Driloni, parajsa e mundur e shpirtrave të etur për prehje

Nga Albert Vataj

Çdoditshmërinë tonë e mbrujnë veprime dhe qëllime dritshmërisht të mbarsura me vezullim dhe zjarr përcëllues ferri, të cilat përgjithësisht ndodh të na marrin rrëmbimshëm dhe të na hedhin; nga njëtrajtshmëria rutinore e formave dhe gjendjeve të të sotmes së mendimeve të platitura, muskujve të mpirë e ëndjeve të përgjumura, në larmishmërinë e ngjyrshme e përjetuese të një përvoje flakatare.


Të tilla janë shumë në të mundshmen tonë të mpiksur në caqe kufijsh dhe arritshmërishë, por kësohere, si ndalesë të prehjes së shpirtit dhe vërshimit, të mundësisë dhe ndijimit, është Driloni, një gostitje sqimatare e natyrës dhe ledhati e gjithfarshme e një ekosistemi, që të duket se ka zbritur nga lart, si një shpërblim i përgjërimeve tona plot devocion dhe adhurim.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, është një nga mrekullitë që natyra ka krijuar me një përkushtim dhe pasion, që sfidon çdo forcë dhe shastis çdo përfytyrim. Gjeografikisht, ai ndodhet 4 km. në lindje të Pogradecit, pranë fshatit turistik të Tushemishtit, fshat i cili u bë atraksion nga një cytje e realsocit kinematografik dhe amalgamash jargavitëse të një farse ideologjike.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tre vija uji, arterie që rrjedhin për tu derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun jug-lindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më ngasësi dhe më kureshtari, prekja e drithëruese e çasteve të befta, i cili krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë dhe praninë kaq të begatë të florës dhe faunës që gjallon në këtë angështi kurthi. Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shelgjeve lotues apo kallamishtet, janë ai organizëm i gjallë që nusëron me një mantel të blerimtë këtë prehër prehjesh, dehjesh dhe dëshirimi.

Vetëm kur të bëhesh një me atë çfarë të ofron Driloni, vetëm atëherë e kupton se gjithëkjo magji, kjo kreaturë pasionesh të shpenguara e përkujdesi delikat, kjo ëmë e çasteve inkandeshente dhe përshkimeve joshëse, kjo parajsë tokësore e dëshirimeve tona prej eteri, i ka munguar shpirtjes tënde të qetësisë dhe relaksit. Vetëm kjo e mundshme për t’u kredhur dalldisës në krahët e këtij përqafimi, mund të të zgjojë ato energji të platitura dhe të ç’tendosë atë apati, ku heton se të mban të kyçur përditshmëria.

Edhe pse ky park, kryesisht fundjavave është i mbipopulluar, është shumë e lehtë, ose të jesh pjesë e haresë, gazmendit dhe ledhatisë shumëngjyrëshe, që gufon nën solemnitetin dehës të natyrës, ose të gjesh në këtë oaz një qoshk privatësie, prehje dhe adhurimi, për atë që ofron natyra në një ditë përvëlake vere.

Shëtitja në park nën shoqërinë gjarpëruese të liqenit që të ndjek nga pas si një grishje dashurore, një xhiro me varkë, drekimi në një nga lokalet e atyshme, soditja e mjelmave teksa pluskojnë me bardhësinë e tyre vezulluese dhe i jepen një ceremoniali solemn vetëpastrimi që nuk resht asnjëherë, janë gjithëçfarë të ofron Driloni, gjithëajo përkëdheli lojcake, në një ditë të zakontë, në një qasje të çdohershme që e ofron si një kureshtje dhe të pranohet si shpërblim.

Kur përmendim Drilonin nuk mund të mos na shkojë nëpër mend ai vend ku dikur ishte i preferuari i një mbreti dhe një diktatori, legjendat që u thurën dhe të vërtetat që i mbuloi heshtja me mister. Ky magjistar i natyrës shëtiti nga historia në kujtesë, u glorifikua, nga kartolinat në përfytyrime, dhe mbeti e vagullt ajo prekje dhe dehje, ashtu mistike dhe e pikëllimtë, nën shelgjet lotues dhe harenë e pluskimit të varkave dhe mjelmave.

Sot ai është sërish Driloni i freskisë dhe relaksit, ajo prehje idilike e natyrës, ai shkas i atyshëm që na thërret si në një ceremonial sublimimi, dhe ne shkojmë; me shpirtin e shëlbyer blatimesh, zjarrin e zemrës temperuar pasionesh, zërin e akorduar jehonash, prekjen e kredhur ledhatimesh… shkojmë, për të mbetur aty… çast. Aty ku e dëgjon të gjallë ritmin e natyrës, se si ajo ndihet e shkujdesur dhe lojcake, plot epsh dhe poezi. Aty ku ajo merr frymë dhe ngop gjokset tona. Aty ku bari, pemët dhe shpendët guxojnë të shprehin bujarisht mirëseardhjen. Aty ku gjelbërimi krekoset dhe përulet, duke ju bërë momentit përkundje plot devocion amësor, dhe çasteve kllapitëse epje e hutim, ku vullnetlirë kridhemi.

Bizneset që ushtrojnë aktivitetin në territorin e parkut, rreken, ndoshta jo mjaftueshëm, por ama dukshëm është evidente, të ruajnë të vezullimtë shkëlqimin, famës dhe reales, florës dhe faunës, një ekuilibër i brishtë i këtij ekosistemi, nën një lakmim gjithnjë preferencial. Një ditë në këtë park është një mundësi për tu shkëputur nga “terrori” i realitetit urban dhe fluksi i bujtësve e dëshmon këtë. Natyra kudo përpiqet të jetë komunikuese dhe e njëjtësuar me njerëzit, aq sa ata që vijnë dhe ikin duke lënë diçka të shtrenjtë në kujtesën e këtij atraksioni.

A mund që diçka të ishte më mirë? Patjetër që po, por dallueshëm konstaton se gjërat janë në kuotimin optimal të vlerësimit. Kritizerët dhe skrupulozët do të kenë natyrisht diçka për të hidhëruar gjuhën, por sërish Driloni është dhe mbetet për vizitorët, ai, kraharori i butë i një dashurie të frikësuar, parajsa e mundur e shpirtrave të etur për prehje. Nëse vendos të shkosh në Drilon, ti thjeshtë shko, dhe gjithçka tjetër e bën ai për ty.