Nga: Ymer Pasho
Në një qytet ku zëri i njerëzve po mbytet nga makineritë e shkatërrimit të pronave dhe të mundit të tyre, një i ri guxoi të thyejë jo vetëm një xham, por heshtjen që po na vret çdo ditë.
Ai nuk vodhi, nuk vrau, nuk kërkoi ndonjë përfitim personal por reagoi, ndoshta në mënyrën e vet të pamatur, ndaj një padrejtësie që po u ndodh qindra familjeve e bizneseve në Korçë.
E megjithatë, çfarë lexojmë në komentet e portaleve? “Ku shkon kështu?”, “Në burg do vesh!” etj nga njerëz që janë bërë mjeshtër të frikës, të gjykimit, të heshtjes që mban në këmbë një sistem që s’ka më turp.
Ky djalë nuk ka nevojë për dënim, por për një faleminderit që na kujtoi se reagimi ende ekziston.
Ai na tregoi se jo të gjithë janë zbutur në krahët e frikës dhe rehatisë së rreme. Edhe një akt i vogël kundërshtimi është më shumë sesa mijëra komente cinike nga divani.
Në vend të frikës së përhapur, ndoshta është koha të kemi pak më shumë zemër. Jo për të thyer xhama, por për të thyer heshtjen.
