Alarmi i detektives private :” Vajzat adoleshente po bien pre e “jetës luksoze” në rrjetet sociale

Detektivja private Shkenda Lili ka ngritur një alarm serioz për prindërit shqiptarë, duke zbuluar një trend shqetësues që po përhapet me shpejtësi: gjithnjë e më shumë vajza adoleshente, të moshës 16-17 vjeç, po përfshihen në marrëdhënie me burra shumë më të mëdhenj në moshë, të tërhequra nga jeta luksoze që shfaqet në rrjetet sociale.

“Vajzat e reja sot shkojnë në klinika estetike me një foto në dorë dhe thonë: ‘Dua të bëhem si kjo’. Kërkojnë veshje të shtrenjta, iPhone, daljet e vona në lokale… dhe kur prindërit nuk ua ofrojnë, i gjejnë diku tjetër,” shprehet Lili përmes një deklarate që ngre shqetësime të thella për rolin e rrjeteve sociale në formimin e të rinjve.

Sipas saj, vajzat ndjekin modele të rreme dhe të pamundura të jetës që shohin në Instagram dhe TikTok, çka ndikon drejtpërdrejt në vetëvlerësimin dhe në zgjedhjet që bëjnë. “Rrjetet sociale janë një gënjeshtër. Vajzat duan të jetojnë si në Instagram – me çdo kusht,” shton Lili.

Periudha më kritike, sipas saj, është ajo midis moshës 14-18 vjeç, kur ndodhin ndryshime të mëdha psikologjike dhe presioni social arrin kulmin. Prindërit, të shqetësuar dhe të pafuqishëm, po i drejtohen gjithnjë e më shpesh zyrës së saj për të hetuar me kë rrinë fëmijët e tyre, çfarë konsumojnë, dhe çfarë fshihet pas ekranit të telefonit.

“Kam raste pafund. Realiteti është dramatik. Prindërit tronditen kur zbulojnë të vërtetën,” përfundon ajo.

Bizneset gjejnë mirëkuptim me Sotiraqin, çmontimi i lokaleve do të nisë pas Festës së Birrës…

Bashkia e Korçës e drejtuar nga socialisti Sotiraq Filo ka gjetur gjuhën e përbashkët me pronarët e bizneseve në qytetin juglindor, për lirimin e hapësirave publike. Sipas asaj që Filo ka deklaruar, të gjitha lokalet kanë afat deri në datë 17 Gusht, dita kur përfundon dhe Festa e Birrës, për të hequr strukturat që pengojnë lëvizjen dhe zënë hapësirat publike, kurse tendat mund t’i mbajnë përkohësisht.

“Diskutimi me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve.

Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që t’i heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen”, është shprehur filo.

“Elementi i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, që do të jenë vetëm çadra, karrige e tavolina, duke hequr të gjithë elementët e tjerë që janë pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e rrotull bizneseve.

Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do të vihet në dispozicion të bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve”, ka sqaruar socialisti Sotirq Filo, duke theksuar se këto janë pranuar dhe nga pronarët e bizneseve.

Një gur në xhamin e indiferencës- Ai na tregoi se jo të gjithë janë zbutur në krahët e frikës dhe rehatisë së rreme…

Nga: Ymer Pasho

Në një qytet ku zëri i njerëzve po mbytet nga makineritë e shkatërrimit të pronave dhe të mundit të tyre, një i ri guxoi të thyejë jo vetëm një xham, por heshtjen që po na vret çdo ditë.

Ai nuk vodhi, nuk vrau, nuk kërkoi ndonjë përfitim personal por reagoi, ndoshta në mënyrën e vet të pamatur, ndaj një padrejtësie që po u ndodh qindra familjeve e bizneseve në Korçë.

E megjithatë, çfarë lexojmë në komentet e portaleve? “Ku shkon kështu?”, “Në burg do vesh!” etj nga njerëz që janë bërë mjeshtër të frikës, të gjykimit, të heshtjes që mban në këmbë një sistem që s’ka më turp.

