 229 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 23 raste pozitive.
Shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 16 raste janë identifikuar në Tiranë, 2 në Mat, 2 në Lushnje, 1 në Durrës, 1 në Krujë, dhe 1 rast në Librazhd.

Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 19 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik.Në 24 orët e fundit janë testuar 21 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 26 pacientë, nga të cilët 4 janë në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar në gjendje të rëndë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 6 qytetarë, duke e çuar në 857 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer rreth 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1122 raste të konfirmuara, prej të cilëve aktualisht janë 232 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.Vijojnë testimet serologjike tek personeli shëndetësor. Deri tani janë mbi 1450 të testuar me një përqindje të përgjithshme pozitiviteti rreth 9%.Në këtë situatë mbetet shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët zbatimi i masave të rekomanduara.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit dhe lani duart sa më shpesh. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz.
Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (30 Maj 2020)
Testime totale 15950
Testime molekulare 14498
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1122
Raste të shëruara 857
Raste Aktive 232
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 137
Durrës 39
Krujë 16
Shkodër 11
Kamëz 9
Mat 8
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1

Harta/ Ja si do të jetë fundjava e fundit me zonat e kuqe

Deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e cila përfundon më 23 qershor, disa aktivitete do të vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se këto aktivitete “do të jenë të ndaluara deri në një urdhër të dytë” dhe do të vlerësohen në datën 23 qershor.

Aktivitetet vijojnë kështu:
– aktivitetet kulturore
– kinema
– teatër
– klubet e natës
– pishinat
– grumbullimet masive
– dasmat
– konferencat
– dëgjesat publike
– tubimet

Po kështu, plazhet do të jetë të hapura vetëm për banorët e qyteteve bregdetare, ndërsa dalja nga zonat e kuqe do të jetë e ndaluar deri të hënën. Përsa i përket ditës së dielë, nuk do të lejohen makinat.

Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat nën rregulla strikte të sigurisë. Po punohet për një plan të transportit publik të sigurt, i cili do të jetë gati në një kohë sa më të shpejtë. Deri atëherë transporti publik do të jetë i mbyllur.”

Tërmet në Korçë, ja epiqendra dhe magnituda

Lëkundje tërmeti janë ndjerë në Korçë me magnitudë 3.4 i shkallës rihter.Lëkundja është ndjerë në orën 09:00 të mëngjesit me epiqëndër Vashminë ,7 km në veri të Korçës.

Kujtojme që në fillim të verës që lamë pas, me 1 qershor një tjetër tërmet i fuqishëm goditi zonën e Korçës, ku u rrënuan mbi 100 banesa.
Epiqendra e këtij tërmeti që la jashtë për disa javë banorët, ishte në fshatin Floq dhe u ndje në disa zona përreth. Tërmeti ishte i shkallë rihter, 5.3 ballë, që më pas u shoqërua me të paktën 20 lëkundje nga të cilat 6 ishin më të forta.

Kompania ajrore Wizz Air “low cost”vjen me tre avionë në Shqipëri nga 1 korriku

Linja më e madhe ajrore me kosto të ulët në Evropën Qendrore dhe Lindore, Wizz Air, do të ketë bazën e saj të re në Tiranë. Kompania do të ulë 3 avionë Airbus 320 në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, që nga data 1 korrik 2020.Paralelisht me krijimin e bazës, krahas dhjetë destinacioneve tashmë në operim, Wizz Air, do të shtojë edhe 15 destinacione të reja për tetë vende nga Tirana, duke filluar nga korriku, për të shënuar në total 25 destinacione nga Rinasi.

Tre avionët Airbus A320 do të mbështesin operacionet e pesëmbëdhjetë rrugëve të reja për në Beauvais (Paris), Charleroi (Bruksel), Eindhoven, Mulhouse Euroairport, Karlsruhe / Baden-baden, Hamburg, Berlin Schönefeld, Frankfurt Hahn, Pragë, Selanik, Rodos, Bari, Katania, Milano Malpensa dhe Torino, duke arritur në mbi 800 mijë vende në shitje në 25 destinacione nga Tirana në vitin 2020.

Gjatë prezantimit të bazës se rë të Wizz Air, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Constantin Von Alvensleben, tha se rrjeti në rritje i kësaj kompanie në Shqipëri, do të mbështesë turizmin lokal, duke sjellë më shumë kapital në rajon si dhe të lidh tiranën me denstiancione të reja dhe emocionuese.

