Vera me festa dhe udhëtime, Brataj: Ja çfarë na pret në vjeshtë!

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj i ftuar në Java në Dritare tha se pjesa e dytë e këtij viti do të jetë më afër normalitetit të shumëkërkuar. Brataj u shpreh i bindur se vendi nuk do të përjetojë më asnjë valë të koronavirusit, ndërsa theksoi se rastet do të jenë të kontrolluara.


Skënder Brataj

“Nuk do të ketë valë si ajo që kemi kaluar, për shumë arsye. Kjo për shkak të shumë arsyeve, por kryesorja është imunizmi përmes vaksinimit. 1 milionë njerëz mund të jetë imunizuar natyralisht. Do të mbërrijmë 1 milionë të vaksinuar në qershor dhe besoj skenari për vaksinimin e popullsisë do të bëhet më shpejt se kur është parashikuar. Besoj për 10 muaj do të kemi kryer të gjitha vaksinimit.

Do të ketë raste të virusit në vjeshtë, por jo valë. Do të jetë sikurse ndodhemi në këtë moment, me këto shifra të ulëta dhe të kontrollueshme. Do të bashkëjetojmë edhe për një kohë me virusin. Besoj pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë fundi i pandemisë. Duhet të kemi parasysh që nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën.

Ky vit do të jetë i jetueshëm normalisht, me pak kufizime. Festa do të ketë, gëzimet janë pjesë e jetës. Por të mos harrojmë që në verë popullsia dyfishohet për shkak të turistëve. Ndaj Komiteti ka vendosur për këto masa.

Përsa i përket udhëtimeve, patjetër që Shqiptarët do të mund të udhëtojnë këtë verë jashtë vendit. Do të kërkohen dokumentacionet përkatëse por do të lëvizet lirisht”, u shpreh Brataj.