Ky djalë nuk ka nevojë për dënim, por për një faleminderit që na kujtoi se reagimi ende ekziston.

Ai na tregoi se jo të gjithë janë zbutur në krahët e frikës dhe rehatisë së rreme. Edhe një akt i vogël kundërshtimi është më shumë sesa mijëra komente cinike nga divani.

Në vend të frikës së përhapur, ndoshta është koha të kemi pak më shumë zemër. Jo për të thyer xhama, por për të thyer heshtjen.

Theu xhamat e Bashkisë Korçë, Çekiçi 14 ,ish-futbollist dhe reper(Video)

Një incident i pazakontë dhe i transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës, ku 26-vjeçari Kostandin Dramolli, ish-portier i njohur i futbollit shqiptar, ka thyer xhamat e godinës së Bashkisë në shenjë proteste ndaj aksioneve të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

I riu u procedua nga policia e Korçës.

Ngjarja u filmua dhe u shpërnda në kohë reale nga vetë Dramolli, i cili gjatë transmetimit dëgjohet të thotë: “Shiko si sulmohet bashkia”. Sipas tij, revolta erdhi si pasojë e prishjes së disa strukturave në lagjen nr. 14, ku ai jeton prej vitesh.

Kostandin Dramolli, i njohur me emrin artistik “Çekiçi 14” pas tërheqjes nga futbolli, është aktualisht aktiv në skenën e muzikës “rap”. Emri i tij është i lidhur ngushtë me zonën ku ka jetuar dhe me një identitet rebel, të cilin nuk ka hezituar ta shfaqë edhe publikisht.

Në karrierën e tij sportive, Dramolli ka qenë pjesë e ekipeve si Skënderbeu, ku është shpallur kampion me ekipin U-19 – Bylis, Pogradeci, Maliqi dhe Pierikos në Greqi.

Pas incidentit, në rrjetet sociale janë ndezur debatet, ndërsa burime pranë autoriteteve bëjnë me dije se i riu është person me precedentë penalë dhe më herët është dënuar me burg nga gjykata.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet sociale që shoqërojnë aksionet e lirimit të hapësirave publike, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Bashkia e Korçës në lidhje me situatën.

Njoftimi:

Specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi rreth orës 02:15, ka goditur me gurë xhamat e Bashkisë Korçë.

Çiljeta: Prej dy vitesh po përpiqemi për një vajzë, kam një problem hormonal

Këngëtarja Çiljeta Xhilaga, ka ndarë së fundmi një rrëfim shumë personal dhe të ndjeshëm për dëshirën e saj të madhe për t’u bërë nënë e një vajze. Ajo zbuloi se prej dy vitesh është duke u përpjekur për ta sjellë në jetë një vajzë, por për shkak të disa problemeve hormonale, rruga nuk ka qenë e lehtë.

Ne kemi dy vjet që po përpiqemi të bëjmë një vajzë. Unë kam një problem hormonal. Do doja shumë ta kisha një vajzë,”- tha ajo me sinqeritet.

Çiljeta tregoi gjithashtu se disa vite më parë ka kaluar një abort spontan, i cili ka komplikuar disi mundësinë për një shtatzëni tjetër. Megjithatë, ajo nuk ka humbur shpresën dhe vazhdon të jetë nën kujdes mjekësor.

“Para 2-3 viteve, kur kisha një abort spontan, mu komplikua pak kjo gjëja. Jam vizituar, por të shohim. Kam kohë dhe dy vjet për ta bërë, po ma dha Zoti dhuratë,”- përfundoi ajo.

Dështimi i turizmit të plazheve, Fevziu rendit arsyet: “Çmimet e jugut janë të çmendura. Boll folët për turizëm elitar. Shërbejuni emigrantëve dhe ju thoni faleminderit nga mëngjesi deri në darkë 

Gazetari Blendi Fevziu thotë se turizmi i plazheve këtë vit duket i dështuar. Përmes një video mesazhi të publikuar në llogarinë e tij në YouTube, ai analizon problemet e ndeshura deri më tani nga përvoja e tij në zonat e jugut. Sipas Fevziut Tirana dhe qytetet e tjera të trashëgimisë kulturore si Gjirokastra e Berati nuk kanë rënie.

