Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 22”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit A. D., 38 vjeç, A. D., 37 vjeç, M. H., 43 vjeç dhe B. G., 45 vjeç, banues në Elbasan.
Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. G. dhe pasagjer shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 10 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga këta shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga edhe dy shtetasit e tjerë A. D. dhe A. D., të cilët u konstatuan në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, me automjetin tip “Benz”, ku nga hetimet e kryera rezultoi se ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar 38-vjeçarit A. D., iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me dy automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.