Dr. Constantin Von Alvensleben

“Wizz Air filloi të fluturonte në Tiranë në 2017 dhe që prej asaj kohe ka transportuar gati gjysmë milioni pasagjerë në dhe nga kryeqyteti shqiptar. Ne jemi shumë të lumtur që mirëpresim krijimin e bazës së re të Wizz Air në Tiranë. Kjo do të thotë konkurrencë e ndershme midis linjave ajrore, më shumë pasagjerë kur kufijtë tanë të jenë të hapur, çmime të përballueshme të biletave dhe mundësi udhëtimi për pasagjerët.

Publikohen shifrat e fundit nga Italia, rritet lehtë numri i viktìmave në 24 orët e fundit

Të dhënat e buletinit të lëshuar nga Mbrojtja Civile shohin sot një rënie të infeksioneve dhe një rritje të lehte te nr te viktimave ku janë 87 viktima në 24 orët e fundit(Dje ishte 70 ).Numri i përgjithshëm i viktimave në Itali ka arrirur në 33.229 persona që nga fillimi i monitorimit të epidemisë Covid-19.Numri i përgjithshëm i personave aktualisht pozitive ndaj virusit është 46175 persona (dje ishte në 47.986).

Rastet e përgjithshme të personave të prekur nga Covid-19 ka arritur në 232.248 që nga fillimi i monitorimit të pandemisë. Rastet e reja janë + 516 (dje ato ishin +593).Numri i personave të rikuperuar në 24 orët e fundit është : janë 2.240 pacientë të shëruar në krahasim me 3.503 dje dhe 2.443 dy ditë më parë.

Totali i te sheruarve është 152.844.Numri i pacientëve të shtruar në spital vazhdon të ulet: ata janë 7,094 (dje ishin 7.379).Nga këta, pacientët më seriozë të pranuar në kujdesin intesiv janë 475 (dje ishin 489).Në Itali janë kryer gjithsej mbi 3.6 milion teste.

Italia është vendi i tretë më i goditur nga koronavirusi nga numri i viktimave, pas SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa sa i përket rasteve të konfirmuara, shteti fqinj është vendi i gjashtë në botë më i goditur nga Covid-19.

Shtetet me te prekura nga Covid -19 jane :1-SHBA vazhdon të mbetet epiqendra e pandemisë me më shumë të prekur dhe viktima në botë dhe ndiqet nga Brazili,Rusia,Spanja,Britania,Italia

Lehtësirat nga 1 qershori dhe 5 kufizimet duke filluar nga hapja e kufijve tek ndalimi i pishinave

Në deklarat e sotme kjo është java e fundit e kufizimeve në kuadër të masave kundër koronavirusit ku të tjera lehtësime hyjnë në fuqi nga 1 qershori, përfshirë dhe hapjen e kufijve tokësorë të Shqipërisë me të gjitha shtetet fqinje dhe pa vetëkarantinim.Që këtë fundjavë hiqen kufizimet e lëvizjes dhe aktiviteteve të biznesit në çdo zonë, por nuk do të lejohet dalja nga perimetri i zonave të kuqe deri me 1 Qershor.

Duke filluar nga e hëna, datë 1 qershor, do të hapen aktivitetet e mëposhtme:

Kopshtet dhe çerdhet;

Hapen plazhet vetëm për strukturat akomoduese.Ndërsa me dt 6 qershor hapen plazhet për të gjithë qytetarët.

Hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vëndin.

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin duke hequr karantinimin e detyruar dy javor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.
Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi, për raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC.

Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara.

Me përjashtim duke mbetur ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve që do të bëhet publik së shpejti. Ndërsa deri më datë 23 qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.

Ministria jep ‘OK’ për dritën jeshile, futbolli shqiptar rikthehet në 3 Qershor

Pritjes i erdhi fundi. Tashmë edhe edhe zyrtare që Superliga shqiptare do të nisë me 3 qershor fatet e sezonit 2019-2020 do të vendosen në fushë dhe jo në tavolinë.Nuk ka më vend për pritje dhe reagime të tjera zyrtare, pasi ka ardhur konfirmimi nga ana e Ministrja së Shëndetsisë, që ka fiksuar datën për rifillimin e futbollit në Shqipëri.

“Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut,”- u shpreh Manastirliu.

Më parë, ekzaktësisht më 13 maj, FSHF dhe klubet e Superligës vendosën datën 3 qershorin për rifillimin e kampionatit, që është ndërprerë nga data 12 mars.

