Grupi i Pilinçit u bashkohen në sheshin “Skënderbej”, qytetarët distancohen

Në protestën që po zhvillohet prej dy javësh në Tiranë, një grup i drejtuar nga Pëllumb Pilinçi është shfaqur në sheshin “Skënderbej” me pajisje zanore dhe me shpërndarje të flamujve shqiptarë dhe amerikanë, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.

Pjesa tjetër e protestuesve që janë mbledhur prej ditësh në shesh janë distancuar nga ky grup, ndërsa kanë vijuar organizimin e tyre me qëllim nisjen e marshimit drejt Kryeministrisë.

Atmosfera në shesh është karakterizuar nga lëvizje të ndara dhe mungesë koordinimi të plotë mes dy grupeve.

Protestuesit kryesorë i kanë kërkuar grupit të drejtuar nga Pilinçi që të ulin volumin e pajisjeve zanore deri në momentin e nisjes së marshimit, me qëllim ruajtjen e rendit dhe strukturës së aktivitetit protestues. Kjo kërkesë është bërë për të shmangur mbivendosjen e mesazheve dhe për të mbajtur fokusin te organizimi i përbashkët.

Nga ana tjetër, përfaqësues të grupit të Pilinçit janë shprehur se disponojnë lejen për zhvillimin e protestës dhe kanë deklaruar se drejtuesi i tyre pritet të mbërrijë së shpejti në shesh për t’iu bashkuar tubimit. Ata kanë vijuar aktivitetin e tyre të veçantë brenda të njëjtës hapësirë publike.

Më pas, grupi i Pilinçit ka nisur fjalimet dhe aktivitetin e vet në shesh, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve ka vijuar me planin e parashikuar për marshimin drejt Kryeministrisë, duke ruajtur itinerarin dhe organizimin e tyre të mëparshëm.