Ku i keni infermierët? Ku i keni doktorët?” Rrëfimi i fortë i infermieres: “Në Shqipëri blen edhe shiringat e dorezat

Infermierja Shqiptare nga Pogradeci Miranda e cila jeton dhe punon prej vitesh në Gjermani, si kryeinfermiere ka bërë një rrëfim të fortë në Korçë, ku krahason sistemin shëndetësor gjerman me atë shqiptar dhe shpreh dëshirën për t’u kthyer në atdhe nëse kushtet përmirësohen.

Ajo tregon se në Gjermani pacientët përfitojnë mbulim të plotë shëndetësor dhe trajtim dinjitoz.

Në Gjermani, nëse kam një aksident, kam mbulim deri në 1 milion euro. Shkoj në spital dhe trajtohem. Edhe në farmaci, me recetë, i marr ilaçet falas, ose paguaj vetëm 5 euro për disa medikamente.”

Sipas saj, realiteti në Shqipëri është krejt ndryshe.

“Në Shqipëri duhet të blesh edhe shiringat, edhe dorezat. Nuk ka oksigjen. Nuk e di çfarë është falas, nëse shkon në spital nuk ke mjekimin e duhur.”

Infermierja shprehet krenare për qytetarët që protestojnë, duke thënë se shpreson që një ditë shëndetësia shqiptare të arrijë standardet europiane.

“Jam krenare për Tiranën që ka bërë protesta dhe shpresoj që mjekësia të jetë në nivelin e vendeve europiane.”

Ajo ngre pyetjen se ku janë larguar profesionistët e shëndetësisë.

Ku i keni infermierët? A ka infermierë në Shqipëri? A ka doktorë? Nuk ka…”

Në rrëfimin e saj, infermierja tregon edhe një përvojë personale, duke pretenduar se për të kryer një rezonancë në Korçë do t’i duhej ndërhyrja e një miku.

Nëse do të bëja një rezonancë, duhet të gjeja një mik që t’i thoshte doktorit: ‘Është miku im, bëje sot’. Ndryshe duhet të vdesesh.”

Ajo kritikon edhe mënyrën e funksionimit të shërbimit të urgjencës.

Ambulanca është si fugon për viçat që shkojnë për t’u therur. Infermierja rrinte ulur përpara me shoferin. I thashë: ‘Për çfarë ke ardhur ti këtu?’. Ajo më tha: ‘Çfarë të bëj, nuk kam asgjë mbrapa, nuk kam materiale’.”

Duke krahasuar me Gjermaninë, ajo shton se atje ambulancat kanë staf të specializuar që kujdeset për pacientin gjatë transportit.

Në Gjermani ambulanca vjen me doktor. Jo me familjarin, sepse familjari nuk e di çfarë ka pacienti. Ai mund të të vdesë në dorë.”

Në fund të mesazhit të saj, infermierja shpreh dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri nëse kushtet përmirësohen.

Nëse Shqipëria do të bëhet, unë e kam burrin gjerman, por do të kthehem si infermiere për t’i ndihmuar njerëzit e vendit tim. Do të punoj për vendin tim.”