Ndërsa më herët sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka caktuar edhe kalendarin e javës së 27, që do të luhet e gjitha më 3 qershor, por në dy fasha orari, në orën 17:30 dhe në orën 20:30.

Në fashën e parë të orarit, në 17:30, do të luhet katër nga pesë ndeshjet: 1-Kukësi-Luftëtari, 2-Laçi-Teuta, 3-Bylis-Tirana dhe 4-Flamurtari Vllaznia. Ndërkohë në orën 20:00 është caktuar të luhet supersfida mes Partizanit dhe Skënderbeut, edhe pse nuk është konfirmuar se në cilin stadium, ‘Air Albania’ apo ‘Selman Stërmasi’.

Greqia hap kufirin me Shqipërinë duke filluar nga 15 Qershori

Për 29 vende do të hapen kufijtë turistikë nga 15 qershori për turistët me fluturime Athinë dhe Selanik.Lista e 29 vendeve u formua pas një studimi të profilit epidemiologjik të vendeve të origjinës së turistëve dhe pasi mori parasysh njoftimet e djeshme të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Ajrit (EASA), si dhe propozimin përkatës të Komitetit të Sëmundjeve Infektive.

Këto përfshijnë, ndër të tjera, vendet e Ballkanit, Gjermania, e cila është tregu i parë për turizmin në hyrje për Greqinë, por edhe tregje më të largëta si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Në detaje, lista e vendeve , bazuar në njoftimet përkatëse nga Ministria e Turizmit është si vijon:

Shqipëria, Australia, Austri, Maqedonia Veriore, Bullgaria, Gjermania, Danimarka, Zvicra, Estonia, Japonia, Izraeli, Kina, Kroacia, Qipro, Leros Libani, Lituania, Malta, Mali i Zi, Zelanda e Re, Norvegjia, Koreja e Jugut, Hungaria, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Republika Çeke, Finlanda.

Vizitorët nga këto vende do të ekzaminohen, ndërsa për të gjithë të tjerët rregullat ekzistuese ende zbatohen. Lista, e cila do të zgjerohet duke filluar nga 1 korriku, do të shpallet me kohë. Në çdo rast, monitorimi dhe vlerësimi epidemiologjik do të jetë i vazhdueshëm, siç theksohet nga Ministria e Turizmit e Greqisë.

COVID-19/ 23 RASTE TË REJA, SHKON NË 1099 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 1099 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet me 23 raste pozitive .Të shpërndara: 12 në Tiranë, 6 raste janë konfirmuar në Mat, 4 raste në Lushnje, dhe 1 rast i ri në Durrës.Në vendin tonë janë 215 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 291(Dje ishin 270).

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 23 raste të reja dhe 28 të shëruar në 24 orët e funditDr. Eugena Tomini
Instituti i Shëndetit Publik

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 276 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 23 raste të konfirmuara pozitive, 12 prej të cilave në Tiranë. 8 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 janë raste të reja në proces hetimi.
Nga hetimi i thelluar epidemiologjik në QSUT, ku jane testuar 57 personel shëndetësor dhe pacientë, dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit janë të shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 851 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15,500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099. Prej tyre, mbi 77% janë të shëruar.Në vendin tonë aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore.

Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit.
Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (29 Maj 2020)
Testime totale 15595
Testime molekulare 14269
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1099
Raste të shëruara 851
Raste Aktive 215
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 121
Durrës 42
Krujë 17
Shkodër 11
Kamëz 9
Mat 6
Lushnje 4
Berat 2
Fier 2
Korçë 1

Belen Rodriguez ndahet sërish nga Stefano De Martino

Belen Rodriguez dhe Stefano De Martino janë ndarë përsëri. Çifti i famshëm i ka dhënë fund historisë së tyre, gati një vit nga ribashkimi tyre.Mesa duket shkak edhe këtë herë është bërë tradhëtia.

Vetë moderatorja nëpërmjet një video ka lënë të kuptohej se ky nuk është një moment i mirë për të, duke konfirmuar edhe ndarjen.

“Nuk e kam bërë kurrë një gjë si kjo. Jam dhe pak nervoze, nuk janë ditë të lehta për mua janë të komplikuara. Dua të them një gjë, çdo herë që shikoj artikujt lodhem nga ato raportime. Nuk mund ti shmangem këtyre gjërave por fatkeqësisht ka media që i hiperbolizojnë gjërat. Unë jam nënë kam një djalë”. shkruan moderatorja.

