Berisha: “Do të vizitoj SHBA-në për të takuar miqtë…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se planifikon të vizitojë Shtetet e Bashkuara në një moment të përshtatshëm, ndërsa ka shpjeguar edhe arsyet pse nuk ka marrë pjesë fizikisht në protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha theksoi se protestat kanë karakter qytetar dhe shkojnë përtej përkatësive politike, ndaj sipas tij, prania e drejtuesve politikë mund të ndryshonte natyrën e tyre.

“Ajo protestë është tej partive politike. Natyrshëm aty do të ketë slogane që disa mund t’i pëlqejnë dhe të tjerë jo, por ato nuk duhet të errësojnë misionin e saj,” u shpreh ai.

Berisha tha se ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në protestë për të ruajtur atë që e cilësoi si “fibrën qytetare” të lëvizjes, duke shtuar se edhe anëtarët e Partisë Demokratike janë inkurajuar të marrin pjesë si qytetarë dhe jo si përfaqësues politikë.

Prania ime aty do të dëmtonte fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare,” deklaroi kreu i opozitës.

Duke komentuar zhvillimet politike në vend, Berisha vlerësoi angazhimin e të rinjve në protesta dhe përsëriti qëndrimin e tij për nevojën e krijimit të një qeverie kujdestare, e cila sipas tij do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

I pyetur për mundësinë e një vizite në SHBA, Berisha konfirmoi se synon të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara.

“Do të shkoj në SHBA për të takuar miqtë,” u shpreh ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi kohën apo axhendën e vizitës.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një moment kur protestat e nisura për çështje mjedisore dhe pronësie kanë marrë përmasa më të gjera politike dhe shoqërore, duke nxitur debate mbi rolin e forcave politike në organizimin dhe mbështetjen e tyre.