UDINE, ITALI 19-vjeçari Kevin Murataj, i riut shqiptar i cili humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e së premtes jashtë një picerie, kishte dalë për të festuar bashkë me shokët e shoqet maturën. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 19-vjeçari sapo kishte dalë nga piceria së bashku me 8 shokë e shoqe të klasës dhe 2 mësues, kur u përplas te vijat e bardha nga një makinë që drejtohej nga një 21-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30. Të rinjtë ishin nisur drejt diskotekës për të vijuar festën.
Kevin Murataj, që do të kishte mbushur 20 vjeç më 3 Shtator, ishte i pari në rresht. Papritur i riu u përplas nga automjeti. Dinamika e ngjarjes mbetet ende për t’u sqaruar megjithatë nga të dhënat e para shoferi i makinës kishte ndaluar në mënyrë që të rinjtë të kalonin, por siç duket nuk e kishte parë në kohë që Kevin ishte futur në vijat e bardha.
I riu u transportua me urgjencë drejt spitalit, por përplasja ishte e fortë dhe ai ndërroi jetë pa mbërritur ende.
Murataj me origjinë nga Shqipëria, kishte lindur në Foggia të Italisë dhe jetonte në Latisana. Sipas asaj që shkruan Messaggero Veneto, familja Murataj kishin shkuar në Itali shumë vite më parë. Por asnjëri prej tyre nuk e kishte imagjinuar se do të duhej të përballeshin me një humbje kaq të madhe.
Daja i tij thotë: Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur, donte shumë të studionte dhe të punonte, nuk lodhej kurrë. Ishte djalë i mirë, fundjavave ishte kamarier në picerinë “Bella Napoli” ku punoj edhe unë, mezi priste të mbaronte shkollën për të punuar atje gjithë verën.
Vdekja e Kevinit tronditi komunitetet Latisana dhe Lignano, disa persona vendosën lule të kuqe në vendin ku ai u aksidentua për vdekje.