Mjeku Pëllumb Pipero shpallet ‘Qytetar Nderi’ në Skrapar

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero është shpallur “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Skraparit.Titulli i është dhënë me miratimin e Këshillit Bashkiak të qytetit të lindjes së doktorit të njohur, i cili i bë shumë popullor gjatë pandemisë nga koronavirusi, me këshillat që jepte për qytetarët.

Me propozim të Kryetarit të Bashkise, Adriatik Mema, Keshilli i Bashkise Skrapar i dha titullin “Qytetar Nderi”, Profesor Pëllumb Piperos.

Motivacioni i titullit është: “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike për gjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik në përballimin e situatës së pandemisë, shkaktuar nga COVID-19”

Doktor Pipero është një nga mjekët shqiptarë që janë në vijën e parë të luftës me sëmundjen e Covid 19 në vendin tonë.

“Opozita në unison”, Kryemadhi: Unë dhe Basha s’kemi ndonjë shpresë të madhe nga reforma zgjedhore

E ftuar në “Çim Peka LIVE” përballë një paneli analistësh, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se, vendimet e opozitës janë në unison.Kryemadhi dhe kreu i PD nuk kanë ndonjë pritshmëri të madhe nga reforma zgjedhore.

“Unë dhe zoti Basha nuk kemi ndonjë shpresë të madhe se reforma zgjedhore do të sjellë atë që presin shqiptarët. Prej katër orësh është diskutuar për identifdikimin biometrik, nuk është diskutuar fare për qeverinë tranzitore, rolin e policisë në procesin zgjedhor. Edhe me partnerët ndërkombëtarët, edhe në biseda informale, identifikimi biometrik është i domosdoshëm. Rasti i Krujës ku 600 emigrantë kanë votuar në 2017-ën dhe dosja u mbyll. Ai luante ‘e kuqe e zezë’ në Las Vegas dhe votoi.

Pastaj vijmë në rolin e policisë, akoma pa u tharë lotët dhe pa ikur shenjat e dhunës te teatri, unë shpresoj që reagimi të vijë nga ata që besojnë vetë te Edi Rama, unë nuk kam besuar dhe nuk kam pse besoj,. Opozita ka qenë gjithmonë e gatshme, që në nëntor me këshillin politik. Nesër në mëngjes do të paraqiten edhe kërkesat e partive të koalicionit opozitar”, tha Kryemadhi.

Plazh 2020, ‘lamtumirë’ festa nate e schiuma party!Kush ofron shërbime ‘i armatosur’ me maska doreza

Drejtoresha e mjedisit dhe turizmit, Rovena Moçka në një intervistë për “Report Tv” ka dhënë se nuk do të lejohen aktivitete që shkaktojnë grumbullime dhe që nuk ruajnë distancën fizike.

Aktivitetet me schiuma party, festa në lokale nate që nuk mundësojnë distancim fizik dhe qasjen e higjienës nuk do të zhvillohen në këtë fazë. Ajo që do të shohim në vijimësi si të mund të zhvillojmë aktivitete të ndryshme nga aktivitete masive që janë zhvilluar në të kaluarën duke qenë se janë të pamundshme në këtë periudhë pandemie. të gjitha aktivitete do jenë duke siguruar higjienën dhe distancën”, tha Moçka.

2020 nuk ishte një vit i zakonshëm, por duhet të qasemi me rregulla të reja. Të duhet të fillojmë të adoptohemi me kushtet e reja edhe në marrjen e shërbimet turistike. Ajo që ka ndryshuar është mënyra si duhet të menaxhojmë plazhin edhe atë publik. Duke qenë se do të kemi një àrmatë më të madhe të monitorimit të masave dhe njerëzve ka ndryshuar edhe mënyra se si do të jepen stacionet e plazhit ku prioritet kanë strukturat e qëndrueshme, ato hoteliere.

Një shërbim i kontrolluar janë për hoteleritë në vijën e parë të plazhit, pasi këto struktura janë më të kontrolluara dhe më të monitoruara. E gjithë kjo procedurë por dhe e vendosjes së rregullave për operatorët turistikë do të ndiqen nga komiteti i menaxhimit dhe mbarëvajtjes së sezonit turistik”, tha Moçka.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se të gjitha shërbimet e ofruara do të vijnë nga një personel i pajisur mirë me maska e doreza, ku hoteleritë dhe restorantet do të jenë nën monitorim të rreptë për të ofruar një higjienë maksimale.