Por ai thotë se dështimi i këtij viti janë plazhet. Fevziu thotë se problemi kryesor janë çmimet e larta.

“Me cmimet që ka Shqipëria nuk justifikon shërbimin, nuk justifikon shërbimin. Çmimet e jugut janë të çmendura”, thotë Fevziu.
Sipas gazetarit ne sot flasim për një turizëm elitar pa qenë vetë elitarë në shërbim.

“Shqipëria nuk është gati e as nuk do të jetë gati për turizëm elitar as në 10 vitet e ardhshme. Shërbejuni emigrantëve dhe ju thoni faleminderit nga mëngjesi deri në darkë. Mjaft me këto tangërlliqe”, shprehet Fevziu. Shihni më poshtë të plotë videon e tij.

Rama paralajmëron për zaptimin e hapësirave publike: “Do ketë ndëshkime që të mos u shkojë më mendja…

Rama: “Është e rëndësishme të kuptohemi që ideja nuk është të ndëshkojmë. Do hiqen të tëra. Do hiqen hap pas hapi dhe është shumë gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në këtë proces, duke çuar në mënyrë të vazhdueshme denoncime. Do hapet dhe një portal i posaçëm. Siç u nda mendja që nuk ndërtohet te Lana etj., do të ndahet mendja që nuk mund të ndërtohet vend e pa vend.

E mira është që kemi vendosur plazhe publike.

Jemi më mirë se vjet, por jo aq mirë sa duhet të ishim. Plazh publik, nuk mund të jetë vetëm një zonë bosh. Sigurisht që do ketë vende për ata që kanë nostalgji për peshqirin…

Do bëjmë ndëshkime të atilla që mos t’i shkojë mendja njeriu të fillojë lojën nga e para. Pastrojmë te “21 Dhjetori”, pastrojmë te “Komuna e Parisit”, pastrojmë te “5 Maji” etj.

Do të duhet të nisim me projekte të bukura urbanistike. Nuk mund të ndërtojnë pallate brenda pallatit, por mund të ndërtojnë parkime me dy-tre kate. Nga ana tjetër, kemi nisur punën me një nga ekspertët më të famshëm në botë, i cili ka filluar punë në shumë qytete dhe është bërë i famshëm nga “Super-blloqet e Barcelonës”. Top Channel

“Masa drastike”/ Rama paralajmëron rregullore të re për ndërtuesit: “Banorët mos të ndjejnë asnjë zhurmë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër mesazh në kuadër të reformës së re për hapësirat publike dhe respektimin e rregullave urbanistike, duke vënë theksin këtë herë tek kantieret e ndërtimit në zonat e banuara.

Rama theksoi se ndërtuesit nuk mund të kthehen në problem për banorët e zonës, por duhet të marrin të gjitha masat që aktiviteti i tyre të jetë sa më pak i ndjeshëm për komunitetin.

Rama paralajmëroi se së shpejti do miratohet një rregullore e re për kantieret e ndërtimit, që do përcaktojë qoftë rregullat për zhurmën e shkaktuar nga këto kantiere, e deri tek zënia e trotuareve.

“Nuk po bëjmë vetëm një pastrim të platformave dhe tendave, por edhe një kontroll të kantiereve. Sepse kantieret nuk dalin në televizor, por janë një burim i përditshëm shqetësimi për qytetarët. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problemi i zonës. Duhet të marrë masa që zona përreth të mos e ndjejë fare ose ta ndjejë shumë pak. Kantiere të rrethuara, pa zaptim të trotuareve, me kalime për këmbësorët, këto janë gjëra bazike.”- u shpreh Rama.