SHBA ndryshon rregullat per Green Card, aplikimet do te bhen nga vendet e origjines

Administrata amerikane ka vendosur ndryshime të reja në procedurat e aplikimit për Green Card, duke kërkuar që aplikantët për rezidencë të përhershme në SHBA të aplikojnë nga vendet e tyre të origjinës. Sipas rregullores së re, mundësia për të aplikuar nga brenda territorit amerikan dhe për të ndryshuar statusin e qëndrimit do të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Autoritetet amerikane të emigracionit bëjnë me dije se shtetasit e huaj që kërkojnë Green Card do të duhet të ndjekin procesin përmes ambasadave dhe konsullatave të SHBA-së në vendet e tyre, duke kufizuar aplikimet e brendshme në SHBA.

Rregulli i ri pritet të ndikojë kryesisht studentët, punëtorët e përkohshëm dhe turistët, të cilët deri më tani mund të aplikonin për ndryshim statusi gjatë qëndrimit në vend.

Sipas autoriteteve, qëllimi i ndryshimeve është të sigurohet që vizat jo-emigruese të përdoren vetëm për qëllime afatshkurtra dhe jo si hap drejt rezidencës së përhershme.

Në SHBA lëshohen mbi 1 milion Green Card çdo vit, ku një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve realizohej nga persona që tashmë ndodheshin në territorin amerikan përmes ndryshimit të statusit.

E trishte /Shuhet në moshën 84-vjeçare ikona e kinematografisë shqiptare

Një tjetër humbje e madhe ka tronditur botën e kinematografisë dhe artit shqiptar. Aktori i mirënjohur Birçe Hasko është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune, në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe publiku që e deshi dhe e duartrokiti për dekada me radhë.

I lindur në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942, Birçe Hasko ishte një nga figurat më të respektuara të skenës dhe ekranit shqiptar.

Pas përfundimit të shkollës “Jani Minga” në Vlorë, ai punoi si mësues në Memaliaj, ku hodhi edhe hapat e parë në art përmes angazhimit me trupën e Estradës amatore të qytetit.

Në vitin 1965 nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve, ndërsa pas diplomimit mbeti pedagog pranë këtij institucioni, ku për shumë vite formoi breza të tërë artistësh duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në vitin 1995 ai mori titullin “Profesor”, duke u kthyer në një nga emrat më të vlerësuar të artit skenik shqiptar.

Kontributi i tij në teatër dhe kinematografi mbetet i jashtëzakonshëm.

Në skenë interpretoi mbi 12 role, ndërsa një nga rolet më të spikatura ishte ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në ekranin e madh, Birçe Hasko skaliti me dhjetëra personazhe që mbetën gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.

Roli i tij i parë në kinematografi ishte ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë” në vitin 1971.

Më pas do të interpretonte në një sërë filmash të njohur, mes tyre roli i Mete Aliut në “Radiostacioni”, Syrjait në “Skëterrë 43”, mësuesit në “Gurët e shtëpisë sime”, si dhe shumë personazhe të tjerë që e kthyen në një nga ikonat e kinemasë shqiptare. Roli i tij i fundit ishte në filmin “Kronikë provinciale”.

Për kontributin e tij të çmuar në artin shqiptar, ai u nderua me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1988, u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë, ndërsa mbante edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Bashkia e Orikumit e kishte shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi”.

Arti shqiptar tanimë ka humbur edhe një tjetër figurë të vyer, një aktor që me talentin, zërin dhe interpretimet e tij u bë pjesë e kujtimeve dhe jetës të shumë brezave.

Kontribues me donacione për Kishën /Mitropoli i Korçës:”Le pas dhimbje, por la nje shembull….

Nga Mitropoliti i Korçes Anastas :

Sot të gjithë të përshkruajnë si një biznesmen të ri, si një djalë punëtor, si një qytetar model dhe me të drejtë, sepse ti i kishe të gjitha këto cilësi. Por shumë pak e dinë se ti ishe dhe një mirëbërës i madh. I madh, sepse madhështia nuk qëndron te vlera që ofron, por te mënyra se si e ofron dhe te dashuria me të cilën jep.

Për vite me radhë u kujdese që askush të mos mbetej i uritur, duke qenë një bashkëpunëtor dhe kontribues i vyer i mensës së Kishës sonë. 

U kujdese gjithashtu që askush të mos mësonte se ishe ti ai që dhuroje. U kujdese të jepje me dashuri, por ne heshtje me shqetësim për këdo që kishte nevojë, duke ofruar çdo ditë nga fryti i punës tënde, i bindur se shpërblimin do ta prisje nga Ai që sheh në fshehtësi.

Dhe sot që ti ike, shumëkush mund të ketë shumë “pse”, por ti jo. Sepse ti e dije se jeta nuk matet me sa vite jetojmë, por me sa jemi gati kur ato marrin fund. Dhe ti ishe gati; gati për të hyrë në gëzimin e Zotit tënd. Ndaj nuk u shqetësove për vitet që mbetën pa u jetuar, as për gëzimet e rreme të kësaj jete, por u ngjite sot me Zotin, në ditën e Ngjitjes së Tij në qiell, dyzet ditë pas Pashkës.

Le pas dhimbje, por le një shembull.

I paharruar qoftë kujtimi yt.

Ne lutemi për shpirtin tënd, e ti lutu te Zoti për ne.

E trishtë ! Arresti kardiak i merr jetën biznesmenit të ri nga Korça

Një lajm i kobshëm është mësuar mesditën e kësaj të enjte pasi arresti kardiak i ka marrë jetën biznesmenit korçar Geni Braholli. Lajmi i trishtë u mësua nga reagimet e të afërmve dhe miqve të biznesmenit të cilët ndanë detaje nga ngjarja tragjike.

Shkak i vdekjes së biznesmenit Braholli mësohet se është bërë një arrest kardiak, i cili i ka pushuar menjëherë zemrën të riut, duke lënë pas një plagë të pashërueshme.

Thuhet se Braholli ka qenë në gjumë kur arresti kardiak i ka goditur zemrën duke bërë që ai të mbyllë sytë përgjithmonë.

Geni Braholli ishte pronari i furrës së bukës “Cegora” mjaft të njohur për korçarët, ndërsa ikja e tij në moshë të re ,vetem 43-vjeç ka lënë pas një plagë të madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë njerëzit që e njihnin atë.

KorcaBlog.com i shpreh ngushëllime familjes Braholli për humbjen tragjike të njeriut të tyre të zemrës.